6.8 C
Prizren
E premte, 1 Nëntor, 2024

Zbulohet letra e rrallë e Nexhmijes për Enverin, si i raportonte e spiunonte krerët kryesorë të Partisë Komuniste

Si i raportonte e spiunonte Nexhmije Xhunglini te Enveri, krerët kryesorë të Partisë Komuniste dhe Qarkorit të Tiranës e Durrësit?-

Për sa i përket Qarkorit Komunist të Tiranës, që ishte dhe më i madhi në vend gjatë Luftës, duket se Enver Hoxha nuk kishte besim tek askush, përveç se tek “Delegatja”, (pseudonimi i Nexhmijes), e cila ia transmetonte të gjitha, ç’ka ndodhte në këtë qarkor. Ishte “Delegatja”, ajo që i dërgonte proces-verbalet e mbledhjeve, si dhe të dhëna mbi aktivitetin e karakterin e gjithsecilit. Nga ana tjetër, duket se Enver Hoxha, deri në këtë moment, nuk pyetej shumë nga ana e komunistëve të qarkorit, për dhe vetë faktin, që ishte i detyruar të infiltronte “Delegaten”, për të marrë të dhëna, për krerët kryesorë të Partisë Komuniste e Qarkorit të Tiranës dhe Durrësit.

Letra e datës 14.10 1943, është vetëm një nga letrat informuese që Nexhmije Hoxha, asokohe Xhunglini, i dërgonte Enverit, që nga bazat në Tiranë. Aty jepen me detaje të dhëna, mbi karakterin e gjithësejcilit, natyrisht me pseudonime. Përmenden në këtë letër, Liri Belishova, Gogo Nushi, Abdyl Këllezi, Kozma Nushi, Nako Spiru, Ymer Dishnica, Kiço Ngjela, Ramadan Xhangolli, Drit Çaushi, Shahin Ruka, Skënder Çela, Anastas Plasari, Qazim Vaqarri, Zeqi Agolli, Niko Opari, Bardhyl Mano, Fatbardha Toto, Qazim Çakërri, e të tjerë. Letra është e gjatë, dhe në të përmenden aktivitetet komuniste e antifashiste, që zhvillohen në Durrës dhe në Tiranë.

Megjithatë, bie në sy fakti se komunistët e Tiranës, mundoheshin t’i shmangeshin Nexhmijes, ndoshta për vetë faktin, se e dinin që raportonte tek i fejuari i saj, i cili nuk është se shihej me sy të mirë nga Qarkori Komunist i Tiranës. Në letër, shpjegohet dhe kundërshtimi i komunistëve të Tiranës, për të vrarë Anastas Palsarin. Nga ana tjetër të bie në sy dhe fakti, se Nako Spiru, i flet Nexhmijes, siç thotë ajo; “ka ca shejtanllëqe dhe fjalë që s’më pëlqejnë”. Më poshtë po japim të plotë transkriptimin e letrës, që Nexhmija i dërgon Enverit.

Letra e Nexhmije Xhunglinit, për Enver Hoxhën, më 14 tetor 1943

“I dashur shok,”

Duke dashur të të shkruhej gjatë e gjerë, mbi sa më kërkon, nuk po mund të të shkruaj, as shkurt. Prap sot, nuk po mundem të të raportoj gjatë, pse, edhe ne kemi patur punë (ashtu nga ato punët tona ma) dhe kemi qenë të zënë, ditën e natën. Ditën që mora letrën tënde, porsa kisha ardhur nga Durrësi. Ndenja atje dy net dhe mblodha Qarkorin e Rinis, një konferencë të gjerë me përgjegjësit e rinis të qarkut të Durrësit dhe mblodha dhe një këshill grash, që qe atje.

Shokët e Qarkorit të Rinisë atje, qenë të mirë, por me pikëpamje organizative të dobëta. Sekretari politik, i ngathët dhe nuk e drejtonte dot mbledhjen. Ishte dhe shoku “Iso”, (Kozma Nushi, shënimi ynë), por nuk mori pjesë në diskutime, si edhe shokët e tjerë të qarkorit. Gati sa s’më çoi në celulën e shoqeve, pse unë i kisha thënë të përgatiste mbledhjen e këshillit, që të mos vonohesha, aj e kishte marrë vesh gabim.

Një pjesë e madhe e rinisë, asht largue nga Durrësi në rrethe dhe nuk kishin mundur ta organizonin akoma. Por, shpërndarja e lëndës propagandistike dhe puna nat pak popullsi që ka mbetur, nuk asht lanë. Gjithashtu janë largue edhe gratë, prandaj paraqitet e zorshme dhe e pamundshme, formimi i këshillave antifashiste të gruas dhe rinisë, në bazë të mëhallëve. Të rinjtë e konferencës, dukeshin të gjallë, megjithëse s’folën shumë. Shokët kanë vullnet dhe po të drejtohen mirë dhe t’u ndahen detyrat mirë, mund të shkojmë më përpara.

Kuadrot janë të pakta. Lidhjet me Partinë, kanë qenë mirë. Kontaktet kanë qenë të shpeshta. Shoku “Iso”, ka marrë pjesë shpesh në qarkor të rinisë. Qëndrimi i rinisë, në ditët e kapitullimit të Italisë, ka qenë shumë i mirë dhe aktive. Ka marrë nja 200 pushkë, 300.000 mijë fishekë dhe ca mitraloza. Isha një darkë te Dr. Zazani, mikut tënd. Kish dëgjuar që ti ishe fejuar dhe u interesua, në isha unë shoqja tënde. U gëzua dhe më foli mbi jetën tuaj në Francë. Të bën të fala bashkë me Leostën.

Këtë javë, kemi pasur mjaft mbledhje e konferenca dhe mbledhje e përgatitje natën, prandaj nuk kam mundur të të raportoj, pse sigurisht nato orë të lira, nuk isha në gjendje të bëj “ty” një raport, pse duhet ta mendosh mirë njëherë. Dhe përgjumësh, s’guxoja të të shkruaj, pastaj kam qenë edhe pak e pamundur, pasi kam pasur dhimbje koke, si një vjet më parë. Këtë nuk ta them që të më falësh, ose të më mishërosh, pse un jam si “thanë”, e fortë (megjithëse nuk është e bukur) dhe jo gjithmonë e marrë, që të mërzitem. Po ta them që tashti, se që të të shkruaj njëherë në tre ditë, do të mundohem, por nuk të siguroj, se më duket zor. Pastaj, ç’taksirat të inatosesh çdo tre ditë, vetëm nga unë. Ma mirë të mos i dish disa gjëra. (Kët mos e merr seriozisht, se unë do të shkruaj gjithë sukseset dhe budallallëqet tona, unë si trembem kritikave, sido që të jenë, në daç kalibrit të rëndë, ndaç të lehtë).

Po t’i dërgoj dy proces-verbale te mbledhjeve të fundit të qarkoreve të partisë. Po t’i dërgoj, pse m’i kërkon, po nuk mund të kuptosh shumë gjëra, pse gjatë mbledhjeve seksioni organizativ, ban mbledhje dhe neve e vizitojmë në Shtëpinë e Bardhë. Veç ngjet një gjë, mbasi janë këtu shoku “Deti” (Nako Spiru), e “Doktori” (Ymer Dishnica), shumë herë s’na pyesin shumë, dua të them bisedojnë e marrim vendime e kështu mbetemi jashtë. Prandaj po su solle rreth bazës ku janë ata të dy, ose të mos pyesësh, s’merr vesh se ç’bëhet brenda në organizatë.

Mbledhjet e qarkorit janë bërë në 10 ditë. Kanë marrë pjesë dhe shoku “Deti”, ose Dr., ku janë punue dhe qarkoret që ka dërguar K. Q. i Partisë. Jashtë mbledhjeve me kontakte të veçanta, asht bisedue mjaft për çështje të organizatës dhe të qëndrimit të situatës. Sigurisht “Deti” të ka shkruar mbi zhvillimin e gjendjen politike këtu. Dallavere po luan shumë, por me sa shoh unë, nuk jemi mbytur. Deri tashti e kemi timonin mirë në dorë, duhet veç tashti e gjithmonë më shumë, të qëndrojmë në këmbë që fronti i jonë dhe organizata e partisë, të rritet gjithmonë, të duket gjithmonë forca e saj.

Duhet vazhduar sistematikisht demaskimi i Ballit dhe i partive të tjera që po lindin dhe gjithmonë më i fortë, deri sa të çahet. Me gjithë se një pjesë e popullit, ose që mos të akuzojmë popullin, një pjesë e intelektualëve spektatorë, po na e heqin veshin, ose po na e thonë me ngadalë, që të na zbusim, duhet të vazhdojmë gjithnjë dhe më fortë ndërmarrjen që muerën, pse Balli e ndjeu veten shumë të tronditur dhe nga ana tjetër populli, duhet një çikë të mësohet, me qëndrimin e këtyre kalbësirave.

Duket përfituar nga kontradiksionet e tyre brenda, për t’i ndarë, si p.sh. ata të Vlorës, janë t’ indinjuar për lidhjen e Lurës, pse janë demek antizogistë; rinia e Ballit, qenka e dëshpëruar nga kompromisi, ose e dëshpëruar nga vëllavrasje, etj., dhe bëjnë sikur janë gati për tu ndarë, për të formuar Partia Social Demokratike, biçim, dhe që do të bashkohen me ne. Por ne një gjë dimë, që e mësuam, që ata janë gjithnjë dakord, të na luftojnë ne, qoftë pse janë reaksionarë, qoftë pse po u ikin kolltukët.

Po mundohem të na kopjojnë ne, kanë plan të formojnë njësite qyteti dhe po mundohen të formojnë dhe këshillat e mëhallëve, pse e kanë ndjerë humbjen në mëhalla. Por nuk do të kenë sukses. U bëmë për tu ruajtur edhe nga Balli se nga agjentët e kuesturës dhe spiunët s’kemi frikë më se na ndjekin, u ka hyrë tartakuti.

Me formimin e seksioneve, sigurisht do të mund ta sundojmë gjendjen më mirë, pse puna asht zgjeruar shumë dhe s’po i bënim ballë dot. Tashti, jo vetëm s’na del më koha të këndojmë raportet në qarkor si përpara, me gjithë se seksioni organizativ, i shqyrton ato shumë më pare, prapë mbledhja e qarkorit, nuk na mjafton t’i rrahim gjithë çështjet gjatë dhe ashtu siç duhet. Siç do ta shikosh dhe në proces-verbale, pikat e fundit shkurtohen, propozimet s’janë të shumta dhe disa herë mungojnë, pse nga mëngjesi na këput gjumi.

Tashti po e ndjejmë se ç’don me thënë me drejtue. Shokët e qarkorit, kanë kuptue rolin e drejtimit të sektorit që u është caktuar dhe po mundohen ta organizojnë, sa më gjerë e më fort. Shoku “Hysen’ (Gogo Nushi), e ndjen pulsin e organizatës dhe asht i vetmi që e ndjek organizatën, në gjithë sektorët. Drejton mirë mbledhjen e qarkorit, veçse ngul shpesh këmbë, në mendimet e tija. Sigurisht edhe punën e hamallëkut, nuk e ka lënë fare. Sikur “Hyseni” të fliste pak dhe të lidhte mejtimet, do të qe më i mirë, dua të them më i vlefshëm. Nuk hap dot gojën në konferenca, si mbledhja e aktivit të partisë që bëmë këtu, kurse në qarkor flet.

“Rosho”, ka marrë përgjegjësi ushtarake, prandaj efektivisht aj, si sekretar organizativ, nuk asht se i ka lënë celulat dhe nuk i kontrollon, as celulë të tijën s’ka. Në mbledhjen e qarkorit, ndërhyn fare pak dhe disa herë, e zë gjumi që në fillim. Duket i lodhur, mbase vjen pse ka qenë dhe i sëmurë disa kohë. Ka një të metë, që e dëmton mjaft. Është konfuz dhe ngatërrohet, shpesh herë në punë e humb mendjen, dua të them se nuk e ka mendjen fare, në atë që i thua, ose që e pyet. Unë nuk kam besim shumë të këshillohem, ose të marr një vendim bashkë me të.

Pse ai në fillim, është në kulm të entuziazmit, e pas pak, të jep përshtypjen e një të dëshpëruari. Në një moment thotë, ia thyem surratin ‘Ballit Kombëtar’, në një tjetër thotë, ‘Balli Kombëtar’ ka 200 të rinj në Tiranë! Në një kohë thotë, se është i mbaruar ky ose ai atentat, kurse ai vonon një javë, 10 ditë, ose dështon fare. Mbase s’ka faj aj dhe e vërteta asht, se s’ka shumë, por faji është, se e bën punën të mbaruar. Veçse kur i bëhet kritikë, e pranon.

Faktikisht punën e sekretarit organizativ, e bën shoku “Kila” (Kiço Ngjela) dhe punon mirë dhe pa u lodhur. Mban lidhje vazhdimisht me celulat dhe i kontrollon ato. Bashkë më “Hysenin”, pothuajse për çdo javë, u bën celulave qarkore dhe komunikime me shkrim. Besoj se, të ka dërguar ndonjë. “Dyli” (Abdyl Këllezi), punon me nacionalistët dhe sipas raporteve të shokëve, punon mirë dhe u rri pranë. “Dyli” është shok i besuar dhe serioz në punë. Kam besim, se do të bëhet shok i mirë. Skënderi, (Çela), është pak skolastik dhe frazeolog. Ka teknikë dhe nuk po e vërtit dot mirë dhe përsosur. Ka jashtë qarkorit shok, që mund ta bënin më mirë punën e tij, si anëtar qarkori. Vetëm ka vullnet për punë, por s’di të rregullohet mirë. Shahini (Ruka), është shok punëtor dhe i heshtur. Veç është shumë pesimist, për njësitet aj, mbase na transmeton pesimizmin.

Sa për “Delegaten”, mbasi më në fund. mezi ju mbush mëndja se duhet të ngrerë një çikë zërin më shumë, në qarkore ka filluar të flasë pak më shumë. Mbase se ndjen vetën në naltësin e përgjegjësive, që i ka ngarkuar partia, po mundohet t’i arrijë dhe ka besim se do t’ia arrijë, pse vullneti nuk i mungon, ashtu siç nuk mund t’i mungojë, çdo komunisti. Mundohet shoqja “Delegate”, të nxjerri shumë, pse sektorët janë shumë të gjerë, po mbase i mungon taktika, për ta zgjidhur më lehtë çështjen. Shënohen disa përparime “alla volturua” dhe ka shpresa, sidomos nëse do të ketë sulme të vazhdueshme, nga fronti i Arbanës.

Seksionet që kemi ndarë, sigurisht kanë filluar punën disi dhe besoj se do të ndihen edhe përfundimet. Organizata shtohet përditë dhe megjithëse janë larguar shokë, n’anë të ndryshme, kemi 18 celula me 120 anëtarë. Çdo javë paraqiten shokë për parti, sigurisht jo me dhjetëra. Shokët e partisë politikisht, qëndrojnë fare mirë dhe gjithë direktivat e Komitetit Qendror të Partisë, janë pritur mirë dhe i kanë hyrë kuptimit të tyre. Mbi qëndrimin me ‘Ballin’, asnjë dyshim ose hezitim në radhët e partisë, jo vetëm, por në radhët e simpatizantëve të partisë, grupeve edukative, si edhe në rini. Sigurisht, dy a tre simpatizantë, ose të rinj, nuk ngrenë kundra. Të pazhvilluar mjaft politikisht, kuadro shumë të reja, por ka vendosje dhe dashuri për parti. Elementi i ri, që ka hyrë në parti, është shumë entuziast për punën e partisë dhe mundohet të krijojë punë.

Është zgjerue agjitacioni, por organizativisht, nuk asht bë aq sa mundet të bëhet. Ka mundësi të përparosh me 100 km. në orë, ne ecim me 50. Këtë e them, për sa i përket brenda organizatës sonë. Ka një lëvizje të gjerë masash. Shokët e partisë punojnë dhe e vënë në lëvizje këtë masë. Janë pothue të gjithë, të okupuar në punë. Ka 60 njësite që i mbledhin shokët. Kanë organizuar konferencat e mëhallave. Kanë ndihmuar lëvizjen e shpërndarjen e lëndës propagandistike, mbledhin në rregull grupet e edukative dhe disa kanë dhe punë të tyre. 50 prej shokëve, janë shumë të mirë dhe dinë të komunikojnë mirë. Njëherë tjetër, mund të bëj tabelën për gjithë shokët, cilësitë e tyre dhe punën. Gjithashtu dhe klasën e tyre, se sot nuk jam në gjendje të ta bëj.

U formua Këshilli Nacional-Çlirimtar i Tiranës, me një kryesi prej 9 veta dhe dy janë përfaqësues të gruas dhe të rinisë. Janë 4 anëtarë partie, 3 deri në 4 grupista dhe të tjerët nacionalçlirimtarë të mirë. Konferenca qe prej 39 veta dhe u bë gjithë ditën. Janë të entuziazmuar dhe kanë filluar të punojnë. Ndjehet një lëvizje e gjerë në mëhalla. Ndjehet puna e jona. Nga konferenca të gjera, janë zgjedhë 29 këshilla mëhallësh dhe zyrash. Janë bërë dhe konferenca me element neutral, për t’u skjaruar.

U formua Këshilli Antifashist i Bashkimit të Rinisë së Gruas, prej një konference prej 58 veta, u zgjodh një këshill i gjerë prej 25 veta që do të zgjedhë dhe kryesinë prej 9 veta. Janë zgjedh 5 anëtarë partie, të tjerët janë grupistë shumica, një pjesë n-çlirimtare të mira dhe tre katër, pak të lëkundshme për qëndrimin tonë të ashpër. Janë caktuar seksionet. Ndihmat këtë muaj janë trefishuar, por fushata e leshit dhe ushqimit, nuk ka shumë sukses.

U formua Komiteti Antifashist i Rinisë së Tiranës. Një konferencë delegatësh të rinj prej 36 veta, zgjodhi komitetin prej 9 veta dhe dy ndihmsa, katër anëtarë të qarkorit të rinisë, tre të rinisë sonë dhe dy antifashistë, tre e katër vajza dhe 5 djem. Janë formuar 22 këshilla rinie, në mëhalla. Janë bë dy konferenca të gjera, për formimin e shoqnisë së re dhe prej njërës, doli dhe këshilli që mori pjesë në konferencë. Jemi në formim të shoqërisë sportive. Maksimumi i konferencës, ka arritur në 100 zgjedhës.

Kanë marrë pjesë në zgjedhje, 1600 e ca të rinj e të reja. Por, mund fare mire, që organizata e Bashkimit të Rinisë Komuniste, të përmbledhë 3 mijë të rinj, por të rinjtë tonë, nuk e kanë kuptuar mire, që duhet të marrin pjesë të gjithë në konferenca, një pjesë tjetër, nuk kanë mundur që të vinë. Tashti këshillat do të regjistrojnë, si me thënë, të rinjtë e mëhallëve dhe të zhvillojnë vazhdimisht konferenca, nëse armiku do të na lejë rehat.

Janë formuar kurse të ndryshme në mëhalla dhe kanë filluar funksionimin, sidomos ato të infermierisë, e analfabetizmit. Kanë dezertuar nga ‘Balli’, nja 6-7 të rinj dhe të reja dhe kanë marrë pjesë në mbledhjet e mëhallës, bile një grup, kanë bërë një deklaratë të ashpër, kundër ‘Ballit Kombëtar’. Bile dhe në këshilla, kanë marrë pjesë elementë që të paktën, favorizonin parullat e ‘Ballit’. Rinia komuniste sigurisht, ka qenë zjarri i mëhallës. Edhe qarkori i rinisë, ka qenë në lëvizje.

Tashti që rinia asht me 9, pse Zeqiu (Agolli), që shkoi në Dibër bashkë me dy shokë të tjerë, u larguan. Efektivisht tashti, jemi 8, se Liria (Liri Belishova) asht e sëmurë nga syri. Jemi mbledhur rregullisht dhe kemi pasur mjaft gjëra për të organizuar. Shokët dhe shoqet punojnë mirë. Shoku Niko, (Opari) sekretari organizativ, është aktiv dhe i rri afër rinisë dhe e kontrollon dhe e drejton atë.

Veç ka disa pikëpamje të ngushta organizative, por ka fituar eksperiencë të mirë në rini dhe e njeh të tërë rininë. Ka maninë të monopolizojë punën dhe po s’ja kujtove, që duhet të këshillohet dhe të vendosi bashkë me mua, të rrëshqet, hap letra dhe u përgjigjet, pa u kujtuar të m’i përcjelli mua. Shoku Driti (Çaushi), asht shok i mire, që punon pa llafe shumë. Interesohet shumë për rininë. Shoku Qazim (Vaqarri) asht pak dembel dhe i rëndë. S’merr pjesë në bisedime në qarkor dhe s’është shumë i lidhur.

Nuk e di se pse dhe si, u fut në Komitetin Qendror të Rinisë dhe bile, unë s’kisha dijeninë më të vogël, veç kur erdh në mbledhjen që kishim, ku qe Xhakua (Ramadan Xhangolli). Pieroja gjithashtu, interesohet dhe punon me sa i mundet. Asht shok i ri dhe do bëhet i mirë. Shoqet dhe ato punojnë mirë. Sektorët e vajzave, kanë pasur mjaft përparime dhe ecën në rregull. Shoqja Naxhije (Duma) që punon me vajzat e Institutit, kupton shpejt atë që i thua. Ndihet te ajo, zhvillimi që ka bërë nga hyrja në parti. Do bëhet një shoqe e mirë, veç asht e penguar sot për sot, nga familja.

Fatbardha Toto “Gjirokastritja” punon pareshtur me vajzat e shtëpisë, megjithëse e sëmurë. Ka vullnet në punë dhe aftësia, sidomos për rininë, nuk i mungon. Liria (Belishova), është një nga shoqet dhe shokët më të kjartë dhe të zgjuar. Ajo shoqe rritet çdo ditë dhe do bëhet një shoqe e vlefshme për Partinë. Punon mirë më pionierë dhe merr pjesë aktive në diskutimet e qarkorit. Harrova edhe shokun “Lola”, (Bardhyl Mano), punëtorin, jo pse asht punëtor, po mbasi ky asht pak i shkëputur nga rinia, pse asht shumë i zënë nga partia. Asht shok i mirë dhe punëtor, i kuptuar, por i pazhvilluar mirë, jep shpresa të mira.

Unë nuk kam shumë kohë, t’i kushtoj rinisë. Vetëm kam shkuar në konferencat që kemi zhvilluar, kam lidhje me edukatoret dhe tashmë së fundi dhe me bërthamën e studentëve. “Deti” jep mendimin, që unë të largohem nga qarkori i rinisë, që të mund t’i kushtohem më shumë sektorit të grave. Por mua, s’më vjen mirë, pse më është e dashur puna me rininë dhe efektivisht, unë shkëputem nga rinia, pse si anëtare e Komitetit Drejtues të rinisë, unë s’po bëj asgjë.

Rinia këtu, i ka shtuar radhët dhe po i shton vazhdimisht, por jo aq sa të mund të shtoheshin këtu në Tiranë. Duke llogaritur rininë, që asht larguar në gjithë qytetet e tjera e çeta, rinia komuniste e organizuar këtu, e ka kaluar 1000. Ka përgatitur kuadro të rinjsh dhe pothuaj në gjithë qarkoret e rinisë në Shqipëri, ka anëtarë dhe sekretarë organizativë të rinisë të Tiranës. Këto kohët e fundit, nga largimi i elementit të mirë në qytetet e tjera, Dibër e çeta, asht ndje dobësia e kuadrove, sidomos në rininë studenteske.

Ka një të mirë rinia e këtushme, pse ka mundësi të zëvendësojë punën e atyre që largohen dhe ka mundësi, të ngrihen kuadrot e reja. Që nga konferenca e Vendit e aktivit të partisë, i kemi dhënë partisë; 38-40 anëtarë. Që të gjithë, vetëm me një përjashtim, janë ngritur mjaft, janë aktiv dhe janë shumë të vendosur. Vetëm rinia punëtore, është mjaft ulët politikisht dhe organizativisht. Janë të zënë me punë private, u mungon zhvillimi që të ngrihen shpejt dhe ne kemi bërë gabimin që në këtë sektor, kemi lënë të punojnë shokët më të dobët të qarkorit, punëtorët, dhe ata nuk e kanë vërtitur dot.

Kemi bërë ndonjë të re të punës dhe besojmë se do të ketë përfundime të mira. Rinia asht agjitatore e mirë dhe e palodhur. Asht halë në sy për ‘Ballin’ dhe armikun. Ta marrësh në përgjithësi, bëhet mjaft punë…! Po të shohësh n’organizatë, gjen mjaft gjëra që s’ecin. Ka mungesa në mbledhjet e aktivit, nuk punohet ashtu siç duhet në rini dhe ajo që çalon më shumë, janë grupet edukative, që si mbledhin në rregull. Tashi kemi formuar 6 kurse teorike, me nga 13 veta në çdo sektor dhe do t’i drejtojnë 6 shokë partie.

Përfundimet, do t’ua komunikojmë. Tirana ka 27 njësite, disa prej tyre janë shtuar, por nuk janë të gjithë aktivë, siç duhet. Nejse, jemi duke formuar bindje, se do të shkojmë mirë. Mobilizimi në rini, mbasi janë përjashtuar ato të njësiteve, nuk ka pasur sukses shumë, as në rininë e organizuar, as në rininë antifashiste. Fushata po vazhdon. Rinis këtu i pëlqen, të rrijë në Tiranë, pse s’ka hëngër dru të fortë prej shumë kohe.

Tash para disa ditë, bëmë një konferencë prej 50 e ca të rinj, përgjegjës të organizatës së rinisë këtu dhe erdhi shoku “Deti” që i zhvilloi konferencës dhe shoku Dr. (Ymer Dishnica). Të tilla konferenca, i vlejnë rinisë. Organizuam teknikën e rinisë. Kemi dy poligraf, e 6 makina daktilografie. Janë rregulluar dhe ekipet e teknikës. Të shohim si do të punojë. Kemi lëndë të gatshme në letra dylli, si “Gruaja sovjetike”, “Socializmi në shoqërinë e re”, përmbledhja e librit Nëna.

Punë, ka mjaft për të bërë. Financa e rinisë, asht shtuar për çdo muaj. Arrin në 16.000 fr. Për rrethet, po mendojmë pak më shumë tashti. Janë dërguar, si nga rinia skuadra, si dhe shokë partie, për të organizuar këshillat. Në fund të këtij muaji, rinia ka mundësi t’organizojë Këshillat Antifashistë të saj dhe më 5 nëntor, kemi lënë të zgjidhet komiteti i qarkut, nga një konferencë prej 100 e ca delegatë. Nuk janë plane këto, se e kemi punën në terezi. Terreni për organizimin e Rinisë Antifashiste ish i përgatitur.

Më thonje, të të shkruaj gjerë e gjatë, për punën në parti e rini, me sukseset e të metat. Gjatë të shkruajta, po gjithë të metat e sukseset, nuk t’i thashë. U lodha dhe s’mund të të shkruaj mbase, gjëra të kjarta. Të shkruaj herë tjetër. Pyet për marrëdhëniet e shokëve këtu, me njëri tjetrin. Un nuk jam në gjendje, të të jap gjëra të sakta dhe të drejta. Un, vërtet kam qenë shpesh nga baza e tyre, por kam kaluar andej për punë që kam pasur dhe nuk kam mundur të vë re shumë gjëra dhe nuk kam qenë prezent gjithmonë, në bisedimet që bëjnë ata. S’kam gjëra konkrete, por kam përshtypje.

Për sa i përket marrëdhënieve të “Roshos” me “Detin”, un’ nuk kam vënë re. Në qoftë se harron diçka që i porositet, se besoj ta bëj me ndonjë prapamendim. Por që lidhjet e “Roshos” me Dr., janë më koridale si të thuash, më shumë me shaka, se punë, kjo duket. Si “Roshua” dhe “Hyseni” vijën bisedojnë me “Detin”, këshillohen dhe “Hyseni” më shumë me “Detin”. “Deti” me punën e tij, ka mundur ta fitojë autoritetin që i mungonte te “Hyseni” e “Rosho”, ti, e mban mënd opinionin e “Hysenit” për “Detin”, kur doli nga burgu, tashti e tutje, po i hap sytë më shumë.

“Deti” punon mjaft. Bën mbledhje vazhdimisht me shokë t’organizatës dhe ka shkruar. Ai është i zgjuar dhe shikon mirë përpara dhe nuk ashtë aq pesimist, si më përpara. Tjetër punë, se ka disa shejtanllëqe, e fjalë të çuditshme, që s’më pëlqejnë. Bashkëpunimi i “Detit” me Dr., asht i mirë. Un’ s’kam vu re gjë. Dr. ka bërë mbledhje me nacionalistët, por nuk e çan kokën shumë më duket. E shoh shpesh të rrijë pa punë, pa shkruar. I’a përton më shumë të shkruarit, se sa të folurit…!

Në konferenca ka folur gjatë dhe mirë dhe simpatia e tij këtu, po shtohet. Asht popullarizue shumë në rini e në popull, si orator i mirë. Dhe si “kokë”. Me gjithë se, siç mendoj unë, pozita e tij, tashti asht e vështirë pak, pse raportet, letrat i drejtohen “Detit”, në aktivin e Partisë këtu, drejtimi qe i “Detit”, prap ai nuk e bën veten, kam bindjen se e çmon atë dhe këshillohet. Kam përshtypjen se, ka më shumë konsideracion për gjykimin e “Detit”, se sa tëndin…!

Aj, çmon vullnetin tënd, por p.sh.: Kur ti dërgove qarkoren e Komitetit Qendror të Partisë, për dezaprovimin e Konferencën e Mukjes, në muhabet e sipër, më tha: “Duhet studiuar më mirë rrethanat, në të cilat u zhvillua, sigurisht po të jesha atje, d.m.th., së bashku me shokë në Komitetin Qendror, nuk do të gaboja dhe unë”! D.m.th., atë që bëri ai, mund ta bëje edhe ti.

Pastaj tha; edhe atë që të thashë në Labinot, që nuk është një gabim i madh fort, etj., por edhe u tha shokëve, që un do t’i jap hesap Komitetit Qendror dhe ju, me lidhjen tuaj, jepni mendimin tuaj. E vërteta është, se para se të nisesh Dr. për në Mukje, kur unë i thashë të mos e marrë “Hysenin”, aj më tha: “Duhet ta dish shoqe, këtu është punë koke, përgjegjësia është e madhe. Dua të kem 2 a 3 shokë të këshillohem”.

Ç’e do se edhe këshilltarët ranë brenda. Aj e ndjen tashti, gabimin që ka bërë, e që na ka kushtuar mjaft. Por Dr. është një natyrë, që nuk e mërzit veten shumë, të paktën kështu len me kuptue nga jashtë. Në kohët e para, qe shumë i mërzitur, sigurisht Dr., asht një shok që s’ka se si të mos e ndjejë, përgjegjësinë e tij. Për sa i përket konspiracionit, asht lëshuar fare.

Un, kam frikën se do ta pësojmë, me kaq lëvizje që bëjnë, në shtëpitë ku vemë. Më shumë se nga vëzhgimi i policisë, më shumë nga kontaktet e ndryshme dhe njerëz që s’dinë se çdo me thënë konspiracion. Më shumë se nga spiunazhi, nga naiviteti, mund që të zbulohen bazat…! Por “bereqavesën” që s’ka reaksion, por edhe me këtë, e kemi lëshuar shumë litarin.

Për, gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave, un ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar “Deti”, ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s’kanë besim që ta kem raportuar drejt çështjen e A. P. (Anastas Plasarit), e të tjerëve, prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të pa drejtë, me gjithë se un, ua parashtrova atë që u raportova juve. Me gjithë se s’më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qenë un, që u thashë që ta sjellin A. P. atje, por un thashë atë që më thatë, por pasi nuk pranuan, unë bëra gabimin që aprovova mendimin, që mund të vijë A. P. tek ju.

Me gjithë atë, mua s’më vjen keq, mund të thuash ç’të duash për mua. A u lodhe duke lexuar gjithë këtë gazetë, mos më mallko veç, sa për të share, sa të duash. Dhe një gjë që duhesh në fillim, por isha duke shkruar, kur mora vesh se Qazim Çakërri, u plagos rëndë. Kish 4-5 ditë, që e ruanim. Mbas dite, afër shtëpisë tënde dhe në rrugë, mund te shkolla, kur qe me 3 vetë tue shkue, e qëlluan, ç’e do që s’ka vdekur ala. Edhe Mustafa Kruja na shpëtoi. Atentati ka bërë shumë përshtypje”./Memorie.al

Më Shumë

Çeku: Në Prizren gjatë këtij mandati kemi investuar mbi 4.5 milionë euro

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku gjatë ditës së shtune bashkë me kryeministrin Albin Kurti, vizituan tri shtëpi të restauruara së fundi në Prizren. Lidhur me...

Paraburgoset i dyshuari që sulmoi gruan, gjyqtarin dhe gjeodetin në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit R.B., i cili thuhet se ka...

Lajmet e Fundit