2014-a pritet të jetë viti kur FSK-ja duhet të shndërrohet në Ushtri të Kosovës. Ky është konstatimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës, opozitës dhe ekspertëve të sigurisë.
Udhëheqësit e FSK-së dhe anëtarët e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e kësaj force e kanë vlerësuar të jashtëzakonshme performancën e FSK-së në vitin 2013.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në vitin 2013 ka renditur sukseset e saj në përputhje me misionin që ka pasur. E arritura më e madhe për këtë forcë ka qenë plotësimi i kapaciteteve operacionale, të cilat u deklaruan nga Këshilli Veri-Atlantik i NATO-s në muajin korrik. Edhe në vitin 2013 FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Madje kjo forcë përbën institucionin e vetëm që i bashkon pozitën e opozitën. Të gjithë, përfshirë opozitën dhe njohësit e çështjeve të sigurisë, janë të mendimit se tani ka ardhur koha që kësaj force t’i ndryshohen emri, struktura, misioni dhe të ngarkohet me detyra që kanë të gjitha ushtritë e shteteve demokratike.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, duke e vlerësuar arritje të jashtëzakonshme plotësimin e kapaciteteve, ka thënë për “Epokën e re” se tanimë kjo forcë nuk është në mbikëqyrje të KFOR-it, por në raporte partneriteti. “Padyshim se edhe viti 2013 ka qenë vit i suksesshëm për FSK-në, e cila ka arritur një fazë të sukseseve edhe këtë vit. Mendoj se ngjarja e vitit sa i përket FSK-së është deklarimi i kapaciteteve të plota operacionale nga ana e NATO-s. Pra, vendimi i NATO-s, që ta vazhdojë mbështetjen e FSK-së, duke e themeluar një trup të ri të quajtur Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, krahas ekipit këshillues të NATO-s që është në ministri”, ka thënë Çeku.
Të arritur tjetër ai ka përmendur rolin aktiv dhe konstruktiv që kjo forcë po luan në rajon, duke u respektuar gjithnjë e më shumë nga forcat ushtarake të rajonit si partnere e denjë nëpër konferenca dhe ushtrime të ndryshme stërvitore. Sipas Çekut, në të gjitha këto aktivitete FSK-ja është dalluar për të mirë nga forcat e tjera të rajonit.
Çeku ka shtuar se FSK-ja po e përfundon rishikimin e vet në kuadër të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe është në fund të përmbylljes së procesit për të definuar të ardhmen e vet si forcë ushtarake në Kosovë. “FSK-ja është në përmbyllje të rishikimit, në përmbyllje të definimit të disa të gjeturave nga ky studim dhe në fillim të vitit 2014 do t’ia rekomandojë Qeverisë dhe Këshillit Nacional të Sigurisë se çfarë misioni duhet të ketë, çfarë emri, çfarë strukture dhe çfarë detyra. Krejt kjo do të jetë në përputhje me ato detyra që forcat ushtarake i kanë në çdo vend të pavarur dhe demokratik”, ka thënë ministri Çeku. Ai ka treguar se edhe këtë vit FSK-ja është dëshmuar se është forcë në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke i ndihmuar ata në realizimin e shumë projekteve.
Kastrati: FSK-ja ka qëndruar afër qytetarëve
Pothuajse vlerësime të njëjta ka pasur edhe komandanti i kësaj force, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, i cili ka deklaruar për gazetën se viti 2013 ishte vit i realizimit të objektivave, prioriteteve dhe arritjeve të shumta. “Ky vit është vit i plotësimit të kapaciteteve operacionale, të cilat u deklaruan nga Këshilli Veri-Atlantik i (NATO-s) në korrik të këtij viti, me ç’rast edhe formalisht u vlerësua puna dhe angazhimi i pjesëtarëve dhe lidershipit të FSK-së në ngritjen dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve thelbësore për realizim të misionit. Gjithashtu, edhe gjatë këtij viti prioritet imi ishte ngritja profesionale e pjesëtarëve të FSK-së”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se shumë pjesëtarë kanë kryer dhe po vazhdojnë të kryejnë stërvitje, trajnime dhe shkollime brenda dhe jashtë vendit, nëpër akademitë më prestigjioze të vendeve si SHBA, Turqi, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Kroaci, Holandë, Maqedoni etj. Ai ka treguar se kjo forcë me përgjegjësi të lartë ka vazhduar t’i kryejë operacionet e çminimit, kërkim-shpëtimit, inspektimit të kompanive shtetërore dhe private për rrezikshmëri nga materiet e rrezikshme, vlerësimit të vazhdueshëm të kërcënimeve të mundshme nëpër komunat e vendit. “FSK-ja ka qëndruar afër qytetarëve, komuniteteve, institucioneve dhe organizatave joqeveritare duke i mbështetur ato me projekte të ndryshme humanitare. Ndërtimi dhe meremetimi i rrugëve, urave, shtëpive, pastrimi dhe thellimi i lumenjve dhe zonave të rrezikshme, përkrahja mjekësore e banorëve nga radhët e komunitetit serb etj. ishin prioritetet tona edhe këtë vit”, është shprehur Kastrati.
Edhe opozita krenare me FSK-në
Fjalë të mira për këtë forcë ka folur edhe opozita. Deputetët e partive opozitare, të cilët janë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ndihen krenarë me këtë forcë. Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, ka thënë për “Epokën e re” se FSK-ja është institucioni më kredibil në Kosovë. “FSK-ja ka realizuar objektivat e veta sa iu përket ngritjeve profesionale. Pra, kjo forcë ka treguar performancë të jashtëzakonshme sa i përket opinionit, duke qenë në shërbim të popullit të Kosovës. FSK-ja është institucioni më kredibil në Kosovë dhe me këtë mburremi. E vetmja gjë që ka mbetur pa realizuar është emri i merituar i kësaj force që është Ushtri e Kosovës”, ka thënë Isufi, duke shtuar se me krijimin një politike ofensive dhe me një bashkëpunim shumë më energjik me strukturat e NATO-s do ta mundësonte edhe realizmin e këtij objektivi.
Edhe deputeti i LDK-së në këtë komision, Anton Çuni, ka thënë se ky institucion është më i vlerësuari edhe nga strukturat ndërkombëtare. “FSK-ja është një ndër institucionet që, sipas të gjitha vlerësimeve të autoriteteve ndërkombëtare, ka marrë nota të larta në përmbushjen e misionit dhe në performacën e saj. Po ashtu, kemi pasur rast që FSK-në ta shohim edhe në veprimet konkrete, kur ka pasur nevojë të zbarkojë jashtë vendit siç ishte rastin në Shqipëri apo dhe brenda Kosovës, sidomos në rastet e kërkim-shpëtimit”, ka deklaruar Çuni për “Epokën e re”, duke shtuar se edhe sondazhet e organizatave joqeveritare të bëra me qytetarët e kanë nxjerrë FSK-në si institucionin me prestigjin më të lartë në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se institucionet vendore në bashkëpunim me ato ndërkombëtare duhet ta caktojnë mandatin e ardhshëm të kësaj force. “Kjo varet nga vlerësimi i pranisë ushtarake ndërkombëtare, në këtë rast nga KFOR-i dhe NATO, në bashkëpunim me institucionet e vendit që të japin një mendim se çka të bëhet më tutje me FSK-në. Ne si anëtarë të komisionit jemi në dijeni se është formuar një grup punues për rishikimin strategjik të sigurisë dhe jam i bindur se në vitin 2014 ky grup do të dalë me rezultatet e punës se si e shohin organizimin e gjithë institucioneve të sigurisë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që FSK-në nuk e ka shndërruar në Ushtri të Kosovës. “Sikur jo rrallëherë, edhe kësaj radhe doli që FSK-ja jo vetëm se nuk u bë ushtri, por vetë fjala apo termi ushtri u zhduk nga fjalori i atij që e kishte paralajmëruar këtë gjë. Pra, vetë ministri që e kishte proklamuar se FSK-ja do të bëhej ushtri, i njëjti e hoqi nga fjalori fjalën ushtri”, ka thënë Selim për “Epokën e re”. Sipas tij, është e palogjikshme të flitet për integrimet euroatlantike dhe të mos bëhet FSK-ja ushtri e Kosovës.
“Le të kujtojmë edhe një herë se është joreale dhe hipokrite të flasim për integrimin në NATO nëse njëkohësisht na mungon institucioni mbi të cilin duhej ta mbështesnim anëtarësimin në NATO. Pra, nuk mund të kërkojmë të marrim pjesë nga barra e NATO-s nëse nuk kemi ushtri”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj ashtu siç i kanë të gjitha shtetet e rajonit. Sipas tij, Ushtria e Kosovës do t’i jepte kuptim edhe vetë shtetit të Kosovës. Por, njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, kritikat se pse FSK-ja nuk është bërë ushtri deri më tani i ka quajtur të paarsyeshme. “FSK-ja i ka arritur objektivat që i ka pasur me ligj. Mirëpo edhe kjo forcë është e kushtëzuar edhe prej vlerësimeve të NATO-s dhe pa marrë miratimin e NATO-s, FSK-ja nuk mund të ngritët në detyra dhe obligime e përgjegjësi të tjera jashtë ligjit që i përcaktohen”, ka thënë Maloku.
Maloku është shprehur i kënaqur me dinamikën e zhvillimit të FSK-së. Ai ka thënë për gazetën se tash, pas arritjeve të objektivave që kanë qenë të përcaktuara me ligj, duhet t`i hapet rrugë kësaj force që të ngritët në ushtri. “Meqë FSK-ja i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe objektivat që i ka pasur të përcaktuara me ligjin për FSK-në dhe me Kushtetutën e Kosovës, duhet që Ligjin për FSK-në Kuvendi i Kosovës ta ndryshojë dhe duhet t’i jepen objektivat e tjera të cilat do t’i mundësojnë kësaj force të zhvillohet me një dinamikë tjetër dhe me u ngrit në ushtri”, ka thënë Maloku.
Grupi për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë më së largu deri në shkurt të vitit 2014 do ta prezantojë studimin lidhur me arkitekturën e sigurisë që i duhet Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij procesi gjithëpërfshirës është edhe rishikimi i FSK-së. Ky grup do t’i rekomandojë Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Këshillit Nacional të Sigurisë se çfarë misioni, emri apo strukture do të ketë FSK-ja në vitin 2014.