1.4 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Për një qeverisje të mirë, të lirë e të përgjegjshme

Jakupkrasniqi10-6Shkruan :Jakup Krasniqi

Si duket sintagma: qeverisje e mirë ka filluar të përdorët viteve të tranzicionit që ndodhi në Evropën Lindore (vendet socialiste), pasi ketë shprehje nuk e hasim në Fjalorin politik të Oxfordit. Ndërsa aty e gjejmë sintagmën: qeverisje e përgjegjshme e cila është e ndjeshme ndaj opinionit publik, që ndjek një politikë të matur dhe konsekuente e cila i përgjigjet Kuvendit (Parlamentit) nga i cili zgjidhet. Diçka e ngjashme është edhe qeverisja e mirë të cilën e hasim aty ku pushteti buron nga zgjedhjet e lira, nga ligjet standarde të shtetit të se drejtës, aty ku menaxhohet me përgjegjësi me burimet njerëzore, ekonomike dhe sociale të vendit në zhvillim.

Qeverisje të mirë ka aty ku ka përgjegjshmëri, aty ku jepen orientimet strategjike të zhvillimit, aty ku planifikohen perspektivat e vendit, aty ku objektivat e planifikuara përmbushur në tërësi, aty ku rreziqet e mundshme për siguri e stabilitet të vendit menaxhohen mirë, dhe kanë dhënë rezultate të pritshme, aty ku të gjitha burimet që i kanë pasur në pronësi janë përdorur në mënyrë të përgjegjshme, efikase e në bazë të rregullave të qarta ligjore. Qeverisja e mirë kujdeset që të respektojë e mbrojë interesat qytetarëve dhe të bëj të mundur që zërat e tyre të dëgjohen në drejtimin e punëve të shtetit. Qeverisja e mirë mbështetet në disa trekëndëshe apo shtylla mbi të cilat duhet të mbështetet qeveria, po i japim disa sosh.

1. Transparenca, që nënkupton lirinë e qasjes në dokumentacionin zyrtar, lirinë e informacionit pa pengesa burokratike, garancinë e një drejtësie administrative si dhe lirinë për të pasur qasje në mënyrën se si janë marr vendimet e ndryshme që varen nga paraja publike. ( A e dimë ne, si janë marr vendimet për privatizimin e objekteve më vitale ekonomike të vendit tonë, hisja jonë e përbashkët?)

2. Përgjegjshmëri në vendimmarrje, vendosja e kontrollit mbi administratën publike, mbi tregjet publike dhe mbi administrimin e parasë publike, etj. Sa Kuvendi ynë, kontrollon qeverinë dhe institucionet e pavarura të shtetit me nivelin përfaqësues, politik, kombëtar dhe intelektual që ka institucioni më i lartë përfaqësues i shtetit?

3. Pjesëmarrja e të gjithë aktorëve në procesin e zhvillimit të vendit. Sa i dimë dhe a i dimë ne aktorët e zhvillimit të vendit? Si dhe kush i merr ato vendime prej të cilave varet e ardhmja jonë si vend e komb?

Qeverisje të mirë apo të përgjegjshme ka:
1. Aty ku qeveria përmes procedurave transparente e ligjore krijon mundësi për rritjen e qëndrueshme ekonomike e cila pastaj ndikon në kualitetin e jetës dhe të mirëqenies se qytetarëve;
2. Aty ku qeveria merr vendime të drejta politike e ligjore në favor të zhvillimit, të privatizimit, të arsimit, të shëndetit dhe të punësimit etj., dhe
3. Aty ku qeveria vendose një drejtësi shoqërore dhe paqe të qëndrueshme për të gjithë e pa asnjë dallim njerëzor, kombëtar, gjuhësor e kulturor.

Ekspertë dhe studiues të ndryshëm janë duke hulumtuar dhe përpunuar një numër indikatorësh të cilët mund të ndihmojnë në matjen, se në ç’shkallë ndikojnë, ndërthurjet e lirive politike me liritë ekonomike në zhvillimin human të shoqërisë sonë në përgjithësi. Parë në këtë këndvështrim, realiteti ynë në Kosovë dëshmon për një prapambetje shqetësuese si të institucioneve tona qeverisëse ashtu edhe të atyre të një rëndësie të veçantë publike, si arsimi e shëndetësia si edhe shërbimet tjera publike për qytetarët. Çdo mungesë koherente për zbatimin e reformave strukturore, çdo politizim i skajshëm i politikave kryesore ekonomike, çdo privatizim jo transparent dhe pa infrastrukturë të qartë ligjore, çdo parcializim subjektiv i komunitetit të biznesit, të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të medies do të ketë si pasojë frenimin e zhvillimit të demokracisë, të zhvillimit ekonomik të vendit dhe në uljen e efikasitetit shoqëror. Këto frenime e dukuri negative i shohim përditë të ndodhin në Kosovë. A mund t’i ndryshojmë këto gjera?, unë mendoj se po, por për ketë kërkohet vullneti politik i vendimmarrësit dhe vullneti qytetarë për këto çështje. Vullneti qytetarë në zgjedhjet e fundit të lira ishte mjaftë përcaktues, tani mbetet ta shohim vullnetin politik të të zgjedhurve!

Të përfundojmë:
Tri janë shtyllat që duhet t’u përmbahemi me seriozitet nëse dëshirojmë të kemi qeverisje të mirë: 1. demokraci reale që buron nga vullneti qytetarë i pa tjetërsuar; 2. qeverisje të lirë, efikase, profesionale dhe të pa korruptuar; 3. zhvillim ekonomik afatgjatë, privatizim transparent me drejtësi shoqërore dhe me shfrytëzim të kapaciteteve njerëzore (profesionale e intelektuale, pa nepotizëm rrënues), ja rruga moderne (koherente) drejt së cilës duhet të ecim pa hezituar dhe me vendosmëri ne, në Kosovë. Çdo hezitim, cenim, mospërfillje apo mosrespektim i njërit prej këtyre faktorëve relevant të përmendur, padyshim që do të na përkthehet në mos avancim të demokracisë, në mos zhvillim ekonomik, në prapambetje shoqërore e kulturore dhe këto do të na kushtojnë të gjithëve, sot e nesër. Janë këto gjëra që na pamundësojnë të ecim në rrugën e integrimeve euroatlantike. Prandaj, ne, në Kosovë na duhet domosdo qeverisja e mirë dhe e lirë (e lirë në përputhje me standardin e qytetarëve të vendit tonë dhe me mundësitë buxhetore të vendit). Qeveria jonë me 20 ministri, me 5-6 zëvendëskryeministra e mbi 40 zëvendësministra e më shumë se 33 institucione të pavarura etj., sa mund të jetë e lirë (në aspektin e shpenzimeve të parasë publike), dhe efikase kur aty nuk e “njeh qeni të zonë”?! Nuk ka dhe nuk mund të ketë qeverisje të mirë pa dije, pa drejtësi, pa dashuri e pa përkushtim për vendin e kombin.

(Autori është kryetar i Kuvendit të Kosovës)

Më Shumë

Hapet çerdhja e re publike në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka përuruar sot çerdhen e re publike në lagjen "Ortakoll" të Prizrenit, një investim...

Homazhi për Nijazi Bytyqin rikthen në kujtesë tingujt legjendarë dhe prezanton vlerat muzikore të djemve të tij

Trashëgimia muzikore e Nijazi Bytyqit, njërit prej nismëtarëve të muzikës pop-rock në Kosovë, është shpalosur të premten mbrëma në “Autostrada Hangar 2” në Prizren....

Lajmet e Fundit