Në vijim të angazhimeve institucionale për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Malishevës.
Delegacioni i DKRS-së, i kryesuar nga drejtoresha Teuta Miftari-Mazreku, së bashku me zyrtarin për kulturë Mehdi Krasniqi dhe zyrtaren për rini Afërdita Duraku, u prit nga drejtori Samir Hoxha dhe stafi profesional i institucionit.

Sipas njoftimit të QRTK-së, gjatë takimit u diskutua për kërkesat që ndërlidhen me evidentimin, marrjen nën mbrojtje dhe trajtimin e objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore në Komunën e Malishevës, si dhe për nevojat për ndërhyrje konservuese dhe restauruese.
“Po ashtu, palët diskutuan edhe për organizimin e aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese në shkollat e mesme të komunës, me fokus ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftim.
QRTK në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit me institucionet lokale, në funksion të mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore./PrizrenPress.com/
Marketing
