Në njërën prej kafiterive më të frekuentuara të Prizrenit, “Corner”, flamuri i ri i shërbimit është Flamur Berisha, i cili ushtron zejen e kamerierit me pasion dhe angazhim të palodhur. I buzëqeshur dhe gjithmonë plot dashuri për punën që bën, ai është një shembull i rinisë që e do dhe e vlerëson vendin e tij.
Flamuri, duke shërbyer çdo ditë në këtë kafiteri të njohur, ka një apel të fortë për moshatarët e tij që janë jashtë Kosovës: “Kthehuni në atdhe, sepse jeta në Kosovë ka kuptim dhe mundësi për një jetesë dinjitoze.” Ai gjithashtu lavdëron pronarin e kafiterisë “Corner” për korrektësinë dhe mundësinë që i jep atij të zhvillohet profesionalisht.
“Ndihem shkëlqyeshëm këtu. E di që puna ime ka një rëndësi dhe një lidhje të veçantë me njerëzit që vijojnë të vijnë në këtë kafiteri. Takimet me njerëz të ndryshëm, të cilët ndajnë historitë e tyre dhe e duan këtë vend, më kanë thelluar lidhjen time me tërë Kosovën”, thotë ai.
Flamuri ka mundësinë të shërbejë një gamë të gjerë klientësh: nga kryetarët e komunës, deputetët, ministrat dhe shumë të tjerë që vizitojnë Prizrenin.
Ai shprehet krenar për mundësinë që ka të shërbejë për ata dhe të ndihmojë në krijimin e lidhjeve me njerëzit e njohur të Kosovës.
“Vetëm në Prizren mund të shijoni kafenë në ‘Shadërvan’, një vend që është i mbushur me kujtime, qofshin ato të fëmijërisë apo të rinisë,” – thotë ai. “Prizreni është një qytet i mrekullueshëm, një perlë e Ballkanit. Ky qytet ka ruajtur me shekuj traditën dhe bukurinë e tij, dhe është një vend që thërret të rinjtë tanë të kthehen, të shijojnë çdo moment dhe të kontribuojnë për të ardhmen e Kosovës”.
Flamuri përfundon me një mesazh të thjeshtë dhe të fuqishëm për bashkëmoshatarët e tij: “Kosova është vendi ku mund të jetoni me dinjitet, kthehuni dhe bëni pjesë të këtij zhvillimi”./qendrapress.com/
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”