Lëvizja Studentore për Barazi, “Studim, Kritikë, Veprim”, përmes një kumtese për shtyp thotë se sot, para dhe pas protestës, nga persona të panjohur “të cilët janë paraqitur si pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, kanë arrestuar protestues, qytetarë e shumë nga organizatorët. “Këto arrestime nëpër rrugët e qytetit, kanë filluar që nga ora 11:00 dhe kanë vazhduar edhe pas protestës. Ndjekja e studentëve ka disa ditë që ka filluar dhe bëhet për arsyen e vetme: të mbytet organizimi studentor”, thuhet në kumtesë.
Sipas Lëvizjes Studentore për Barazi, janë të arrestuar mbi 30 studentë, qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Një pjesë e tyre janë të lënduar dhe ende mbahen nën arrest, e “një pjesë e tyre është rrahur pas edhe gjatë arrestimit”.
“Këto kidnapime politike janë shfaqur në mënyrë më të hapur, kur studenti Durim Jasharaj ishte duke mbajtur prononcim para mediave dhe protestuesve, gjersa u kap dinakërisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, njëjtë sikurse aktivisti i shoqërisë civile, Ilir Deda, i cili ishte duke biseduar me policët”.
Lëvizja i bën thirrje Policisë së Kosovës që t’i lirojë studentët, qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët po mbahen nën arrest vetëm për shkak se po kërkojnë drejtësi.
“Ne nuk do t’i ndalim protestat tona, derisa të realizohen kërkesat tona të drejta! Siç paralajmëruam edhe para portës së Rektoratit, protesta e dhjetë do të mbahet ditën e hënë, më 10 shkurt 2014, në ora 12:00. Sikurse në protestat e kaluara, studentët do të mblidhen të Konviktet në Qendrën Studentore, ndërsa të tjerët do të mblidhen tek sheshi ‘Skënderbeu’. Ju bëjmë thirrje gjithë studentëve, profesorëve, sindikatave, qytetarëve dhe shoqërisë civile që të na bashkohen në protestën tonë, e cila nuk do të ndalet deri në fund”!
Kërkesat, e Lëvizjes, janë:
1. Dorëheqja e menjëhershme e Rektorit, Ibrahim Gashi – sepse rektori duhet te ndalojë publikimet shkencore ne revista te rrejshme, e jo te publikojë rrejshëm punime shkencore.
2. Fillimi i menjëhershëm i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës dhe ngritja e një mekanizmi për verifikimin e të gjitha titujve akademikë – sepse duhet te ndalen turbotitujt shkencor e plagjiatet me pagese, nëpërmjet një mekanizmi verifikues e transparent, në mënyrë që të kemi shkencë e dije.
3. Përmirësimi i infrastrukturës në Qendrën e Studentëve
4. Largimi i ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës – sepse duhet të kemi Universitet të studentëve, e jo Universitet të pushtetnxhinjëve.
Lëvizja ka dërguar edhe listën e protestuesve të arrestuar. Ata janë:
Agron Kabashi
Alban Makolli
Argjend Tahirukaj
Avin Foniqi
Durim Jasharaj
Edon Buca
Egzon Alshiqi
Egzon Azemi
Frashër Krasniqi
Gerolld Nikoliqi
Hetem Haliti
Ilir Deda
Jetmir Haliti
Luan Hoti
Luljeta Jasiqi
Nol Nushi
Nora Fetoshi
Premton Ibërdemaj
Rina Zhitia
Shyhrete Muji
Veron Hasani
Ylli Hoxha
Zgjim Hyseni etj.