1.4 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Me largimin e Limajt, PDK humbi një krah të fuqishëm

HalilMatoshi-analistVendimi i Fatmir Limajt dhe me gjasë edhe Jakup Krasniqit për t’u larguar nga PDK vjen për shkak të renditjes së tyre më poshtë seç ata e kishin parashikuar staturën e tyre politike, e jo për shkak të keqqeverisjes.

Kështu mendon analisti Halil Matoshi.

Në një bisedë për lajmi.net, Matoshi, Kolumnist i “Kohës Ditore”, vlerëson se shkëputja e Limajt nga PDK nuk u bë në kohën e duhur. Thotë se ai po shkon rrugës së tij politike në fund të mandatit qeverisës.

“Fatmir Limaj nuk u shkëput me shumë siguri nga PDK-ja dhe në kohën e duhur, sepse edhe në fund ‘iu përkul’ në një mënyrë shefit të tij, Zotni Thaçit. Ai po shkon udhës së tij politike gati në fund të mandatit qeverisës, edhe pse ai ka qenë de facto i mënjanuar nga partia që nga marrja e postit të të dytit në parti nga Zotni Kadri Veseli”.

“Pra, Limaj dhe Krasniqi ia kthyen shpinën PDK-së për hir të rangimit të tyre më poshtë seç ata e perceptojnë staturën e tyre politike, e jo për hir të autoritarizmit, padijes, jokompetencës, turrit kah paraja publike, keqqeverisjes dhe metodave staliniste në Qeverisjen e PDK-së”.

Pakënaqësitë e dy prej figurave kryesore kishin filluar të shfaqen qysh në fillim të mandatit të dytë të Qeverisë Thaçi, ndërsa kulmin e arritën në Kongresin e gjashtë të PDK’së.

Jakup Krasniqi kishte kërkuar që Kuvendi Zgjedhor i partisë të mos mbahet, përderisa Fatmir Limaj të lirohet nga proceset gjyqësore. Megjithatë, një gjë të tillë ishte injoruar nga Kryetari i Partisë.

Por, kjo lëvizje për Matoshin është humbje e një krahu të fuqishëm për PDK’në.

“PDK-ja natyrisht se humb një krah të fuqishëm, por taktika e krerëve të saj tashti do të mundohet që ta shndërrojë në fitore këtë largim, sado i dhimbshëm, duke pretenduar se Limaj e Krasniqi mbështeten në tabanin marksist-leninist, pra majtistë të afërt me ideologjinë e Lëvizjes Vetëvendosje!”.

“Mirëpo, e mira e këtij largimi është se një krah në PDK po ndahet për të mos u bërë pjesë e konspiracioneve të SHIK-ut brenda partisë dhe në kapjen e shtetit. Prandaj, edhe këtë adut do ta përdorin Limaj dhe Krasniqi për ta arsyetuar para partizanëve të tyre largimin nga PDK”.

Fatmir Limaj ka konfirmuar këtë javë se që nga viti 2012 nuk është më pjesë e Partisë Demokratike, duke thënë se së shpejti do të dalë me një alternativë të re politike.

Megjithatë, Halil Matoshi vlerëson se do të jetë e vështirë për Limajn dhe Krasniqin, nëse nuk bëjnë koalicion me ndonjërën nga forcat politike aktuale.

“Mendoj se PDK-ja këta dy emra edhe mund t’i rikuperojë, porse ka humbur shumë vota. Kurse këta dy, nëse nuk bëjnë koalicion parazgjedhor me ndonjë aleancë, qoftë me AAK, PDK ose VV, mund të dalin ‘të pensionuar’ nga procesi zgjedhor”.

Kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në vitin 2005, i pakënaqur me drejtimin e Partisë Socialiste nga Fatos Nano, atëbotë kishte vendosur të bëjë parti të veten, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sot, Meta është njëri ndër figurat kryesore në politikën shqiptare që vendosin për formimin e Qeverisë.

Ky është shembulli që i përshkruhet Fatmir Limajt.

Por, Matoshi thotë se këtë komoditet nuk e kanë Limaj e Krasniqi. Sipas tij, nëse ndryshon pragu zgjedhor vështirë se mund të jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme.

“Faktori ‘Ilir Meta’ në Kosovë nuk ka kuptim, sepse këtë pozicion këtu te ne e kanë partitë e komuniteteve joshqiptare, e posaçërisht partitë e serbëve kosovarë. Po partia e Limajt dhe Krasniqit mund ta kalojë pragun zgjedhor, nëse mbetët siç është prej 5%”.

Limaj dhe Krasniqi dolën hapur kundër PDK`së në zgjedhjet lokale të nëntorit duke mbështetur iniciativa qytetare në qytetet e Malishevës përkatësisht Drenasit që të dyja llogariteshin si bastione të partisë në pushtet.

Më Shumë

Të shtënat në Malishevë, dy persona arrestohen për armëmbajtje pa leje

Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në Astrazub, Malishevë, ku dy persona janë arrestuar pas një konflikti mes tyre. Sipas policisë,...

Zafir Berisha garën për deputet e fillon nga vendlindja

Kandidati për deputet i koalicionit Nisma-AAK, Zafir Berisha, ka filluar betejën politike për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nga fshati i lindjes, Billushë. “Ky është...

Lajmet e Fundit