Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat ka protestuar në sheshet e Prishtinës duke kërkuar kushte më të mira të punës.
Kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka përmendur se ka ende punonjës në këtë sektor që marrin pagë 239 euro. Ai u ankua për faktin që ky sektor u diskriminua duke mos marrë pagën e 13-të me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Sektori publik mori pagën e 13-të u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t’i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi barrën e vet përderisa kryeministri jonë, kryeparlamentari dhe gjithë të tjerët brenda një muaji me buxhetin e tyre u rrit për gjashtë mijë euro e neve të nderuar edhe sot po marrim 239 euro”, tha ai.

Raba Dushi, përfaqësuesve e punëtorëve në sektorin privat, tha se kjo ditë nuk shënohet si festë, por si shpërfaqje e padrejtësive që ju bëhet punonjësve.
“Pagat tona janë të ulëta. Punëtorët që punojnë në ambiente të rrezikshme nuk kanë kurrfarë sigurie. Çdo ditë dëgjojmë raste të vdekjeve askush nga institucionet nuk po vepron, por ne nuk duhet të ndalemi. Fjala jonë ka peshë. Ju e dini se me pagat që kemi mezi ia dalim nga muaji në muaj, shpenzimet po rriten çdo ditë”, tha ai.
“Unë sot nuk flas në emrin tim, por në emrin e çdo nëne që punon e nuk i del paga deri në fund të muajit, në emrin e çdo të riu që mendon të largohet nga vendi sepse nuk sheh të ardhme këtu. I bëjmë thirrje institucioneve, na dëgjoni, na respektoni, punoni për qytetar e jo kundër tyre sepse një shtet nuk drejtohet mbi padrejtësi”, tha në anën tjetër protestuesja tjetër, Afërdita Hoxha./RTKlive/
Marketing
