7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Për të ekzaltuarit dhe të mërziturit nga takimi i Prizrenit

MeroBaze-gazetarMero Baze

Mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive shqiptare në Prizren është mbështjellë nga një jonosferë të ekzaltuarish dhe të mërziturish, të cilët edhe pse i kanë arsyet tërësisht politike, përpiqen t’i drejtohen patriotizmit dhe historisë. Mbledhja, e cila shpresoj të konsolidojë një normalitet të komunikimit mes dy qeverive, ishte historike sa i përket kronologjisë, pasi ndodhte për herë të parë, por nuk ka pretendimin të hyjë në histori. E vetmja gjë që duhet të stabilizohet në historinë tonë, është normaliteti i bashkëpunimit të fortë dhe dialogut të hapur mes dy qeverive për të formuar një treg efiçent shqiptar dhe për t’i zhdukur barrierat e komunikimit ekonomik, kulturor dhe politik.

Të ekzaltuarit nga mbledhja, që e cilësojnë historike pasi po bashkon qeveritë e dy vendeve, përfshi dhe simbolika e Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, janë një teprim i panevojshëm. Komunikimi mes Tiranës dhe Prishtinës në nivel qeverish ka pasur defekte të vetat nga interferencat politike, por dhe nga përpjekja e Tiranës për paternalizëm ndaj Prishtinës. Mbledhja e përbashkët dhe komunikimi i mirë politik mes Thaçit dhe Ramës sjellin një shans për të konsoliduar një traditë, që në të ardhmen duhet të tejkalojë dhe nuancat politike të ndryshme, nëse ekzistojnë. Pra, qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duhet të sillen si të barabarta me njëra- tjetrën dhe efiçente duke komunikuar direkt. Kjo do të ishte një pasuri për qeverisjen dhe një përgjegjësi reale për dy shoqëritë. Për 15 vjet, qysh nga viti 1999 kur Kosova fitoi lirinë, komunikimi Tiranë- Prishtinë ka qenë herë i dominuar nga klientelizmi dhe herë nga paternalizmi si kulturë politike e Tiranës. Arritja reale është normaliteti i takimit mes dy qeverive. Përtej kësaj, nuk ka asgjë historike apo patriotike në këtë histori. Nga aftësia që do të dëshmojnë për të ruajtur këtë komunikim normal, do të matet nëse ka diçka historike në këtë traditë. Ndrysh mund të ngelet thjesht një uikend në Prizren.

Por më të çuditshëm janë të mërziturit nga kjo nisëm, të cilët më së shumti gjejnë arsye tek shuma e vogël e ofruar për Preshevën apo mungesa e së njëjtës vëmendje për Maqedoninë apo Malin e Zi.

Kapja me shumën është fyese pasi qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë ndërmend të jenë dhe qeveri e Preshevës. Ata kanë bërë një gjest humanitar dhe kanë mbajtur një premtim, por ndihma e vërtetë do të jetë presioni mbi qeverinë serbe për të drejtat e Luginës dhe jo ndonjë “Plan Marshall” i qeverive shqiptare për Luginën.

Pakënaqësia për shumën më kujton ish- socialistët shqiptarë të vitit 1991, që e sulmonin vizitën e Bejkerit në Tiranë duke pretenduar se ai na solli 6 milionë dollarë për 3 milionë shqiptarë. Në të vërtetë ai na solli SHBA në Tiranë, i cili vazhdon të jetë aleati më i madh i Shqipërisë deri më sot. Edhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive nuk do shpëtojë dot as financiarisht dhe politikisht Preshevën, por është një garanci e vëmendjes së qeverive shqiptare ndaj shqiptarëve të mbetur nën Serbi, që janë të vetmit shqiptarë të papërfillur politikisht në rajon. Mbledhja në një farë mënyre u çoi banorëve të Luginës, prezencën e dy qeverive shqiptare, e cila vlen më shumë se 100 mijë euro.

E vetmja vërejtje që të shkakton humor ishte ajo e Sali Berishës, i cili me sa duket ndjehet keq që për herë të parë komunikimi normal mes dy qeverive po vendoset pasi doli ai në pension. Duke qenë i pafuqishëm ta kundërshtojë këtë zhvillim, ai kishte gjetur si problem datën. Është nga të paktët ish- komunistë që vazhdon ta kujtojë 11 Janarin si festë të Republikës Popullore, dhe kishte gjetur të mërzitej pikërisht për këtë shkak. Mendo sikur të kishte ndodhur që mbledhjen ta kishte hapur dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, që për koincidencë e ka emrin Enver Hoxha. Do të ishte e vetmja gjë që mund ta kishte bërë të lumtur në një ditë që duket sa hipokrit ka qenë me Kosovën.

Më Shumë

Sonte dueli i madh, Fury – Usyk

Sonte është një duel i zjarrtë për ardhuruesit e boksit. Tyson Fury  do të përballet me Oleksandr Usyk rreth orës 23:00. Ukrainasi është kampion i...

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

Lajmet e Fundit