13 C
Prizren
E martë, 10 Qershor, 2025

Rahovec: I akuzuari më tha se e ka vra vëllanë e tij dhe se më pas e ka djegë kufomën

Dëshmitari Mustafë Kryeziu tha se i akuzuari Gani Kriezi i kishte thënë atij se e ka vra vëllanë e tij dhe se më pas e ka djegur kufomën për tri net.

Kriezi po akuzohet se në shkurt të 2020-ës në Bërnjak të Rahovecit, e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllanë e tij, B.K.

Në seancë e mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke u përgjigjur fillimisht në pyetjet e prokurorit Ramiz Buzhala, dëshmitari Kryeziu tha se të ndjerin dhe të akuzuarin i ka vëllezër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se Sadati përmes telefonit i kishte thënë atij se i akuzuari e kishte pranuar se e ka kryer vrasjen.

“Më ka thënë Sadati se qitash vjen Gania te unë, por ky nuk ka ardhë, dhe të nesërmen kam shkuar unë në shtëpinë e Ganisë dhe kemi hyrë brenda në sallon, dhe i kam thënë “Çka bone more djalë, çka marove kështu?”, më tha shuj, mos fol se këtu është Dhurata, nuk e din për këtë punë”, tha dëshmitari.

Ai tutje tha se pasi që kishin dalë në oborr të shtëpisë, i akuzuari i ka treguar atij për vrasjen.

“Kemi dal në oborr dhe më ka thënë se i kam marrë 7 mijë euro për me ja qu B., por B. nuk i ka dashtë paret, dhe e ka marrë alltin dhe më ka gjuajt, por nuk më ka godit kam ikë, dhe kam shkuar e kam marrë armën dhe e kam vra në kuzhinë, atëherë i thashë se ku është kufoma, më ka thënë se kufomën e kam djegë tre net”, tha tutje dëshmitari.

Paraprakisht, dëshmitari tha se i akuzuari e kishte vizituar shpesh atë duke i dërguar madje edhe ushqim, dhe se kishte insistuar se i ndjeri ka humbur, ka shkuar në Shqipëri.

Gjithashtu, sipas dëshmitarit para se i akuzuari të rrëfehej për vrasjen, ai së bashku me disa persona të tjerë kishin shkuar në shtëpinë e të ndjerit dhe se kur djali i të ndjerit e kishte dërguar një xhemper të të ndjerit në kuzhinë, nga aty kishte rënë një gëzhojë e armës, dhe se ky ishte munduar ta merrte, por se e kishte marrë i akuzuari dhe e kishte futur në xhep.

“I thash çka është kjo gëzhojë, më tha se B. çdo natë ka gjuajtur”, tha tutje dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se i akuzuari ka qenë i ngarkuar edhe për një vrasje në Zvicër, për të cilën e ka mbajtur dënimin.

Në fillim të seancës është dëgjuar edhe dëshmitari Jashar Cukiq, i cili tha se të akuzuarin e njeh pasi që me vëllain e tij të ndjerë kanë qenë të lidhur miqësisht.

Dëshmitari tregoi se i akuzuari Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij për t’i marrë disa të holla.

“Po, jemi takuar tek shtëpia ime pasi që dhëndri im Altini më ka thënë jepja Ganisë 7 mijë euro, ku të njëjtit ja kam dhënë në dorë. Qëllimi i parave ishte rregullimi i shtëpisë së të ndjerit pasi që kishte mjeshtër në shtëpi.”, tha dëshmitari.

Ai tha se pas këtij takimi nuk kishte pasur më kontakt me të akuzuarin, derisa e kishte telefonuar dhëndri me vajzën e tij dhe i kishin thënë që të shkojë ta vizitojë të ndjerin pasi që nuk po lajmërohet në telefon.

“Shkova direkt tek zotëri Gani Kriezi, i trokita në derë dhe më pas i thash a mund të hyjë brenda, po, i thash Gani a di pse erdha këtu në shtëpinë tënde, ai mu drejtu me këto fjalë “Nëse ke ardhë për B. nuk më intereson, a nëse ke ardhur si mik mundesh me hy brenda”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se i kishte thënë të akuzuarit se tash e 20 ditë i ndjeri nuk po lajmërohet.

“Ai më tha hajde me mu ec dhe shkuam prapa shtëpisë së Ganisë dhe aty është hyrja e B. Në oborr kishte pula, dhi, dhe dy qenë. Gania më tha: “A po e sheh këtë dhinë e prerë, e ka pre B. me atë k….. e Shqipërisë dhe e kanë hongër”, tha tutje dëshmitari.

Ai tha se gjatë bisedës me të akuzuarin i njëjti dukej i qetë, mirëpo nuk ka dashur t’i përmendej emri i të ndjerit, duke shtuar: “Më ka thënë edhe një herë për B. mos më hajde”.

I pyetur nga i akuzuari se pse nuk e kanë telefonuar të ndjerin që të shkojë t’i marrë të hollat ai vetë, por e kanë thirr atë, dëshmitari tha se atij i kishin thënë që vjen i akuzuari për t’i marrë paratë.

Dëshmitari sqarojë edhe faktin se fillimisht kishte shkuar tek dera e të ndjerit, e cila kishte qenë e mbyllur e pastaj kishte shkuar tek i akuzuar.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë më 24 maj,  ku sipas kryetarit te trupit gjykues, gjykatësit Drilon Haraçia, do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.

Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sonte Kosova-Armenia

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Armeninë në një ndeshje miqësore që pritet të shërbejë si një test i rëndësishëm për trajnerin...

Arrestohet një person për mbajtje të paautorizuar të armës në Prizren

Një person është arrestuar të dielën mbrëma në rrugën “Kastriotët” në Prizren, nën dyshimin për mbajtje të paautorizuar të armës. Arrestimi u bë pas një...

Lajmet e Fundit