5.3 C
Prizren
E shtunë, 2 Maj, 2026

Eja në Prizren

Hatixhe ÇOLLAKU ADEMAJ

Me lakore të përdredhura, mu si harqe lakuar xhublete, vija peizazhi malesh si kurorë mbi kokë m’i ke. Damarëve të shtatit tand, Lumbardhi me degë çdo gjallese shpirt u jep.

Krojeve buron harlisur eliksir i shpirtit të etur, që atë veç sa e shton. Vë buzët krojeve tua dhe, si në ëndërr, hapen para meje preritë fushë gjera e lule plot. Janë tulipanët, zambakët, vjollcat, aguliçet, narcisët, thundërmushkat, gentianat që, brezave klimatike shtrihen pambarim, me aromë e bukuri që frymën ta ndal.

Bukur e me dizajn, malësoret derdhin talentin qëndismave, shtatit veshur, e në fytyrën prej dielli shkëlqimi marramendës aurën e shpirtit reflekton.

Kalaja zemrën nga brenda ta rrëmben, e si aortë, lumi me urat mbi të, si fije neuronesh gërshetuar, lidh fort kujtesën kombëtare, Besën e Burrave që në Sheshin e Lidhjes burrërojnë.

Në xhamitë, kishat e teqetë, anë e kënd qytetit, buzët psherëtijnë lutje e urata, të Madhin Zot për ta lartësuar, e nga kupolat e tyre mistershëm lutjet marrin udhë…

Anës rrugëve, dyqanet plot e përplot me rroba të punuara me gajtana presin me padurim të dashuruarit, veç për t’u nusëruar…

Aty-këtu, ende artizanët me fanatizëm ruajnë zanatet e rralla, të mos zhduken. Diku filigranë, diku veshje kombëtare e plisa, a ndonjë saraç mishpunues, lëkurëpunues, kovaç – metalpunues, këpucar… Veshjet kombëtare të Malësisë së Sharrit, Vërrinit, Hasit-Pashtrikut, Anadrinisë… Zot, sa art në ngjyra e forma qëndisjeje: veku, gjilpëreja, grepi, shtiza, drugëzja e ku ta dijë njeriu!

Mileniume, shekuj, jetë në art shndërruar…

Verë Rahoveci, ajvar Krushe, bukë e byrek Hasi, ëmbëlsira Dragashi, pastërma Bushe, peshq Drini, trofta burimi, djathë Sharri, pogaçe furre prushi, qengja, pula e vezë fshati, reçel fiku e ftoi, pekmez rrushi, rasoj lakre, hoçe… e çfarë të të dojë shpirti, në sofra do t’i gjesh. Aty ke: bukë, kripë e zemër.

Eja në Prizren! Eja në kryeqytetin shpirtëror të çdo shqiptari! Eja në qytetin e dasmave, ku e reja me copëzat e të vjetrës thuret! Në qytetin e ahengjeve, në qytetin e Besës e Burrërisë!

Më Shumë

OVL e UÇK-së: Keqkuptimi në Has është tejkaluar, bashkëluftëtarët mbeten të bashkuar

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (OVL e UÇK-së) ka njoftuar se një keqkuptim i ndodhur disa ditë më parë në...

Prizreni pret delegacionin e Elbasanit, në fokus shkëmbimi i përvojave për qeverisje lokale

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Simir Krasniqi, priti sot përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, të udhëhequr nga Lutfi Lala. Në takim...

Lajmet e Fundit