AFRIM IMAJ
Të vish në Shqipëri për të montuar një teknologji moderne dhe të shpallesh ‘non grata’ është marrëzi, madje më shumë se kaq”. Me këtë mesazh tronditës do të largohej si i padëshirueshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët njëri nga inxhinierët e “Nobel”-it, që ishte bërë objekt i goditjes së shërbimeve të fshehta. Ajo që kishte ndodhur me të ishte sa e pakuptimtë aq edhe tinëzare.
Mjeksi për inxhinierin e kryqëzuar ‘non grata’, ishte stacioni i fundit në të cilin kishte derdhur talentin dhe mjeshtërinë e lartë për montimin e teknologjisë moderne të eksploziveve. Para tij kishte lënë autorësinë e vet në dhjetëra e qindra komplekse të kësaj natyre në gjithë globin dhe askund nuk kishte përjetuar një ndëshkim të tillë. Madje as në Irak, Iran, Bangladesh e në mjaft vende të tjera, ku bashkë me stafin e tij kishte qenë i detyruar të punonte në situata kërcënuese. Më shumë se dëbimi, për të ishte i rëndë motivi me të cilin duhej të largohej përdhunshëm si agjent i zbulimeve imperialiste me destinimin për të përmbysur pushtetin popullor. Gjithsesi, fakti që nuk ishte i vetëm në këtë rikthim të detyruar, ishte një lloj ngushëllimi për inxhinierin që kishte “lënduar sedrën e njerëzve të sigurimit shqiptar”.
Fshehtësia në të cilën bëheshin këto operacione dëbimi në kohën që po konturohej gjigandi i eksploziveve në vendin tonë, e bënte edhe më misterioze pozitën e personaliteteve shkencore të “Nobel”-it. Të ardhur si miq dhe profesionistë nga më të mirët e botës, duhej të iknin si bukëshkalë e sabotatorë! Metamorfoza e tyre kishte të bënte me paradoksin e praktikave të sigurimit shqiptar që te çdo i huaj kërkonte një agjent e tradhtar që rrezikonte pushtetin e Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës.
Gazeta “Panorama” ka zbuluar së fundi dosjen e shërbimit të fshehtë ku janë arkivuar të gjitha raportet e ekspertëve që kanë vëzhguar dhe ndjekur hap pas hapi aktivitetin e inxhinierëve suedezë në Shqipëri.
Nga qindra faqe me “prapësitë” e tyre të kostatura nga zbuluesit vendas zgjodhëm për të botuar një pjesë të raporteve që Ministria e Brendshme adreson për kreun e Mbrojtjes shqiptare për shkallën e rrezikshmërisë që paraqisnin inxhinierët perëndimorë që punonin në Mjeks. Të anatemuar si agjent, sabotatorë, njerëz të futur nga reaksioni ndërkombëtar, në korrespodencën e ministrit të Brendshëm për kolegun e tij të Mbrojtjes specialistët suedezë rekomandohen për t’u larguar përdhunshëm nga Shqipëria.
Madje, porositet kreu i ushtrisë të hetojë me përgjegjësi pasojat e punës së tyre sabotuese. Në këto materiale tërheqin vëmendjen akuzat absurde të detektivëve të Mjeksit për specialistët e “Nobel”-it, të cilët janë shprehur, se Enveri duartrokitet njësoj si Hitleri, se në Shqipëri që nga viti ‘48 janë pushkatuar mbi 10 udhëheqës kryesorë, se Mehmet Shehu nuk ka vrarë veten, por e kanë vrarë…
DOKUMENTI I: “PËR ENVERIN BROHORITET SI PËR HITLERIN”
Ministri i Punëve të Brendshme
Lënda: Për specialistët suedezë që punojnë në kompleksin 25–75 të Mjeksit Ministrit të Mbrojtjes Popullore, shokut Prokop Murra.
Nga të dhënat e grumbulluara del se specialistët suedezë të firmës “Bofors”, që punojnë në kompleksin kimik 25-75 të Mjeksit në Elbasan në disa raste zhvillojnë veprimtari armiqësore. Kështu, specialisti Bertil Karlsson në një bisede me disa punonjës tanë përkthen në anglisht përmbajtjen e një artikulli të një gazete suedeze, ku flitet për “preokupimin” e suedezëve “mbi studentin e mbetur” pa shkollë e të akuzuar për grusht shteti, për të cilin duhet bërë diçka”.
Në vazhdim, artikulli cilëson rendin tonë si “një nga regjimet më të egra në Evropë dhe jep shpjegim se “që nga viti 1948 janë dënuar 10 udhëheqës kryesorë për grusht shteti dhe si agjent të zbulimeve të huaja”. Po ky specialist, duke treguar një gazetë tjetër suedeze të shoqëruar edhe me fotografinë e armikut Skënder Shehu është interesuar të dijë mbi fatin e tij dhe është shprehur se “më duket abstrakte lidhja e Mehmet Shehut me amerikanët, të cilët mund të mos zbuloheshin vetë, por të vepronin nëpërmjet jugosllavëve”.
Disa nga këta specialistë në bisedë me shoqëruesit ose punonjësit e kompleksit kanë bërë pyetje provokuese për probleme të ndryshme me karakter politik e ekonomik, etj. Kështu specialisti Bertil Karlsson në nëntor 1982, pasi ka parë të kufizuar qarkullimin e njerëzve në zonën rreth Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku do të zhvillohej një mbledhje solemne ka pyetur: “Mos ka frikë udhëheqësi kryesor nga populli apo populli e ka frikë atë?”, ndërsa në një rast tjetër, ka pyetur “çfarë të mirash ka socializmi?.. Pse ti, ku punon më shumë në pronën kolektive apo në atë private? Dhe pastaj, ka vazhduar “…zhvillim pa hapje të por tave”.
Po kështu, specialisti tjetër suedez Bengt Nilsson është shprehur: “Nuk më pëlqen që këtu në Shqipëri, kudo duartrokitet për udhëheqësin kryesor të partisë, pasi dikur po kështu duartrokitej edhe për Hitlerin. Si socializmi, ashtu dhe kapitalizmi janë njëlloj, te ne e merr fitimin kapitalisti, ndërsa te ju shteti… Ju thoni që marksizëm-leninizmi është shkencë, po edhe kjo shkencë është, keni bërë gabim që i kemi hequr institucionet fetare… Këtë e kanë bërë vetë njerëzit me dëshirë apo me diktat nga lart? A ka te ju demokraci të vërtetë? A lejohet te ju që dikush po të dëshirojë të dali jashtë shtetit për qejf, pasi dhe kjo është një formë lirie e nevojshme për njeriun”.
Punonjësit tanë në çdo rast, karshi këtyre shprehjeve të specialistëve të huaj, kanë mbajtur qëndrim të drejtë dhe iu janë kundër atyre në bazë të mësimeve të partisë sonë. Megjithëkëtë kemi mendimin që me këta punonjës që kanë kontakte pune me specialistët suedezë, duhet bërë një punë e veçantë ideopolitike në drejtim të rritjes së vigjilencës së tyre ndaj propagandës borgjezo-revizioniste, ashtu dhe mbajtjen e qëndrimeve korrekte ndaj specialistëve të huaj, në përputhje me normat e moralit tonë.
DOKUMENTI II: “MEHMET SHEHU NUK VRAU VETEN, POR E VRANË”
Ministri i Punëve të Brendshme
Raporti i datës 13 maj 1983 që ministri i Brendshëm i dërgon ministrit të Mbrojtjes.
Nga tërësia e masave të marra për kontrollin e specialistëve të firmës suedeze “Bofors”, që punojnë ne kompleksin 25-75 në Mjeks të Elbasanit rezulton se disa specialistë zhvillojnë veprimtari armiqësore në formën e spiunazhit, propagandës kundërrevolucionare. Më i dyshimtë është përgjegjësi i grupit të specialistëve dhe i punimeve, inxhinieri Bertil Karlsson, i cili që nga muaji janar i vitit 1982 ndiqet si kuadëri zbulimeve të huaja.
Nga të dhënat del se Bertili bën përpjekje të grumbullojë të dhëna të karakterit sekret, veçanërisht në drejtim të aftësisë mbrojtëse. Konkretisht, është interesuar për objektet ushtarake në Krastë të Elbasanit, në afërsi të Aeroportit të Rinasit përreth kalasë së Petrelës, për moshën dhe kohën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe të rezervistëve, për mundësinë e prodhimit të avionëve dhe për tipat e avionëve luftarakë që disponohen. Interesimin e ka shtrirë deri në sistemin e burgjeve, për punën që kryejnë të dënuarit etj, si dhe janë fiksuar tendencat për të studiuar pozicionet reciproke midis Pallatit të Brigadave, Selisë së Komitetit Qendror të Partisë e varrezave “Dëshmorët e Kombit”, midis kompleksit të Mjeksit dhe Qafë-Kërrabës, etj.
Bertil Karlsson, krahas veprimtarisë së spiunazhit ka zhvilluar e vazhdon të zhvillojë agjitacion e propagandë të mprehtë armiqësore. Në mënyrë të veçantë, ai vihet në mbrojtje të armikut Mehmet Shehu dhe për këtë problem ai herë pas here servir artikuj gazetave të ndryshme perëndimore, ku shtrembërohet përmbajtja denoncimit të bërë nga partia jonë për vetëvrasjen e këtij armiku dhe bën aluzion se nuk ka vrarë veten, por e kanë vrarë të tjerët dhe se duhet të jetë agjent i amerikanëve.
Këto i mbështet, sidomos në artikujt e agjencisë angleze “Rojter”, të gazetës jugosllave “Komunist”, e botuar në gazetën greke “Athmes News//” dhe të gazetave të perëndimit. Veprimtaria e tij sabotuese, si inxhinier elektrik dhe përgjegjës i grupit përqendrohet në formën e zvarritjes në mënyrë të ndjeshme të ndjekjes e zgjidhjes së problemeve elektrike, të cilësisë së dobët të mjaft makinerive e pajisjeve dhe në frenimin e specialistëve të tjerë suedezë për të na ndihmuar në dhënien e njohurive për problemet teknologjike.
Përveç të tjerave evidencohet fakti ai ka zvarritur zgjidhjen përfundimtare të problemit të avullit të nevojshëm në kompleks, duke nxjerrë fajtor dy punonjës të ISPVM, për të cilët pretendon se kanë gabuar në dhënien e parametrave të nevojshme për projektimin e kaldajave. Specialisti Bengt Nilsson, inxhinier kimist në laborator in e kompleksit ka arritur të mësojë e komunikojë shqip me punëtorët dhe është vërtetuar se ka prurë vazhdimisht revista perëndimore me përmbajtje pornografike e me përshkrime e fotografi të jetës e modës perëndimore.
Në kontaktet me punonjësit e laboratorit të kësaj vepre zhvillon agjitacion e propagandë të mprehtë fetare, i kundërvihet hapur teorisë marksisteleniniste, vë shenjën e barazimit midis socializmit në Shqipëri e kapitalizmit në Suedi, mohon ekzistencën e shfrytëzimit të krizave, të inflacionit e papunësisë në vendet perëndimore, si dhe i kundërvihet figurës së udhëheqësit të partisë e dashurisë së madhe të popullit ndaj udhëheqësit. Veprimtaria sabotuese vërehet edhe te specialisti Ulf Aneheim, inxhinier kimist, i cili ka zvarritur punimet dhe në disa raste ka bërë përpjekje të lërë pa zgjidhur probleme të ndryshme teknike e teknologjike të linjave të ndryshme dhe ka insistuar t’u imponojë specialistëve tanë që t’i merrnin në dorëzim këto linja, pa i ripunuar defektet e pa i vënë në gjendje pune, por nga specialistët tanë nuk është pranuar.
Për figurën e dyshimte te Karlssonit dhe të specialistëve të tjerë hedhin dritë edhe tre turistë suedezë të Shoqatës së Suedi-Shqipëri, të cilët pasi kanë dëgjuar propagandën të disa specialistëve suedezë të kësaj vepre, kanë thënë: “I hiqni këta specialistë, sepse ata e sidomos përgjegjësi i tyre është fashist i tërbuar”. Në përbërjen e specialistëve suedezë ka edhe elementë që mbajnë qëndrim të mirë dhe bëjnë përpjekje jo vetëm të nxjerrin me cilësi, por janë dhe të predispozuar të ndihmojnë punonjësit për përvetësimin e teknologjisë. Midis të tjerëve është Karl Arkelius, që punon me cilësi, kritikon me këmbëngulje rastet e mungesës së disiplinës në organizimin teknik të punës, punimet në cilësi dhe qëndrimet e veprimet e përgjegjësit të grupit. Njëkohësisht, shpreh mendime pozitive për politiken e partisë e të shtetit për udhëheqjen, për mikpritjen shqiptare propagandon drejt shfrytëzimin kapitalist në Suedi e në Evropë, dhe pa raqet imperializmin amerikan si burim të të gjithë të këqijave, si nxitës të lustrave lokale, si autor të grindjeve e vështirësive në vende të ndryshme të botës, etj.
Nga analiza e të dhënave arrihet në përfundim se veprimtaria armiqësore e këtyre specialistëve ka filluar qysh në Suedi, e shprehur kjo me mungesën e predispozicionit për t’u dhënë njohuritë e nevojshme grupit të specialistëve tanë, që u dërguan në Suedi, gjë të cilën e kanë pranuar edhe vetë përgjegjësit e firmës, duke premtuar se mangësitë e këtij specializimi do të plotësoheshin gjatë ardhjes së tyre në Shqipëri, por siç rezulton, puna dëmtuese prej disa specialistëve suedezë është thelluar gjatë kohës së punës në kompleksin e Mjeksit.
Organet e sigurimit në të ardhshmen do të thellojnë punën për të zbuluar e parandaluar veprimtarinë armiqësore të këtyre specialistëve në këtë objekt. Njëkohësisht, mendojmë se duhet të rriten përpjekjet e specialistëve tanë që jo vetëm të respektohen grafiket e punimeve sipas marrëveshjeve, por të kontrollojnë nga afër me përgjegjësi punën e specialistëve suedezë dhe të marrin me cilësi të lartë çdo lloj punimi në këtë kompleks të rëndësishëm.
DOKUMENT III: “SUEDEZËT PO HELMOJNË SPECIALISTËT TANË”
Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë
Tepër sekret Lënda: Mbi veprimtarinë armiqësore të specialistëve suedezë në bashkëpunim me disa nga inxhinierët shqiptarë për sabotimin e kompleksit 25-75. Siç ju kemi informuar edhe me shkresën numër 1224, grupi i specialistëve suedezë, me në krye përgjegjësin e tyre vazhdon nga veprimtaria armiqësore, këtë radhë hapur fare. Nga sa na informojnë bashkëpunëtorët tanë në terren, ata kanë bërë për vete edhe një pjesë të madhe të inxhinierëve tanë, kryesisht të atyre që janë kualifikuar në Suedi.
Ka ardhur një moment që pas thirrjes që i kemi bërë në degën e punëve të brendshme njërit prej tyre, duhet të operojmë menjëherë. Së pari, duhet të operojmë me specialistët tanë, të paktën të marrim si të pandehur ndonjërin prej tyre, i cili vazhdon të shoqërohet me ta, duke demonstruar te ta edhe pakënaqësitë që ka ai vetë, për vetë biografinë e keqe politike që posedon.
Një goditje e tillë mendojmë se është e domosdoshme. Përsa i përket procesit teknologjik, në linjën e nitroglicerinës dhe një sabotimi të mundshëm që mendohet të bëhet aty kemi porositur informatorët për ta ndjekur situatën nga afër e për të na informuar rregullisht. Sidoqoftë duhet të bëjmë ndonjë goditje për të forcuar situatën.
Apeli për djalin e Kryeministrit të vetvrarë: “Shpëtoni studentin e përjashtuar”
“Si mund të lihet një student pa shkollë pse i kanë dënuar babanë, qoftë ky edhe djali i Kryeministrit”. Kështu shprehet në një artikull të një të përditshmeje suedeze, në vitin ‘82 inxhinieri Karlsson, duke raportuar nga Tirana ku kishte ardhur të punonte për impiantet e Mjeksit.
Për të është absurde fajësia që i adresojnë një studenti për grusht shteti. Mashtrim e quan në këtë shkrim Karlsson versionin zyrtar të Tiranës komuniste për vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Shpëtojeni studentin e përjashtuar nga universiteti në Suedi!, thërret ai.
Po kush e dëgjoi zërin e tij?! Sigurimi e kishte sjellë me urgjencë Skënder Shehun nga Suedia dhe e kishte prangosur si puçist.
“Paska qënë ferri vet”, inxhinieri që iku pas mesnate
Njëri nga profesorët e “Nobel”-it, inxhinieri që udhëhoqi montimin e impiantit të Nikoglicerinës, është larguar i revoltuar në mesnatë, pasi bëri 24 orë në qelitë e degës së Brendëshme të Elbasanit. Granit Leka ish kryeinxhinieri i Kombinatit të Mjeksit dhe një nga konstruktorët e tij, e veçon këtë episod nga sjellja paradoksale e autoriteteve të sigurimit të shtetit me specialsitët e “Bofors”, si më flagrantin.
“Më kujtohet si tani rasti i ndalimit arbitrar të tij në degën e punëve të brendshme të Elbasanit, shprehet ai. Një pasdite kur po relaksohej në zonën e ullishteve të qytetit me një aparat fotografik në dorë, do të binte pre e operativit të zonës, i cili në mënyrë brutale do ta thërriste në raport në zyrën e tij duke e akuzar se po fotografonte bunkerët për tua shitur imperialistëve. Një polic i rëndomtë do të shpallte kështu të padëshirueshëm një nga inxhinierët më të famshëm të botës. Kjo do ta xhindoste pamasë “mysafirin” dhe do të kërkonte që atë mbrëmje për tu larguar urgjent nga ky ferr siç u shpreh ai pasi doli nga zyra e parandalimit të komisariatit të Elbasanit”.
Ndodhte kështu me ata korifejtë e teknologjisë moderne të eksploziveve, që pranuan të punonin gjithë përkushtim në ngritjen e kombinatit modern të Mjeksit dhe merrnin si shpërblim largimin përdhushëm. Paradoksale vërtetë, po kështu, fuziononte asokohe shërbimi i fshehtë që kërkonte armiq e sabotatorë te çdo i huaj që e zine hera në vendin tonë.