2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Teatri quhet Eksperimental, Mihal Luarasi: Ç’do të thotë?!

79264Shndërrimi i Teatrit të Komedisë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është pritur me rezerva nga artistët. Profesor Mihal Lurasi, një prej emrave më të njohur të skenës, tha dje për “GSH” se nuk ka dhënë mendim për këtë çështje pranë Ministrisë së Kulturës. Anëtari i bordit të këtij teatri tregohet tejet skeptik për fushën e re në të cilën ai do të veprojë. “Ka qenë Bashkim Hoxha, Bujar Kapexhiu dhe unë që u morëm me përcaktimin e linjave artistike të këtij teatri dhe strukturën organizative”, thotë Lurasi. Pyetjes se si e ka pritur emërtimin e ri, (çka nuk është thjesht emërtim) i përgjigjet në këtë mënyrë: “Emërtimi i ri është i mirë nëse kemi parasysh që do të mbajë emrin Kujtim Spahivoglit. Ai ka qenë regjisor i shquar. Ndërsa këtë pjesën tjetër nuk e kam fort të qartë”.

Luarasi, vlerëson disi idenë që skena e tij iu dedikohet të rinjve. “Nga ana tjetër, unë s’e kuptoj ç’domethënë teatër eksperimental. Pavarësisht njohurive të mia për artin në disa vende të botës, nuk e kam të qartë se ç’shfaqje do të ketë ky teatër me emrin e ri që do mbajë. Mbase një shpjegim më i hollësishëm për të, do të na ndihmojë. Duhej të ishte shpjeguar më mirë”, – shënon profesori.

Ndërkaq, ai bën me dije se nuk është bërë pjesë e konsultimeve më Ministrinë e Kulturës për ndryshimin e Ligjit të Artit e Kulturës, ligj nga i cili ky teatër lindi pothuaj dy vite më parë. Ndryshimet e bëra publike dy ditë më parë nga ministrja Mirela Kumbaro kanë qenë surprizë për Luarasin. “Unë nuk e di se cilët kanë qenë artistët që i kanë sugjeruar ministres këtë ndërhyrje. Unë nuk jam pyetur si anëtar i bordit. Teatri nuk ka artistë, pasi ata që kanë punuar në shfaqjet e tij janë marrë me kontrata”.

Reagimi i ministrisë
Për mënyrën e funksionimit të teatrit, “GSH” pyeti në Ministrinë e Kulturës. Këshilltarja për median e Kumbaros, Milena Selimi tha dje se teatri do të vijojë të mbetet kombëtar. Sipas saj, teatri eksperimental është konceptuar si një teatër ku shfaqjet do jenë të disallojshme, sa u takon zhanreve që do të thotë se: mund të ketë të ketë shfaqje në kërcim, e alternativa të tjera artistike. “Janë disa alternativa të artit skenik. Është një qasje e re me shfaqje që sjellin muzikë, kërcim, por edhe komedi”, – sqaroi Selimi. Sipas saj, një vëmendje e veçantë do të duhet t’i jepet të rinjve dhe artit që ata do të sjellin në skenë.

Drejtoria e teatrit
Me Kumbaron në krye të Kulturës është folur së tepërmi për të rinjtë, angazhimin e ndihmën ndaj tyre për t’i afruar me artin. Kësisoj, ministria që ajo drejton ka propozuar riemërtimin e Teatrit të Komedisë si Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Sipas saj, ky është një vlerësim i merituar (pas vdekjes) që i bëhet figurës së Kujtim Spahivoglit, “Artist i Popullit”, si personi që ideoi, krijoi dhe drejtoi “Teatrin e të Rinjve” pranë Institutit të Lartë të Arteve. Duket se ky do të kthehet në një fole të kontributeve të të rinjve, tashmë me një formë të re aplikimi.

E ndërkohë që ministrja Kumbaro u shpreh se ia kanë kërkuar vetë artistët ndryshimin e bërë. I pyetur nga “GSH”, drejtori i Teatrit të Komedisë, Kastriot Çipi dy ditë më parë është shprehur se ministrja e ka thirrur në zyrë për t’ia komunikuar këtë vendim, por jo për ta pyetur. “Më thirri në takim dhe më tha se ç’vendim kishte marrë. Unë i thashë hapur që jam kundër. Nuk më është marrë mendim as mua e as bordit. Ne do të kemi një mbledhje me bordin për çështjen dhe më tej do të dalim me një deklaratë të përbashkët”, pati sqaruar Çipi për “GSH”.

Ndërkohë, në profilin në “Facebook” të këtij teatri shkruhej: “Më 18 nëntorin e shkuar ndodhi i vetmi takim i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, me komunitetin e artistëve të teatrit. Shumë kritika u bënë në drejtim të Teatrit Kombëtar, asnjë në drejtim të Teatrit të Komedisë, i cili madje disa herë u përdor si shembull i mirë. Sot, pas dy muajsh mësojmë se komuniteti i artistëve paska kërkuar ndërrimin e emrit të Teatrit të Komedisë në Teatër Eksperimental dhe pyesim veten dhe Ministrinë e Kulturës se cilët janë këta artistë, ku dhe kur ka ndodhur ky takim i ri, në të cilin nuk është ftuar askush nga artistët e Teatrit të Komedisë. Mbetemi me shpresë tek zotimi i zonjës ministre për transparencë të plotë”.

Më Shumë

Aulona Muhadri shpallet basketbollistja më e mirë e vitit 2024

Aulona Muhadri u nderua me çmimin 'Basketbollistja më e mirë e vitit 2024' në ceremoninë Laureatët 2024, për performancën e saj të shkëlqyer me...

Parashqevi Simaku me këngë për Krishtlindje

Artistja shqiptare, Parashqevi Simaku së shpejti do të vijë me një këngë. Kështu ka bërë të ditur bznesmeni Elton Ilirjani për Top Story, duke theksuar...

Lajmet e Fundit