Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për të dy të dyshuarit për sulmin në Banjskë.
Një muaj paraburgim për Dejan Maksimoviçin për sulmin në Banjskë
(E plotësuar, ora 12:00) Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarin Dejan Maksimoviç.
Përfundon seanca dëgjimore ndaj dy të dyshuarve për sulmin në Banjskë
(E plotësuar, 11:40) Ka përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë.
Gjatë kësaj seance është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve, teksa pritet të merret vendimi.
Dy terroristët serbë të arrestuar në Banjskë sillen në Gjykatë
(E plotësuar ora 10:00) Dy terroristët e arrestuar në veri të Kosovës sot janë sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Së shpejti për ta pritet të fillojë seanca për të dyshuarit për krime të rënda ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sot mbahet seancë për dy të arrestuarit pjesë e grupit terrorist (Ora 06:52)
Sot në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca edhe për dy të pandehurit pjesë e grupit terrorist serb në Banjskë, të cilët të dielën sulmuan Policinë e Kosovës, e për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndryshe mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën paraburgimit për të arrestuarin Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.