19.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Kristo Frashëri: Akuzat ndaj Qosjes? Fyerje pa argumente

Kristo FrashëriArtikulli që kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami ka botuar në mediat kosovare kundër prof. Rexhep Qosjes, ka shkaktuar reagime andej dhe këtej kufirit. Pas 37 profesorëve e akademikëve, reagon edhe akademiku Kristo Frashëri përmes “GSH”.

Dr. Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Prishtinë. Më ra në dorë padija që ju i drejtoni nëpërmjet 55 pyetjeve prof. Rexhep Qosjes, anëtar i Akademisë së Kosovës, i cili është në të njëjtën kohë dhe anëtar i Akademisë së Shqipërisë. Lexova edhe përgjigjen që disa anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë së bashku me disa profesorë të njohur të botës shqiptare jua kanë drejtuar juve në “Gazetën Shqiptare” më 1 mars 2014. Dëshiroj me këtë rast të shfaq edhe unë mendimin tim. Të them të drejtën, leximi i shkrimit tuaj më stepi, për të mos thënë më shqetësoi. Arsyeja është e thjeshtë. Kur njeriu lexon debatin e një akademiku, sidomos kur ai është kryetar i akademisë, qytetari pret të lexojë një bisedë të kulturuar, të arsyetuar, të balancuar, mbi të gjitha të argumentuar. Ajo që më bëri përshtypje të thellë në shkrimin tuaj ka lidhje me fjalorin dhe me stilin. Nuk ka dyshim se shkrimi është i frymëzuar nga një urrejtje e jashtëzakonshme që ju keni ndaj Rexhep Qosjes. Këtë e tregon numri i madh i akuzave që ju numëroni në shkrimin tuaj.

Pa dyshim që fjalori që keni përdorur në shkrimin tuaj, sado që përbëhet nga fjalë të zgjedhura dhe jo banale, është një fjalor krejt i papërshtatshëm i një akademiku. Rëndësia që ka përdorimi i fjalorit në një debat ka vlerë aq të madhe për qarqet intelektuale dhe shkencore sa ai ndikon edhe në vlerësimin e vetë shkrimit. Nga kjo pikë ju e keni dëmtuar shkrimin tuaj në atë masë sa ai shkrim pasi i drejtohet Rexhep Qosjes, vërtitet si një boomerang dhe kthehet kundër jush.

Vijmë te stili. Shkrimi juaj përbëhet nga dy komponentë: nga epitete dhe nga pyetje. Epitetet janë tepër të rënda. Ato janë fyese, aq të ashpra sa vështirë se mund të pranohen pa qenë të argumentuara. Ju numëroni me dhjetëra e dhjetëra pyetje pa u dhënë përgjigje, të cilat nënkuptojnë se pas tyre fshihen akuza të tjera. Por, akuzat për çështje të pasqaruara konsiderohen zakonisht demagogji. Ka midis tyre pyetje, përgjigjet e të cilave duhet që ne t’i marrim me mend se nënkuptojnë akte të pandershme dhe të shëmtuara të Rexhep Qosjes. Ne si lexues nuk kemi aq aftësi të zbërthejmë të vërtetën që mund të fshihet midis këtyre pyetjeve.

Ka midis tyre ngacmime drejtuar R. Qosjes, të cilat nuk të shqetësojnë, mbasi janë fryt i urrejtjes, si të tilla nuk kanë nevojë për përgjigje. Ato që të shqetësojnë janë akuzat e rënda, madje shumë të rënda, të cilat e ulin poshtë personalitetin e çdo njeriu. Në të tilla raste, përpara se t’i japësh të drejtë paditësit, duhet të dëgjosh të akuzuarin. Është parimi i lashtë i Solomonit, i cili thotë: “Tjetrin dëgjoje, pastaj gjykoje”.

Me një fjalë, unë nuk mund t’ju jap të drejtë juve pa dëgjuar Rexhep Qosjen, i cili nuk është qytetar i çfarëdoshëm për ta hedhur me disa pyetje të paargumentuara në kosh të plehrave. Ai është një personalitet akademik, me një bibliotekë të tërë veprash të botuara.
Me nderime – Prof. Dr. Kristo Frashëri, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1391 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Kupa e Kosovës, nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve

Nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës. Në fakt, ndeshjet ishin planifikuar të luhen në javën e kaluar, por Federata e Futbollit...

Lajmet e Fundit