5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kolgeci: “Joni Peçi histerik”, mesazhet dhe prapaskenat e Festivalit në RTSH

KolgeciDrejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Martin Leka, ka konfirmuar dje zyrtarisht tërheqjen e Diellza Kolgecit nga prezantimi i Festivalit të Këngës. Vendimi përfundimtar u mor paradite, ndërkohë që mbrëmë, mbledhja për një emër të ri që do të jetë përkrah Enkel Demit, ka vijuar deri rreth orës 21:00. Meqenëse nuk u arrit gjetja e një prezantueseje, sot në ora 10:00 në RTSH mbahet një audicion, ndërsa në drekë do të konfirmohet emri. Ndërkaq, “GSH” zbardh korrespondencën që hedh dritë mbi përplasjet mes RTSH-së dhe menaxherit të Kolgecit: për veshjen, hotelin, udhëtimin dhe debatet me Joni Peçin. Komunikimi mes palëve është zhvilluar në “Facebook”, ku nën emrin “Orkestra Simfonike e RTSH” ka folur koordinatorja e festivalit, Eglantina Tafa, ndërsa Shkumbin Tafilaj si menaxher i modeles nga Prishtina.

KORRESPONDENCA
Korrespondenca që po botojmë u përket datave 10 deri në 16 dhjetor. Në fakt, biseda e datës së fundit duket se është ajo që ka ndryshuar gjithë kursin. Përpos faktit që shpaloset një debat i fortë mes Joni Peçit e menaxherit të Kolgecit, disa fjali të këtij të fundit duket se e kanë irrituar dhe fyer jo pak RTSH-në, mbase edhe sa i takon kësaj pjese: Ju ftoj në qetësi të reflektoni mbi pikat e dobëta të festivaleve në të kaluarën…
10 dhjetor, ora 1:44 (pasdite)
Orkestra Simfonike e RTSH
Përshëndetje Shkumbin! Unë jam Tina, koordinatorja e Festivalit të Këngës në RTSH. Sapo më erdhi një e-mail që ia kishit dërguar skenaristes së festivalit në lidhje me disa kërkesa të prezantimit të Diellzës në festival.
10 dhjetor, ora 1:47
Orkestra Simfonike e RTSH
Për sa i përket veshjes së prezantuesve, festivali ka një kostumograf/stilist, i cili është Joni Peçi, dhe merret me imazhin e prezantuesve. Për këtë është caktuar dhe një fond përkatës. Nëse Diellza kërkon të marrë veshje nga disenjatorë nga Kosova, në radhë të parë duhet të na sjellë dhe koston e tyre, pasi këtu në preventivin tonë është e përcaktuar dhe nuk mund të bëhet asgjë për të ndryshuar këtë fond. Dërgojeni ju dhe do të jemi përsëri në kontakt.
10 dhjetor, ora 1:48
Orkestra Simfonike e RTSH
Për sa u përket aksesorëve, zyra e marketingut do të kontaktojë me firmat që disponojnë aksesorë të tillë (emri hiqet për efekt reklame). Akomodimi është në rregull, në hotel GH (emri hiqet për efekt reklame), ku shpenzimet janë të RTSH-së, sigurisht. Transporti është nga ana e RTSH-së, sipas datave që do të biem dakord. Pagesa e honorarit për prezantimin e festivalit dhe angazhimin e Diellzës gjatë ditëve të provave dhe ardhjes në Tiranë është në total rreth 1800 euro, në varësi të kursit të bankës. Me lekë shqiptare është 260.000(mijë), në dorë. Mënyra e pagesës është si ta dëshironi ju, me lekë në dorë ose në numër llogarie. Data e pagesës është një ditë pasi mbaron festivali.
Për më shumë informacion mund të më shkruani ose më dërgoni numrin e telefonit, që të kontaktojmë për detaje.

10 dhjetor, ora 6:12 (pasdite) Shkumbin Tafilaj
Përshëndetje znj. Tina! Znjsh. Diellza është e angazhuar deri më datë 11.12.2013 në Republikën e Malit të Zi, në një përmbarim të një aktiviteti të rëndësishëm social. Në kontaktim me znjsh. Diellza ajo më konfirmoi këtë përgjigje, duke cituar: “Vlerësoj lart regjisorin Petri Bozo dhe skenaristen, znj. Alda Bida. Respekti dhe siguria në bashkëpunim, më bën të pranoj propozimin final nga RTSH, për pagesë 1800 euro (para cash)”. Ndihem i lumtur për këtë përgjigje, pasi që znj. Diellza, në të gjitha prezantimet e saja skenike i ka realizuar kontratat me vlerë mbi 2500 euro, për angazhim në prezantim të një eventi. Por si duket, kryefjala e këtij bashkëpunimi është respekti që udhëheq Diellzën në raportin e shëndoshë kolegjial e miqësor me z. Bozo dhe znj. Bida. Do t’ju lutem që ju të siguroheni që pagesa të bëhet në vlerën monetare euro (Euro), pra 1800 euro. Në rast se këmbimi valutor është më i madh, atëherë le të mbetet në mundësitë tuaja të paraqitjes së saktë të shumës. Por shuma të mos jetë më e vogël se 1800 euro. Mënyra e pagesës, me euro në dorë, më datë 29.12.2013.

Sa u përket veshjeve, ju lutem të na informoni me shumën në euro (Euro), e cila është ndarë për vijën: fustane dhe këpucë, – me qëllim që ne të dimë saktësisht limitet e blerjes së materialeve dhe koston e realizimit të tyre. Znjsh. Diellza ka të nevojshme njohjen me shumën totale për veshje dhe këpucë, me qëllim që t’ju njoftojë me koston – ofertën për fustanet. Sa u përket aksesorëve, besoj se do të jetë e dobishme që gjatë prezantimit të krijohet një figurë e kompletuar e dukjes. Në këtë rast e vlerësojmë angazhimin e departamentit të marketingut dhe shpresojmë në zgjedhje të shumta në mënyrë që të kemi një paraqitje dinjitoze.

Rreth akomodimit, shujtave (ushqimit) dhe transportit, dakordohemi me propozimin tuaj. Akomodimi dhe shujta në Hotel GH, transporti nga RTSH, në datat e dërguara.
(adresat dhe nr. e tel)
11 dhjetor, ora 4:27 (pasdite) Shkumbin Tafilaj
Përshëndetje Znj. Tina! …
Mirëpres përgji-gjen në detajet rreth veshjeve dhe këpucëve dhe detajeve të tjera që lidhen me korrespodencën tonë të fundit përmes telefonit dhe rrjetit social “FB” përmes profilit “Orkestra Simfonike e RTSH”.
Faleminderit!

11 dhjetor, ora 6:29 (Mbrëmje) Or-kestra Simfonike e RTSH
Mirëmbrëma! Për sa i përket bisedës sonë telefonike, ju konfirmoj se pagesa e miratuar për veshjen e prezantueses në tri netët e festivalit është rreth 1400 euro. Duhet t’ju bëjmë të ditur se praktika e rregullave të blerjes së mallrave këtu në Shqipëri dhe në RTSH, është që kjo vlerë do të shoqërohet me faturë tatimore të njohur nga shteti. Gjithashtu, ju sqaroj se veshjet në çastin që paguhen nga RTSH, janë pronë e RTSH-së, d.m.th. ato me mbarimin e festivalit do të dorëzohen. Për sa u përket aksesorëve, RTSH ka kontaktuar me firmën më të mirë në vend, RB, (emri hiqet për efekt reklame). Për më shumë detaje do të kontaktojmë përsëri nesër paradite, do t’ju njoftoj përmes telefonit për orarin e nisjes. Gjithë të mirat!
16 dhjetor, ora 10:46 (paradite) Orkestra Simfonike e RTSH
Përshëndetje Shkumbin! Uroj që të jeni mirë! Mbas një mbledhjeje të gjatë të organizatorëve të festivalit, duke u bazuar dhe në preventivin e shpenzimeve të miratuara me këtë rast, ju bëjmë me dije se: RTSH nuk mund të paguajë dy dhoma hoteli të veçanta, edhe për ju, edhe për Diellzën, por vetëm një dhomë, ku përfshihet dhe ushqimi në hotel. Meqë ngarkesa tani sa vjen e shtohet dhe ne kemi vetëm një makinë në dispozicion, Diellzës mund t’ia paguajmë transportin sipas faturës që do të na sjellë. Për sa u përket veshjeve që ju do të zgjidhni atje, ato do të testohen edhe nga stafi i RTSH-së. Gjithë të mirat! Tina
16 dhjetor, ora 2:03 (pasdite)
Shkumbin Tafilaj
Përshëndetje Znj. Tina! Shpresoj të jeni mirë me shëndet.
Ndihemi të shokuar nga korrespodenca e fundit. Në fakt po marrim si shpërblim të kohës sonë të çmuar e të investuar në këtë festival.
Hoteli dhe shujta: një pikë e ndërruar në momentin e fundit, edhe pse në korrespodencën tonë në rrjetin social “FB”, RTSH është dakorduar me këtë pikë teknike. Tash si duket kjo pikë është shumë e rëndësishme në mbarëvajtjen e festivalit.
Transporti: sërish i rregulluar më parë, tanimë pjesë e diskutimit, një çështje teknike e parëndësishme. Ekziston transporti opsional TAXI. Ne mund të interesohemi për ofertën, dhe ju të realizoni pagesën. Një çështje e cila arrin të zgjidhet lehtë. Me pak vullnet, me pak vizion dhe shumë korrektësi.

Veshje: duke pasur parasysh standardin që ka përcjellë gjatë gjithë kohës, si shembull i elegancës, Diellza çdo herë deri më tani është paraqitur në mënyrë dinjitoze, andaj neve nuk na pengon testimi që do ta bëni për veshje pasi që jemi të sigurt që do t’ju pëlqejë në të gjitha aspektet, duke e marrë parasysh historikun e veshjeve të moderatorëve në të kaluarën, që ka qenë aspak e dinjitetshme. Përkundër buxhetit që u është ndarë veshjeve e që është qesharak, këtë e keni pranuar edhe ju, ne kemi qenë ‘fer’ (të drejtë) dhe kemi pranuar me ç’rast kemi mobilizuar gjithë dizajnerët në Kosovë, miq tanë, që të realizojnë veshjen.

Edhe njëherë ju ftoj në qetësi të reflektoni mbi pikat e dobëta të festivaleve në të kaluarën, që është veshja. Përgjegjësia dhe arsyetimi mbeten te ju.
Impresioni i parë është jo i këndshëm, aspak njerëzor. Kam pas një përballje me një person i cili ka kulturë të munguar të komunikimit, jostabil dhe histerik. I kam cituar, që për ne ka vlerë edhe Garda te porta e RTSH-së. Ndërkaq, qasja e Joni Peçit ishte përbuzëse dhe fyese për secilin përreth tij, përfshirë edhe për ju znj. Tina, ku ju ishit niveli ‘cheap’ në TVSH, dhe unë pata rastin të bëja avokatin mbrojtës, edhe pse nuk ju njihja. Në një javë intensive ne kemi nevojë për energji të mirë; një person destruktiv si Joni Peçi, nuk ka mundësi ta ofrojë këtë cilësi.

Ne kemi qenë shumë korrektë dhe pranuam ofertën edhe me atë honorar i cili nuk na konvenoi aspak. Ishim të arsyeshëm, duke marrë parasysh problemet që po ju ndodhin në RTSH. Mirëpo në minutën e fundit, ju po na informoni mbi rregullat e reja dhe banale siç është puna e hotelit. Kjo tregon jo respekt (tani më s’ka të bëjë me çështje financiare, por me korrektësinë që mungon nga ana e RTSH. Po të na kishit informuar më herët, ne do të ishim organizuar). Edhe pse dëshira, dashuria, vullneti i madh ishte nga ana jonë, ne me keqardhje duhet të tërhiqemi, se për ne është shumë e rëndësishme korrektësia, krenaria dhe disiplina.

Duke reflektuar mbi gjithë rrjedhën e paraorganizimit, ndihemi të shokuar nga zgjedhjet tuaja në minutën e fundit.
Ne tërhiqemi nga bashkëpunimi. Suksese në punën tuaj profesionale!

P.S. Ne edhe tani treguam korrektësinë tonë me përgjigjen e menjëhershme, që ju të keni kohë të gjeni një moderatore tjetër.
Me respekt, Shkumbin Tafilaj./bw/

Më Shumë

Në Prizren u përurua videoklipi `Romani Sofra-Sofra Rome`, projekt i gazetarit Galushi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), njofton se në Doku Kino në Prizren, u promovua videoklipi "Romani Sofra - Sofra Rome", projekt i...

Rahoveci ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësirat publike

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se gjatë festave të fundvitit ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike...

Lajmet e Fundit