3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Si u godit grupi i organizuar në Prizren: Për pak muaj, dyshohet se u kontrabanduan mbi 500 emigrantë

Që nga muaji mars, e deri kah korriku, po dyshohet se më shumë se 500 emigrantë janë kontrabanduar nga Shqipëria në Kosovë, për të vazhduar në shtetet perëndimore. Në gjithë këtë zinxhir, është i përfshirë një grup prej gati 20 personash nga Prizreni, të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një aksioni të madh dje.

16 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, si të dyshuar për kontrabandim me emigrantë. Aksioni u zhvillua dje në fshatin Shkozë të Prizrenit, përderisa hetimet nga Policia e Kosovës kishin nisur qysh nga muaji mars.

Që nga athëherë e deri ditëve të fundit, gazeta Nacionale ka mësuar se ka dyshime, që janë kontrabanduar më shumë se 500 emigrantë. Emigrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, i depërtonin ilegalisht nga Shqipëria, për t’i transferuar në pjesën veriore të Kosovës, nga ku ata merrnin rrugë për në vendet perëndimore.

Një burim i njohur me ngjarjen nga institucionet e drejtësisë në Prizren, ia ka konfirmuar gazetës Nacionale, se në gjithë këtë plan janë të përfshira edhe kompani të autobusëve. Në mesin e të arrestuarve gjatë ditës së djeshme, është pronari i kompanisë “Bashkimi Reisen”. Aksioni kishte vazhduar edhe në disa kompani të tjera më pas.

“Prej marsit kanë qenë dyshimet se emigrantët po i sjellin nga Shqipëria, e po i transportojnë drejt veriut të Kosovës, për t’i dërguar në Perëndim. Dyshimet janë se numri sillet mbi 700 që janë kontrabanduar për disa muaj. Në aksionin e djeshëm janë arrestuar shumica e personave të përfshirë, në mesin e të cilëve është edhe një arab”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti për gazetën Nacionale.

Në kontrabandimin e emigrantëve, gjithashtu ka dyshime se është përdorur një veturë zyrtare e Gjykatës së Prizrenit. Për këtë arsye, dje Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi se është pezulluar zyrtarja Xhevahire Bislimi – Ukaj. Zyrtarja në fjalë, Nacionale ka mësuar se është bashkëshortja e njërit prej të arrestuarve gjatë aksionit.

Nacionale ka mësuar edhe emrat e disa prej personave të arrestuar, por për momentin do të publikohen vetëm inicialet. Personat e arrestuar janë: U.E / A.S / F.G / B.B / Q.S / F.I / E.A / E.B / F.S / A.A / A.K / L.U / SH.M / B.G / A.I / L.S / B.A / L.Z.

Në fakt, nën dyshimet për kontrabandim me emigrantë janë arrestuar 16 persona. Një tjetër person, është arrestuar pasi gjatë aksionit kishte penguar zyrtarët e Policisë së Kosovës. Kurse, një tjetër është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Hetimet e Policisë së Kosovës, ashtu siç kanë bërë të ditur, kishin nisur nga muaji mars. Përderisa më 14 korrik, ishte arrestuar “koka” e gjithë këtij grupi, një shtetas sirian që dyshohet se e kishte organizuar gjithë kontrabandën.

Si u realizua aksioni i Policisë?

Të shtunën në mesditë, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion të rëndësishëm që e titulluan “Shkoza”. Kjo pasi, aksioni u krye në fshatin Shkozë të Prizrenit.

Një ditë pas aksionit, Policia e Kosovës ka sqaruar në detaje se si e goditën grupin që kontrabandonte me qindra emigrantë për në vendet perëndimore.

“Hetuesit policorë nga Departamenti i Kufirit, që nga muaji mars 2022, kanë filluar hetimin rreth dyshimit se disa persona janë përfshirë në ‘kontrabandim me emigrant’. Numri i personave të dyshuar, të përfshirë në hetim ka qenë i madh. Ata dyshohet se emigrantët (kryesisht aziatik), i kanë depërtuar ilegalisht nga Shqipëria, duke i kaluar deri në pjesën veriore të Kosovës, e qëllim i mbërritjes së emigranteve ishin shtetet perëndimore”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Më 14.07.2022 hetuesit nga Sektori i Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin M.A., shtetas sirian, i cili ka qëndruar në Kosovë duke organizuar kontrabandën. Kurse, më 30.07.2022, policia kufitare e ka finalizuar operacionin policor të koduar “Shkoza”, bëhet e ditur më tutje.

Gjatë aksionit, Policia hasi edhe në rezistencë, për çka arrestoi një person të dyshuar.

“Më 30.07.2022, derisa ishte në zhvillim e sipër kontrabandim i radhës, pas marrjes së urdhrit nga Gjykata Themelore Prishtinë, fillojnë kontrollimet policore në fshatin Shkozë të Prizrenit në tri lokacione. Në njërin nga lokacionet një i dyshuar tenton t’i godasë me veturë zyrtarët policorë. Ai është arrestuar për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe dërguar në mbajtje, ndaj tij është veçuar lënda nga të dyshuarit tjerë të përfshirë në ‘kontrabandë me emigrantë’”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Gjatë operacionit policorë janë arrestuar edhe gjashtëmbëdhjetë të dyshuar për përfshirje në kontrabandim me emigrantë, po ashtu edhe një për armëmbajtje pa leje. Nga të dyshuarit janë sekuestruar katër armë zjarri, nëntëdhjetë e pesë copë fishekë, tre autobusë, dy vetura, dy radiolidhje dhe shtatëmbëdhjetë telefona celular”, thuhet në komunikatë.

Nga 18 të arrestuarit, 17 janë dërguar në mbajtje, e një tjetër person është liruar.

Kosova është vlerësuar se viteve të fundit, është kthyer në qendër të emigrantëve, të cilët jo rrallë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Më Shumë

Mamusha kërkon nga ASK-ja përmirësimin e disa të dhënave në regjistrimin e popullsisë

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq në cilësinë e kryesuesit të Komisionit komunal për regjistrimin e popullsisë ka kontestuar disa të dhëna të...

Bashkimi shkëlqen në kryeqytet, fiton bindshëm ndaj Prishtinës

Bashkimi fitoi ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet me rezultat 73:83 (21:32, 17:13, 19:24, 16:14), në javën e 13-të të ProCredit Superligës. Ndeshja nisi furishëm, me...

Lajmet e Fundit