Në një qytet të madh gjerman, larg fshatit të vogël të lindjes në Kosovë, rruga drejt suksesit shpesh duket e gjatë dhe e vështirë. Për Fitim Thaqin, 31 vjeç, kjo rrugë ka qenë sfidë dhe mundësi njëkohësisht.
Pas viteve të para të vështira në Gjermani, ai ka arritur të ndërtojë një biznes që jo vetëm
promovon produktet kosovare, por edhe krijon një urë mes diasporës dhe vendit të tij.
Historia e tij tregon se ëndrrat realizohen me punë të palodhur, korrektësi dhe pasion.
Fitim Thaqi është i lindur në Sapniq, fshat i vogël i komunës së Rahovecit. Në vitin 2007, së bashku me familje, emigroi në Gjermani, duke u bashkuar me babanë që kishte jetuar aty më parë. Vitet e para nuk kanë qenë të lehta: qyteti i madh, gjuha e huaj dhe sfidat e shkollimit kërkonin përqendrim dhe këmbëngulje. “Fillimi ka qenë i vështirë, por gjithmonë kisha një ëndërr: të bëhem profesionist në tregti”, tregon ai.
Pas përfundimit të shkollës dhe punës në kompani të mëdha si “Rewe Group” dhe “Edeka Süd Bayern”, Fitimi mori hapat e parë drejt biznesit të tij.

NGA PUNËTOR U BË SIPËRMARRËS
Çelësi i suksesit të Fitimit ka qenë puna e madhe dhe qëndrimi korrekt ndaj konsumatorëve dhe bashkëpunëtorëve. Nga një menaxher në një kompani të njohur, ai u bë pronar i “Edeka Thaqi”, duke shpërblyer gjithë vitet e sakrificës dhe përkushtimit. “Është e mundur për çdo shqiptar që të arrijë atë që dëshiron. Nuk ka sekret tjetër përveç punës së madhe dhe sinqeritetit”, shprehet ai.
PROMOVIMI I PRODUKTEVE KOSOVARE DHE ËNDRRA E FIRMËS “DRINI MARKET”
Një nga pikat kryesore të strategjisë së tij ka qenë importimi i mallrave nga Kosova. “Si vendas i Rahovecit, e dija se produktet tona kanë cilësi dhe mund të jenë të suksesshme në tregun gjerman dhe më gjerë”, thotë ai. Nga kjo ide lindi “Drini Market”, një koncept i veçantë që përqendrohet te produktet shqiptare dhe kosovare, me një gamë të gjerë dhe shërbim online për diasporën.
“Drini Market”, jo vetëm promovon produktet vendore, por, gjithashtu, krijon një ndjenjë nostalgjie dhe komuniteti për shqiptarët në Gjermani. “Drini Market” nuk është vetëm një market, por një urë lidhëse ndërmjet komuniteteve dhe biznesit vendor. Konsumatorët reagojnë pozitivisht, duke rikthyer besnikëri dhe duke ndjerë “një copë shtëpie” larg vendit të tyre.
Vizioni i Fitimit është i qartë: zgjerimi i “Drini Market”-it jo vetëm në Gjermani, por në gjithë Evropën. Andaj, tri pika të reja do të hapen së shpejti në Bavari, duke e çuar konceptin e tij edhe më larg.
MESAZHI PËR TË RINJTË SHQIPTARË…
Në jetën personale, Fitimi pranon se puna shpesh merr përparësi mbi kohën për familje dhe hobi. Por, për të çdo sakrificë ka një kuptim të madh. Për të rinjtë shqiptarë mesazhi është i qartë: duaje vendin tënd, ndjek ëndrrat tua dhe puno shumë që t’i realizosh ato! “Ëndrrat realizohen kur ke vizion, pasion dhe punë të palodhur”, është rezymeja e Fitimi Thaqit./Kosovarja/

Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
