Pranvera vonon të vijë – Reshjet e borës në Rugovë e Dragash shkojnë në disa centimetra

Kosova është përfshirë sërish nga reshje bore, duke shtyrë ardhjen e pranverës që tradicionalisht shënon ngrohjen e motit.

Reshjet kanë qenë intensive, ndërsa në disa komuna bora ka arritur mbi dhjetëra centimetra.

Zonat më e prekura nga reshjet e fundit duket të jenë Rugova dhe Dragashi, ku shtresa e borës është më e dukshme dhe po ndikon në qarkullimin rrugor.

Për të mbajtur akset rrugore të kalueshme, autoritetet kanë aktivizuar mjetet borëpastruese dhe janë duke shpërndarë kripë në rrugë për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në vozitje, duke rekomanduar përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve, si dhe respektimin e sinjalistikës rrugore dhe uljen e shpejtësisë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) kishte paralajmëruar reshje bore në viset malore, por reshjet nuk kanë munguar as në disa zona të ulëta. Sipas IHMK-së, këto reshje pritet të jenë të përkohshme, por pritet që të sjellin ngrica në fillim të javës së ardhshme, çka mund të ndikojë negativisht në kulturat e hershme bujqësore, veçanërisht në pemëtari.

“Udhëzohen bujqit dhe fermerët që të marrin masa preventive për të mbrojtur prodhimin dhe kulturat e ndjeshme nga ndikimi i këtyre kushteve të pafavorshme të motit,” thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas parashikimeve, temperaturat minimale për sot pritet të sillen nga -1 deri në 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 1 deri në 4 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 9 metra për sekondë. /Telegrafi/

 

Më Shumë

Takohen Limaj dhe Hamza: NISMA do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka pritur në selinë e kësaj partie, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Limaj ka theksuar se...

Rock & Blues Festival rikthehet në Prizren për edicionin e katërt

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar mbajtjen e edicionit të katërt të “Rock & Blues Festival”, i cili do të zhvillohet...

Lajmet e Fundit