10.6 C
Prizren
E diel, 25 Maj, 2025

MKDHF në Suharekë: Rritje shqetësuese e dhunës në familje, kërkohet veprim nga niveli qendror

Anëtarët e Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje (MKDHF) në Suharekë mbajtën sot takimin e parë për vitin 2025, ku u diskutuan dy çështje kryesore: analiza e rasteve të dhunës në familje gjatë tremujorit të parë të vitit dhe çështje të ndryshme që lidhen me parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.

Takimin e hapi koordinatorja e MKDHF-së, Habibe Bytyçi, e cila prezantoi rendin e ditës dhe i dha fjalën nënkryetares së Komunës së Suharekës, Mihrije Suka. Në fjalën e saj, Suka theksoi shqetësimin për numrin në rritje të rasteve të dhunës në familje dhe theksoi nevojën për një qasje më efektive nga niveli qendror.

“Rastet e dhunës janë alarmante, sidomos kohët e fundit. Pavarësisht përpjekjeve tona në nivel lokal, ky problem kërkon më shumë angazhim nga institucionet qendrore. Shpresojmë që këto raste të reduktohen sa më shumë,” u shpreh ajo.

Komandanti i stacionit policor të Suharekës, kapiten Afrim Sylaj, prezantoi statistikat për tremujorin e parë të vitit, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai theksoi se është vënë re një rritje e rasteve të dhunës, ku rastet recidiviste mbeten një sfidë e madhe.

Përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale (QPS) ndanë informacion mbi rastet e trajtuara dhe vlerësuan bashkëpunimin e mirë me policinë dhe institucionet e tjera përkatëse. Nga ana tjetër, prokurorja Mejreme Hoxha nga Prizreni kërkoi që raportet policore të jenë më të detajuara për të lehtësuar trajtimin efektiv të rasteve në procedurat ligjore.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu strategji për uljen e numrit të rasteve të dhunës në familje dhe përmirësimin e vetëdijesimit të qytetarëve mbi pasojat e saj. Anëtarët e MKDHF-së theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi më të fortë ndërinstitucional dhe të fushatave sensibilizuese për parandalimin e dhunës në familje./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Igli Tare nënshkruan kontratën me Milanin, pritet vetëm deklarata zyrtare

Epoka e Igli Tares është gati të fillojë në Milan, pasi ish-drejtori sportiv i Lazios ka nënshkruar kontratën e tij me kuqezinjtë. Media të shumta,...

Aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, lëndohen tre persona

Tre persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti të ndodhur të martën në mëngjes në mes një kamioni dhe dy automjeteve në...

Lodra e të varfrit

Lajmet e Fundit