Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do të mbajë nesër protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë për media tha se nëse Qeveria dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk reflektojnë mbi kërkesat e tyre, do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
Ai ka dhënë detaje rreth protestës së nesërme.
“Qasja e tyre dhe injorimi i tyre i vazhdueshëm dolli vendimin për veprime sindikale. Fillimisht u vendos që me 4 dhjetor të bëhet protestë dhe presim që protesta para MASHTI-t dhe qeverisë të jenë mbi 1500 pjesëmarrës. Nëse Qeveria e sidomos Ministrja Nagavci nuk reflektojnë do të analizojmë situatën dhe do të marrin vendime duke mos e përjashtuar grevën e përgjithshme”, tha Jasharaj.
Jasharaj ka akuzuar Kurtin dhe ministrat e tij se paralizuan dialogun e mirëfilltë me sindikatat.
“Kurti dhe ministrat e tij premtuan shumë, deklaruan se do të respektojnë zërin sindikal dhe fuqizimin e sindikatave, por kanë bërë të kundërtën gjatë këtyre vite, paralizuan dialogun e mirëfilltë duke mos e nënshkruar marrëveshjen kolektive, duke ua mohuar të punësuarve në sektorin publik dhe privat mundësinë për të ruajtur të drejtat në punë dhe për të arritur disa benefite si të gjithë kolegët e tyre kudo në vendet e Ballkanit, e Evropës”.
Kreu i SBASHK-ut tha se ministri Murati do të kujtohet si njeriu që deshi t’ua ndalë bukën e gojës, pse kërkuan mundësinë për një kafshatë bukë më shumë.
“Në betejën e vazhdueshme të Qeverisë me SBASHK-un mori pjesë aktive edhe ministrja Nagavci, ajo u mbush me inat pse SBASHK është kaq unik u angazhua për ta dobësuar SBASHK-un, por kurrë nuk ia arriti”, tha ai.