13.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

Kush ishte Esat Pashë Toptani?

Autor: Sheradin Berisha

Esat Pashë Toptani ka lindur në vitin 1863 në Tiranë. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Esati meqë ishte rritur në Tiranë, me kohë e kishte zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, dhe duke qenë në shërbim të guvernatorit të Durrësit, Hafiz Pasha, ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte të bënte çfarë të donte pa u dënuar.

Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në
Janinë.

Esat Pasha, përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi merrte prej secilit 25 lira turke.

Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rushfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke
nxjerrë përfitim nga gjithçka.

Më vonë Esat Pasha u transferua në Shkodër, me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Nga pozita që kishte ai, bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë së tyre mund ta shqetësonin.

Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës, sepse, duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit; kjo
ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.

Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esat Pashën në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Sulltan Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit.

Esat Pasha, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Sulltan Abdyl Hamitit, me fitoren e xhonturqëve u vu në shërbim të tyre. Esati shkoi në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit „Bashkimi dhe Progresi“( bëhet fjalë për Komitetin „Bashkim e Përparim“ – Sh.B), dhe, thuhej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qëndrimet e përulura dhe premtimet e rreme i dhanë Esatit mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të
Gjirokastrës për Parlamentin Osman.

Madje, Esati, duke mbajtur një qendrim servil ndaj padronëve të vet, u caktua edhe si anëtar i delegacionit që do t’i njoftonte Sulltan Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij.

Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit ishin në pushtet; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve.

Pikërisht në këtë kohë (janar 1912) të këtyre ndryshimeve, Esat Pashë Toptani hyri në lidhje me përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe mori pjesë në mbledhjen e Taksimit në Stamboll që e kryesoi Ismail Qemali, ku u vendos për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, kundër perandorisë osmane. Kur kryengritësit shqiptarë, dolën fitimtarë në Shkup (Korrik-Gusht 1912), dhe arritën ta shpërbënin Kuvendin turk, duke e përgatitur kështu formimin e qeverisë në krye me Myftar Pashën, Esat Pashë Toptani u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër./PrizrenPress.com/

Nesër:

Kush e vrau Hasan Riza Pashën dhe në ç’rrethana iu dorëzua Shkodra ushtrisë malazeze nga Esat Pashë Toptani?

 

 

Më Shumë

Punimet në sheshin “Shatërvan” të Prizrenit, përfundojnë së shpejti

Projekti i sheshit "Shatërvan" në Prizren deri më tani ka shpenzuar rreth 2 milionë euro. I gjithë projekti i nënkalasë ishte paraparë të përfundojë...

Vetëvendosje zhvilloi takim me banorët e fshatit Gjonaj të Hasit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka organizuar një takim me banorët e fshatit Gjonaj të Hasit, ku diskutuan mbi zhvillimet politike aktuale në vend. Kliko videon: https://www.facebook.com/watch?v=917978133581555 Kryetari...

Lajmet e Fundit