(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore të Prizrenit edhe sot ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj kreut të komunës, Ramadan Muja dhe pesë drejtorëve komunal, me fjalën përfundimtare të prokurores së EULEX-it, Natasha Vikeri.
Në këtë seancë, prokurorja ka lexuar pikën 3 të aktakuzës, pikë e cila ngarkon kreun e komunës, Ramadan Muja dhe Drejtorin e Urbanizmit, Sadik Paçarizi, për shpërdorim detyre, duke i dhënë në shfrytëzim Fabrikës së Çokollatës “Kamila”, në Boka- Boka, një parcelë me sipërfaqe prej 20.000 metra katrorë, pa kompensim.
Edhe në këtë pikë të aktakuzës, prokurorja kërkoi heqje lirie për Mujën dhe Paçarizin, maksimalisht deri në tetë vjet. Pika e katërt e aktakuzës do të lexohet nesër, ndërsa do tju jepet fjala edhe palës së dëmtuar.
Në seancën e ditës së mërkurë, do të këtë fjalën përfundimtare pala mbrojtëse e cila do të nisë me avokatin, Rruzhdi Berisha dhe klientin e tij, kreun e komunës, Ramadan Muja.
Gjykimi i Ramadan Mujës drejt përfundimit
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit do të vazhdojë sot gjykimi ndaj kryetarit të kësaj komune, Ramadan Muja, dhe zyrtarëve e ish-zyrtarëve komunalë. Kështu, procesi po shkon drejt fundit dhe shpejt pritet vendimi për këtë rast, raporton KTV. Në këtë seancë do të vazhdojë fjalën përfundimtare Prokuroria, të nisur në seancën e 27 janarit, ku kishte kërkuar dënim prej 1 deri në 8 vjet burgim për kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë drejtorët e tij.
Prokurorja Natasha Vikeri, në fjalën e fundit të saj, ka akuzuar Mujën dhe të tjerët për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ajo, gjatë seancës së sotme, do të bëjë leximin e pikave 3 dhe katër. Kryetari i Prizrenit akuzohet nga EULEX-i për shpërdorim të detyrës zyrtare.