Fermerët e Komunës së Rahovecit po shfrytëzojnë motin e mirë që po mbretëron këto ditë për të nisur zingjirin e prodhimit të perimeve
Punët në bujqësi nuk përfundojnë në asnjë stinë të vitit në komunën e Rahovecit. Që nga mesi i janarit kultivuesit e fidanëve të perimeve kanë filluar te hedhin farën me qëllim që koha optimale për mbjelle t’i gjejë gati.
Çlirim Duraku nga Krusha e Madhe që tradicionalisht merret me këtë punë thotë se kanë arritur të kultivojnë varietete me cilësi të lartë, ndonëse kostoja e prodhimit është e lartë, pasi serat ku ai kultivon fidanë është nxehur me dru.
“Fidanët në serën tonë janë gati në fazën e shitjes, kemi faza edhe më të vonshme, por tash është gati për tregun e shitjes për sera. Interesimi tani është fillojmë me specin dhe me lakrën, tash është koha e lakrës më shumë dhe specat në sera, më vonë fillojmë me domate, shalqin, pjepër etj”, tha ai.
Ai tha se edhe institucionet lokale dhe qendrore kanë qenë pjesë e ndihmës së tyre. “Institucionet lokale në fillim na kanë ndihmuar me sera më të thjeshta, na e kanë hapur rrugën në qeveri për të na dhënë këtë projekt”, tha Duraku.
Në një parcelë tjetër Ymer Gashi po bën gati serat për mbjelljen e trangullit. Ai thotë se dimri i butë nuk shkon në favor të bujqësisë.
“Kur ka ardhur marsi kemi mbjell, gjithnjë ka qenë koha në mars. Baba kur ka punuar para 30 vjetëve kur ka ardh marsi i kemi mbjell këto rastana. Pra krejt i kemi bërë gati në mars. Lagështi ka shumë pak, dimri shumë i butë është, kap miza më shumë, sëmundjet janë më të mëdha. Kur ka dimër të fortë sëmundjet janë më të vogla”, tha ai.
Duke qenë se Rahoveci prioritet e ka bujqësinë, institucionet lokale thonë se po mundohen t’u vijnë në ndihmë bujqëve me kapacitetet që kanë.
“Sikur vitin e kaluar edhe këtë vit do t’i përkrahim fermerët në sektorin e vreshtarisë, në sektorin e perimkulturës. Gjithashtu javën e kaluar kemi hapur një thirrje për kompanitë që merren me përpunimin e perimeve, kryesisht janë të fokusuar perimet që mbillen në fushë të mbyllur ose sera, trangulli kornishin, speca të llojeve të ndryshme. Kjo është një lidhshmëri në mes të fermerëve dhe atyre që merren me tregun”, tha Berat Duraku, drejtor i Bujqësisë.
Për këtë vit, me sera sipas tij në Rahovec me sera janë ndihmuar rreth 90 fermerë, ndërsa sipërfaqja e perimeve që kultivohen në ambient të mbyllur me këto ndihma është rritur për tre hektarë./rtk/