-7 C
Prizren
E hënë, 12 Janar, 2026

Rruga Prizren-Tetovë, projekt që do të afrojë dy qytete shqiptare |VIDEO

Afaristët nga Maqedonia e Veriut, që ushtrojnë bizneset e tyre shumë vite më parë në Kosovë, presin me padurim finalizimin e projektit të rrugës Prizren-Tetovë. Nga pjesa e Kosovës, një projekt i tillë ka nisur në gusht të vitit 2024, janë trasuar kilometrat e parë, por ende nuk ka nisur zyrtarisht pjesa tjetër nga institucionet e vendit fqinj, Maqedonisë së Veriut.

Gëzim Alimani, me prejardhje nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, punon prej 17 vitesh në Prizren, me një biznes familjar që e ka trashëguar nga të parët. Ata kanë treguar se marrëdhëniet me Kosovën dhe tregtia kohë më parë kanë qenë me vështirësi për shkak të terrenit që i ka ndarë këto dy qytete të populluara me shqiptarë, që kanë tradita e kulturë të ngjashme.

“Sikur tregojnë të moshuarit, ka pas shumë që me kuaj e kanë bërë rrugën nëpër fshatrat mbrapa Opojës, deri te Mali Sharr që i ndante, nga pjesa tjetër e Malit Sharr,” tha Gëzim Alimani, afarist nga Tetova.

Edhe Eniz Shabani vjen nga Tetova, ndërsa biznesin e ka trashëguar nga stërgjyshi, i cili ka punuar në Kosovë që nga viti 1963. “Flasim para 63-tës, ka qenë stërgjyshi im në Pejë, pastaj në Gjakovë, jemi edhe këtu në Prizren, në fillim kemi nisur me kafe, me qaja, me fara, pastaj e nisëm me e zgjeruar me gjëra të tjera,” tha Eniz Shabani, afarist nga Tetova.

Projekti i rrugës Prizren-Tetovë ka shtuar shpresat e këtyre afaristëve të rinj për një komunikim më të lehtë e më të shpejtë me të afërmit e tyre.

“Besoj që do të jetë mirë për të dy qytetet, do të lidhet shumë si komunikimi, si vizitat e ndërsjella,” tha Alimani.

“Shumë e favorshme, për shembull, për tetovarët, për Maqedoninë gjithashtu, e Prizrenin. Në këto dy vende mund të zhvillohet tregtia, por ka edhe shumë studentë që prej Prizrenit, prej Kosovës shkojnë shumë në Shkup ose në Tetovë,” tha Shabani.

“Shumë i nevojitet, pikë së pari lidhen trojet shqiptare, së dyti tregtia, bëhen martesat, gjithçka, do të thotë ofrohen shumë edhe popujt, sepse jemi të ndarë me vite e vite, kështu që është gjë më e mirë që i ndodh këtij populli,” tha Cen Bytyqi, qytetar i Prizrenit.

Projekti i rrugës Prizren-Tetovë ka nisur në gusht të vitit 2024, është bërë trasimi i disa kilometrave të parë, por nga institucionet maqedonase ende nuk ka ndonjë lëvizje pozitive për të filluar punën edhe në anën tjetër të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Më Shumë

Plagosja në Prizren, identifikohen tre të dyshuar – u arratisën me veturë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar tre të dyshuar për plagosjen e mbrëmshme në Prizren, ku të lënduar mbetën dy persona.   Bazuar në...

Bashkimi nis Kupën me fitore

Bashkimi e ka nisur me fitore garën në Kupën e Kosovës, duke triumfuar ndaj Go+ Pejës me rezultat 96-90 në ndeshjen çerekfinale. Takimi u...

Lajmet e Fundit