Hetimet në Universitetin e Prishtinës janë zgjeruar edhe në kreun e saj. Tash, Ibrahim Gashi po hetohet për regjistrimet dhe punësimet që kanë ndodhur në kohën e tij. Vetëm në Fakultetin e Mjekësisë jashtë afatit të rregullt në vitin e kaluar ishin regjistruar 618 studentë.
Rektori aktual i UP’së edhe zyrtarisht është vënë nën hetime në lidhje me regjistrimet e shumë studentëve që kanë ndodhur në mandatin e tij.
Po, ashtu, Gashi po hetohet edhe për punësimin e të paktën tetë zyrtarëve në pozita të ndryshme ne UP, duke përfshirë Prokurim, Financa dhe departamente tjera.
Zyrtarë të Prokurorisë Themelore kanë treguar se ndaj Rektorit Gashi kanë nisur hetimet për shkak se evidencat që kanë marrë nëpër Fakultete tregojnë se edhe në kohën e tij janë regjistruar studentë pas afateve.
“Hetimet janë zgjeruar dhe kanë përfshirë edhe Rektorin aktual, Ibrahim Gashi”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në rastin e hetimeve në UP.
Përpos, Gashit, nën hetime si i dyshuar për përfshirje në Grupin kriminal të UP’së është edhe Mujë Rugova, i cili kishte ardhur në krye të UP’së me ndihmën e udhëheqësve të PDK’së,shkruan Express
Rektori aktual i UP’së, Ibrahim Gashi kishte thënë se nëse vetëm një student është regjistruar në mënyrë të paligjshme në kohën e tij do të jap llogari.
Ndërkohë, vetëm në Fakultetin e Mjekësisë në vitin e kaluar ishin regjistruar 681 studentë.