3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Biseda pas 42 vjetësh me shokun tim, Qemaledin Hismanin

 

Shkruan: Prend Ndoja, SHBA

Si e njoha Qemaledinin! Një dëshmi se shqiptarët i bashkon kombi dhe tiparet kombëtare

Para disa ditësh më erdhi një mesazh në telefon: – A je ti shoku im, Prend Ndoja? E lexova tekstin që vinte nga një emër i panjohur, që quhej Mali. I përgjigjem: -Po, unë jam Prend Ndoja! Ngaqë nuk e njihja, nuk i shkrova se unë jam shoku i juaj. Urdhëroni! -ia ktheva. -Unë jam Qemaledin Hismani,- më shkroi ai. Për një moment mbeta i shokuar. Atë njeri e kisha kërkuar shumë herë, por ngaqë ai e kishte përdorur shkurtesën e emrit të tij në rrjetet sociale, nga Qemaledin në Mali, nuk kisha mundur ta gjeja.

U gëzova pa masë kur e pashë që me të vërtetë ishte shoku im. E thirra menjëherë në telefon përmes “Messenger”-it. Ato ditë ai po qëndronte në Gjermani për një vizitë. Përshëndetja dhe biseda filloi me plot emocione. Pasi i dhamë njëri-tjetrit një biografi të shkurtër të jetës aktuale, iu rikthyem së kaluarës. Biseda ishte shumë e ngrohtë dhe vëllazërore, saqë i ngjante ditëve kur ishim të dy bashkë në një ndër kazermat më të mëdha të ish-Jugosllavisë së fillimviteve 80-të. Biseduam për sfidat e kohës, por në mes tyre edhe për humorin dhe të qeshurat që na gjallëronim në mes atij pellgu vuajtjesh.
Si e njoha Qemaledinin! Një dëshmi se shqiptarët i bashkon kombi dhe tiparet kombëtare
Ngaqë nuk e njihja gjuhën serbokroate në atë kohë, që nga fillimi kisha mbetur si i humbur në mesin e gjithë asaj ushtrie.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ditët e para veproja duke i përcjellë veprimet e shumicës. Në korridoret e gjata ishin të renditur vitrina nga metali që mbanin rrobat e çdo ushtari. Aty ishin emrat e personit që i posedonte rrobat e tij. Një ditë i shikova të gjitha vitrinat me qëllim që të gjeja ndonjë person të përkatësisë sime kombëtare. E gjeta emrin e një shqiptari që quhej Abdullah, me origjinë nga Podujeva. Në pamje dukej një burrë i gjatë e shumë i vendosur. Ai e kishte mbaruar kohën e shërbimit ushtarak shumë kohë më parë. Të gjithë gjenerata e tij ishin liruar, ndërsa atë ende e mbanin; e mbanin si të dyshuar apo siç i quanin në atë kohë, si irredentist. Nuk fliste shumë. Ishte i matur, dukej njeri me një përgatitje të lartë shkollore. Zakonisht rrinte në një korridor afër një dritareje dhe në heshtje nga aty e shikonte natyrën. Një ditë e pyeta, pse zakonisht qëndroni në të njëjtin vend pranë dritares. Sytë iu skuqën e me një buzëqeshje të lehtë m´u drejtua: Kur kam ardhur këtu, këta lisa nuk kanë pasur gjethe.

Pranvera i mbushi me gjethe. Gjethet ranë prapë. Pranvera i mbushi prapë më gjethe të reja, e gjethet ranë prapë. Pranvera i mbushi prapë me gjethe të reja, e unë ende jam këtu e i shikoj nga kjo dritare dhe nuk e di kur do të më lirojnë. Nuk e kam merakun tim, por të familjes, sepse ata janë shumë të shqetësuar për rastin tim. Më kaploi dhembje shpirtërore dhe ai e vërejti që po ndihesha keq. Në atë moment, ai u tregua më i qëndrueshëm se unë. Më këshilloi që të kem kujdes, sepse ti je rishtas këtu, më tha. Ngaqë lëvizjet e tij ishin në kontroll 24 orë, ai qëndronte më i distancuar dhe shumë i kujdesshëm për çdo fjalë që fliste.

Unë vazhdova korridoreve të gjeja prapë ndonjë emër tjetër të ndonjë shqiptari. Pas një kërkimi, atë ditë i gjeta edhe dy emra tjerë, Qemaledin Hismani dhe Fetah Ahmetaj. I lumtur që gjeta shqiptarë, shkova menjëherë dhe i takova. Nga aty, si tre vëllezër, mbetem të pandarë në gjashtë muajt e parë të shërbimit ushtarak. Shumë shpejt, pa e bërë asnjë të keqe, ne ishim bërë halë në sytë e eprorëve, por edhe të ushtarëve. Ne, të treve, bashkë na zbardhte dita dhe bashkë na errte nata. Bashkë luanim futboll, bënim ushtrime fizike, këndonim e më së shumti i këndonim këngët e Shkurte Fejzës që ishin jehonë e muzikës së asaj kohe… Gjersa ata të tjerët këndonin në gjuhën e tyre, edhe kënga shqipe jehonte pa u ndalur. Çdo gjë para të tjerëve e bënim me fanatizëm pozitiv, për ta ngritur lart nivelin e krenarisë sonë kombëtare. Dalloheshim qartë për guximin, harmoninë dhe atmosferën vëllazërore e kombëtare që e kishim krijuar, Ata, përpos urrejtjes, na e kishin edhe lakmi qëndrimin tonë. Tentonin përmes mënyrave të ndryshme të na ndanin, që pastaj të na mposhtnin më lehtë.

Bazuar në kujtimet e së kaluarës, Qemaledinin e njoh si një burrë me skelet të fortë, që nuk thehet, edhe pse i ri në moshë, jeta e kishte kalitur dhe burrëruar para kohe. Ishte i qëndrueshëm si shkëmbi dhe besnik, shqiptar dhe atdhetar i vërtetë. Kam shumë dëshmi të qëndrimit të tij burrëror, por dua ta veçoj një rast, kur mua më qëndroi pranë si vëlla i vërtetë.

Një ditë, unë dhe Qemaledinin ishim ulur në një kënd të oborrit të kazermës, i stërmbushur me mijëra ushtarë. Nga larg e vërejta një dhjetar me origjinë kroate, i cili, nëse nuk gaboj quhej Jozef. Ai po vinte drejt nesh. U afrua afër 3-4 metra dhe u ndal. M´u drejtua në emër dhe më shau rëndë në baza kombëtare e tjera. Kjo më erdhi si një shkrepëtimë nga reja në ditë të kthjellët, pa asnjë shkas tjetër, veç se isha shqiptar. U ngrita me shpejtësi ta kapja, por më iku. Vrapova pas tij dhe, pak para se të hynte në një portë të eprorëve, iu hodha si rrufeja përmbi, e shtriva përtokë, pa i dhënë kohë as për një reagim apo lëvizje…Të gjithë të tjerët kishin mbetur të ngrirë, ishte e pazakontë të rrahej eprori ushtarak! Nuk dija nga t´ia mbaja pastaj. Ndihesha si të isha në mes krokodilëve, që nga çdo anë mund të më kafshonin. Kur e ktheva kokën, e pashë Qemaledinin i cili qëndronet pranë meje, e vetmja mbështetje ishte Ai. M´u duk si një Diell në atë moment. Më mbante me fjalë të mira e burrërore: -Prend, për çdo gjë jemi bashkë dhe nëse do të na ndodhë më e keqja, do të na ndodhë bashkë. Kuptohen pasojat që vazhduan pas kësaj…!

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Qemaledini është vëllai i mirë, që e njoha në ditë të vështirë. Nga drama të tilla del në dritë se kush është vëllai i vërtetë për shqiptarin. Në mesin e mijëra të tjerëve të besimeve dhe kombeve të ndryshme, ne na bashkonte gjaku i pastër shqiptar. Ai nga Ilirida e unë nga Dardania. Jam i lumtur që pas 42 vjetësh, tani e di që Qemaledini është mirë dhe së bashku me bashkëshorten janë punëtorë të arsimit. Fëmijët të shëndoshë e të shkolluar. E ndjeva obligim ta falënderoj dhe ta përshëndes shokun dhe vëllain tim nga Ilirida e Tetova – Qemaledin Hismanin.

Më Shumë

Mbi 1 mijë e 700 tiketa trafiku shqiptoi policia gjatë një dite

Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 746 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 36 aksidente me...

Nis Fest 63 në RTSH, 15 artistë prekin sot skenën magjike

Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e natës së parë të FEST 63 në RTSH që do ngjisë në skenë artistë të ndryshëm,...

Lajmet e Fundit