Autobusët e linjave Prizren-Prishtinë apo të atyre në qytete të tjera më nuk do të lejohen të qarkullojnë brenda qytetit. Këtë lajm e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.
“Qëllimi që arrihet me këtë është se shkarkohet trafiku urban nëpër qytet dhe autobusët me shpejt do të dalin tek lagjja “Dardania” dhe do të vazhdojnë me lëviz për Prishtinë . Autobusët urban të cilët lëvizin nëpër qytet , natyrisht që do të lëvizin dhe do të tentojmë që ata të kenë një frekuencë më të shpejtë të lëvizjes , në mënyrë që të mund t’i transportojnë udhëtarët deri në stacion të autobusëve”, tha për RTK, Shaqir Totaj kryetar i komunës së Prizrenit.
Me këtë vendim pajtohen edhe disa nga qytetarët. “Duhet mu hek , se po bëhen kallaballëk , sidomos qeta muajt e pushimeve që janë. Dikujna i konvenon se , përpara në stacion kanë hyp deri na Bazhdarhan, e qetash në çdo shpi e presin autobusin mu nal”, tha Bedri Sezallari banor i Prizrenit.
Përfaqësuesit e opozitës thonë se, ky vendim është marrë pa asnjë diskutim publik dhe si kuvendarë nuk është i njohur më një projekt të tillë . Sipas tij , ky vendim do të rëndojë në gjepin e qytetarit …
“Neve e dimë që kemi shumë lagje që nuk përshkruhen nga autobusët urbanë dhe kanë përdor linjat e autobusëve ndërurban , tani sigurisht që do të ju kushtojë hallegjinjëve sepse shumë qytetar të komunës së Prizrenit nevojitet të paguajnë autobusë apo taksi shtesë për të shkuar në vendet e punës”, tha Karanfil Haxhillari nga Vetvendosje
Shoqata e Transportuesve e Kosovës, dega në Prizren, është pajtuar me këtë vendim, ndonëse kryetari Sami Gavazaj thotë se i dëmton ata financiarisht.
“Kemi kosto financiare, çdo firmë nër 150 apo 200 euro mujore ka më tepër kilometrazh, nga 5 apo 6 kilometra në ditë ka më tepër, bëni hesap, në 30 ditë i bën 150 kilometra që bëjnë 60 litra naftë e këto bëjnë 100 – 150 apo 130 varet, sa kanë më shumë nisje , por këta pi lejmë me një anë, për hir të komunës, veç të bëhet mirë, pasi po thonë se sipas tyre ne e kemi bërë pengesën më të madhe nëpër qytet”, tha Sami Gavazaj kryetar i Shoqatës ë Transportuesve.
Ndërkohë, Inspektorati i qarkullimit rrugor, bashkë me policinë, do t`i ndihmojnë pjesëmarrësit në komunikacion deri në stabilizimin e gjendjes..
“Po kemi inspektor dhe inspektorët do të jenë gjatë tërë kohës me policinë e Kosovës, në inspektimin e të gjitha linjave që mbarëvajtja të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe udhëtarët të kenë më të lehtë lëvizjen e lirë”, tha Islam Ukimeri drejtor i Inspektoratit.
Nga stacioni i autobusëve do të dalin për t`u kyçur në transitin e ri rreth 120 autobusë, e kjo në fillim paraqet problem, thotë kryetari i Shoqatës së Transportuesve, dega në Prizren, Sami Gavazaj.