3.7 C
Prizren
E premte, 12 Dhjetor, 2025

Rritja e cilësisë në shërbimet shëndetësore përmes ligjëratave profesionale në Prizren

Në kuadër të avancimit të punës profesionale dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, si dhe në aplikimin e metodave dhe arritjeve më të reja në mjekësi, të premten, në amfiteatrin e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Prizren, u mbajtën tri ligjërata nga lëmia e ortopedisë, psikiatrisë dhe pediatrisë.

Aktiviteti u mbajt nën udhëheqjen e Dr. Shefki Xharra, koordinator i cilësisë, ndërsa morën pjesë mjekë dhe profesionistë shëndetësorë nga të gjitha lëmitë mjekësore, përcjell PrizrenPress.

Dr. Hadi Hasanaj, ortoped, mbajti ligjëratën “Frakturat e pjesës proksimale të sëmurit te moshat e vjetra”. Në ligjëratën e tij, Dr. Hasanaj foli për rritjen e rasteve të këtyre frakturave te moshat e vjetra, si dhe mbi metodat më të avancuara kirurgjikale dhe jo kirurgjikale për trajtimin e tyre.

Dr. Fatmire Veselaj, psikiatre, mbajti ligjëratën “Dhuna në familje”. Në ligjëratën e saj, Dr. Veselaj theksoi rëndësinë e trajtimit të dhunës në familje dhe ndikimin e saj në shëndetin mendor të individëve, si dhe rolin që profesionistët shëndetësorë luajnë në identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Dr. Idriz Braha, pediatër, mbajti ligjëratën “Menaxhimi i asthmës në moshat fëmijërore”. Në ligjëratën e tij, Dr. Braha foli për rëndësinë e diagnostifikimit të hershëm dhe menaxhimit të sëmundjes, si dhe përparimet më të fundit në trajtimin e astmës pediatrike.

Ligjëratat janë organizuar në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional, sipas Planit Vjetor për vitin 2025, dhe janë akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Pjesëmarrësit, nëpërmjet interaktivitetit, parashtruan pyetje dhe shkëmbyen eksperienca mbi sfidat dhe mundësitë që ofron aplikimi i praktikave dhe metodave më të reja në mjekësi, si dhe bashkëpunimin për përmirësimin e praktikave të përditshme në ofrimin e shërbimeve shëndetësore./PrizrenPress.com

Më Shumë

Shënoi dy gola për Malishevën, mbrojtësi Arlind Veliu shpallet “Ylli i Javës”

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin e Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për javën e 16-të...

Tërhiqet Kujtim Gashi

Në seancën solemne të Kuvendit të Prizrenit u konfirmua tërheqja e Kujtim Gashit nga posti i kuvendarit, duke hapur rrugë për zëvendësimin e tij...

Lajmet e Fundit