Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ilir Baldedaj, duke e dënuar me 10 muaj burgim efektiv dhe si dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administrate ose shërbime publike në afat prej 2 vite.
Shpallja e aktgjykimit u bë të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Baldedaj obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
Ndryshe, sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Xheladin Osmani, më 15 janar 2021, i akuzuari Ilir Baldedaj ishte shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për çka ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Baldedaj, akuzohej se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.
Në aktakuzë thuhet se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.
Ndryshe, Ilir Baldedaj edhe në një rast tjetër akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai më 25 maj të vitit 2018, si ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, në rastin ku akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi
She?nim: Personat e pe?rmendur ne? ke?te? artikull konsiderohen të pafajshe?m, pe?rvec? ne?se nga gjykata ve?rtetohet se janë fajtore? me vendim te? forme?s se? prere?.