5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Universiteti i Veriut, me Kushtetutë

RameBuja-ministri arsimitMinistri i Arsimit, Ramë Buja ka deklaruar se është duke bërë përpjekje që Universitetin e Prishtinës në veri të Kosovës ta ‘integroj’ në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe se ky institucion i arsimit të lartë në vendin tonë të bëhet edhe de-fakto pjesë e shtetit të Kosovës.
Ministri Buja në një intervistë për Kosovapress-in, ka thënë se ia ka bërë një kërkesë me shkrim këtij institucioni që t’i pranoj Institucionet e Kosovës dhe ligjet e saj, duke u shprehur se me bojkotimin e këtyre të fundit, më së shumti ka pësuar dhe po pëson ky institucion.

Buja është shprehur se në rast se menaxhmenti i këtij institucioni nuk pranon të bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës, do të pësojë vet më së shumti pasi diplomat e tyre nuk njihen nga asnjë shtet.

‘Ky universitet që nuk e njeh shtetin e Kosovës, ai institucion kthehet përsëri non-grada ose në një institucion të përjashtuar nga mekanizmat e Kosovës. Të gjithë mekanizmat që janë në Kosovë do të duhej ta njohin krejt strukturën ligjore, përndryshe nuk do të jenë ata të cilët do të financohen, do të favorizohen, do të ndihmohen nga institucionet e Kosovës. ..Ata do t’ia bëjnë të keqen vetes nëse ndodh kjo që thoni ju sepse ata diplomat do t’i marrin dhe do t’i mbajnë për kujtim për veten e tyre por jo për të shërbyer për ndonjë institucion kudo qofshin ose edhe për të punuar. Andaj nuk e besoj që ata udhëheqës të atij institucioni, politika që i udhëheq ata të jetë kaq e paditur që të lejoj të bëjë veprime të tilla”, ka thënë Buja.

Ai ka shtuar se nuk ka fare kontakte dhe asnjë lloj raporti me udhëheqësit e këtij universiteti, por ka shtuar se shpreson se një gjë e tillë të ndryshoj sa më shpejtë.

Ministri edhe pse e ka pranuar se ka edhe raste të shumta kur nxënësit dhe shkollat e caktuara në vendin tonë mësojnë me planprograme të Serbisë, ka thënë se një fenomen i tillë po shkon duke u zbehur, pasi në shumicën e rasteve ky komunitet po i bindet dhe po i pranon planprogramet dhe institucionet e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka folur edhe për bartjen e simboleve fetare në institucionet e arsimit në Kosovë, për çka ka thënë se nuk është një vendim i cili do të varët vetëm prej.

Megjithatë, Buja është shprehur se për të marrë një vendim nëse do të lejohet bartja e shamisë në shkolla apo jo, është duke punuar një komision miks i cili në fund do ta jep sugjerimin e tij në bazë të të cilit edhe do të veprohet.

“Është një problem që është bërë më i madh se sa në esencë është. Ekziston një udhëzim administrativ që është bërë që në bazë të atij normaliteti që shkollat laike nuk lejojnë uniformë të caktuar të asnjë nxënësi, të asnjë konfeksioni dhe besimi të caktuar dhe është bërë një udhëzim që është bërë jo në mandatin tim, por një mandat më parë, i ministrit tani më të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por kjo nuk do të thotë se nënkupton kjo. Udhëzimi është në fuqi akoma dhe unë po pres që një komision që do të ndërmjetësohet dhe ndërinstitucional që udhëhiqet nga Qeveria që të jap përgjigjen për këtë gjë se si do të veprohet me udhëzimin dhe me veprimet konkrete në terren dhe unë e bëj ndryshimin pa pikë problemi atëherë kur më thuhet që ta ndryshoj. Unë nuk mund ta bëjë ndryshimin se unë nuk kam disponim apo ka disponim për këtë gjë, por unë kur të marr leje nga ai komision i përbashkët që është bërë unë e bëj veprimin”, ka thënë ai.
Kurse, sa i përket zhvillimeve në sektorin e arsimit të lartë në vendin tonë për këtë vit, Buja ka theksuar se janë bërë vepra të mëdha duke u hapur edhe tri universitete publike.
Ai ka thënë se me këtë vendim, qytetarëve të Kosovës, shkollimi, studimi dhe hulumtimi i është ofruar më afër gjë që, sipas tij, do të ndikoj edhe në zvogëlimin e shpenzimeve për familjet e Kosovës që janë anëtarë të familjes në studime.
Kurse, regjistrimin e numrit të madh të të rinjve në institucionet e arsimit të lartë publik e privat në vend, ministri e ka arsyetuar duke thënë se është ndjenjë e mirë kur të rinjtë dëshirojnë ta avancojnë dijen e tyre.
“Ne parapëlqejmë që interesimi i njerëzve tanë, djemve dhe vajzave tona është për të studiuar dhe për ta avancuar dijen e tyre. Kjo është e mira. Por ne pikërisht për këtë shkak kemi vendos që të mos jetë koncentrimi vetëm në Prishtinë, duke e bërë atë që thamë, të bëjmë shpërndarjen institucionale të atij qëllimi që e kemi dhe Prishtina është shkarkuar tanimë. Dhe sivjet Prishtina ka shpallur konkurs edhe për Mitrovicën, edhe për Gjakovën, edhe për Gjilanin, kjo më nuk do të ndodh sepse besoj që me fillimin e vitit të ri kalendarik, është fjala, ne do të përpiqemi që të realizojmë atë procesin normal zgjedhor brenda këtyre institucioneve të arsimit të lartë në mënyrë që edhe menaxhimi të jetë i mirëfilltë dhe legjitim dhe pastaj të shkojmë me pavarësim të plotë”, ka theksuar ministri Buja.

Ministri i Arsimit nuk ka dashur të flasë shumë edhe për procesin e konkursit të doktoratave në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” në Prishtinë, duke thënë se nuk ka përgjigje shumë të qartë pasi ende nuk e ka marrë asnjë njoftim me shkresë dhe të qartë nga UP-ja se çka ka ndodhur me këtë proces, edhe pse është shprehur se ka dëgjuar nga mediat dhe burime tjera se diçka nuk ka shkuar mirë në këtë aspekt.

Ministri Buja ka premtuar se nëse kanë ndodhur parregullsi në këtë konkurs dhe nëse dikush do të bëjë një ankesë në institucionin e parë në vend të arsimit, inspektorati i tij do të shkoj menjëherë për të parë se si mund të veprohet.
Ndërkohë, i pyetur nëse UP-ja është dëmtuar me staf akademik duke i ofruar mësimdhënësit e tij për universitetet tjera të sapo hapura publike në Kosovë, Buja ka thënë se një gjë e tillë po bëhet me një marrëveshje të deklaruar e cila do të bëhet edhe e shkruar ku profesorët e UP-së do të mbajnë mësim në këto institucione pa i konsideruar si kontratë të dytë këto vende të punës.

Buja ka thënë se shpreson në zgjidhjen e shpejtë të stafit akademik për këto institucione të reja të arsimit të lartë në vend, pasi sipas tij, së paku 600 djem e vajza janë në doktorata në universitete të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët pret që të kthehen, dhe të angazhohen si mësimdhënës në vendin tonë.
Ndërsa, ministri ka folur edhe për rritjen e pagave të mësimdhënësve, gjë të cilën e ka premtuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, për çka ka thënë se do të ndodh qysh në fillim të vitit të ri.

“Besoj e dimë bashkë, sa herë që kryeministri ka premtuar e ka realizuar. Unë jam i bindur që edhe këtë premtim që e ka dhënë do ta realizoj pa asnjë problem sepse janë bërë përllogaritjet, janë bërë gjithë ato që duhet bërë përveç një vendimi që duhet ta marrë Qeveria e Republikës së Kosovës se sa për qind, për cilën kategori do të ketë rritje, akoma se kemi bërë dhe këtë do ta bëjmë me fillim të vitit të 2014. Dhe unë besoj që po kështu nga fillimi i vitit 2014 do të ndodhin këto rritjet edhe për arsimtarët edhe për gjitha kategoritë tjera”, është shprehur Buja.

Ai ka folur edhe për procesin e provimit të Maturës Shtetërore 2013, për të cilin ka thënë se është shumë i kënaqur me suksesin që e ka treguar edhe sa i përket rezultateve të nxënësve por edhe organizimit dhe standardit të tij.
Ndërsa, ndryshimet që janë bërë sivjet në këtë provim, ministri i ka cilësuar si sipërfaqësore, gjë për të cilën ka thënë se nuk e ka ndryshuar rrënjësisht këtë proces, vetëm se i ka përmirësuar disa lëshime apo disa detaje të cilat janë vërejtur se kanë mund të bëhen më mirë.

Kurse, si arritje të kësaj ministrie për vitin 2013, Buja ka përmendur edhe ndërtimin e disa objekteve shkollore në mbarë vendin, përkthimin e 22 titujve të librave botëror të cilët janë siguruar për drejtime të ndryshme të UP-së, vendimin për edukimin mësimdhënësve, me të cilin nga viti i ardhshëm një kompetencë të tillë do ta ketë vetëm Fakulteti i Edukimit i UP-së etj./Kosovapress/

Më Shumë

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Besëlidhja fiton ndaj Bashkimit

Besëlidhja ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 81:77 (19:20, 29:15, 19:19, 14:23), në javën e parë të Ligës Unike. Më të mirët te vendasit...

Lajmet e Fundit