3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Dodona” u gëzohet fëmijëve, i vuan të rriturit

TeatriDodonaTë shtunave në mesditë amfiteatri i tij mbushet plot. Fëmijëve ndodh edhe që u duhet të presin për orarin tjetër për të parë kukullat në skenën e teatrit “Dodona”. I themeluar si teatër i të rinjve, fëmijëve dhe kukullave, “Dodona” viteve të fundit, ndonëse ka publik me numër shumë të madh të të vegjëlve, po përballet me mungesën e publikut gjatë shfaqjeve të mbrëmjes. Shfaqjet për të vegjlit plot, për të rriturit bosh.

Por Agron Shala, drejtor në teatrin “Dodona”, ka thënë për “Zërin” se nuk është i vetmi teatri “Dodona”, i cili ka mungesë të publikut gjatë shfaqjeve të mbrëmjes, por se kjo gjë vërehet edhe në teatrot e tjera të Kosovës. “Mungesa e publikut në shfaqjet e skenës së mbrëmjes është problem me të cilin ballafaqohen të gjitha teatrot e Kosovës. Arsyet janë të shumta pse ndodh kjo në Kosovë, duke filluar nga mos interesimi i shikuesve, niveli i shfaqjeve, mungesa e sinqeritetit në art, mos interesimi i vet artistëve e deri te trendët e reja teknologjikë që kanë zëvendësuar format e mëparshme të edukimit kulturor apo të kalimit të kohës së lirë”, ka thënë Shala.

Shala shton se një ndër faktorët që e ulë shikueshmërinë nga të rriturit është edhe si pasojë e asaj se ata fëmijë që vijnë për t’i shijuar shfaqjet që jepen për ta, atyre po u bie interesimi kur ata po rriten. “Dodona” fëmijëve ua ofron kontaktin e parë me teatrin dhe këtë rol e luan në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, interesimi bie kur ata po rriten. Ndoshta, do të duhej të mendohej edhe për një skenë të “ndërmjetme”, një si teatër për tinejxherë. Por, në këtë drejtim kërkohet angazhim i institucioneve të tëra, sepse është fushë e pastudiuar. Thjesht, duhet të njihet kjo moshë, të studiohen preferencat e tyre dhe natyrisht edhe teksti dhe regjia të konceptohen ndryshe”, u shpreh Shala.

Sipas tij, teatri “Dodona” në raport me teatrot tjera qëndron më mirë edhe sa i përket publikut të rritur, duke theksuar se ky problem nuk zgjidhet i vetëm dhe se për këtë duhet të angazhohen teatrot dhe i tërë komuniteti artistik në Kosovë. Shala gjithashtu ka bërë të ditur se edhe pse tashmë kemi hyrë në muajin e tretë të vitit 2014, “Dodona” gjendet akoma në sezonin 2013/14.

“Ne si ‘Dodonë’ nga shtatori deri sot kemi dhënë jo më pak se tri premiera: “Në mbrojtje të njeriut të shpellës”, “Menaxheria e qelqtë” dhe “Posta pa email”. Ndërsa, këto ditë do të startojmë edhe me një shfaqje tjetër të re e interesante për fëmijë. Meqë deri tash financimi i projekteve tona është bërë në formë të subvencioneve, gjithçka varet nga mbështetja materiale që do ta kemi. Por, besoj se edhe këtë herë do të jemi liderë në skenën teatrore të Kosovës, jo vetëm me numrin e premierave, po edhe me nivelin e shfaqjeve”, është shprehur Shala.

Ndërkaq, ai ka theksuar se në skenën e mbrëmjes planifikojnë të japin një komedi origjinale të titulluar “Trangullat”, pastaj pjesën e dytë të trilogjisë së konceptuar nga Orhan Kerkezi “Ameba”, shfaqjen “Të dielat” etj., kurse në skenën për fëmijë në plan është të jepet shfaqja “Princi i vogël”.

“Kur është fjala te shfaqjet me kukulla, ju e dini se këto shfaqje tonat kurrë nuk shuhen. Kështu, në repertor të rregullt pos shfaqjeve të reja do të ketë edhe shfaqje që janë realizuar para p.sh. më shumë se 20 vitesh. Shpresojmë që këtë vit do t’i pranojmë dy aktore të reja në trupën tonë, sepse kështu do të mund t’i rikthenim në skenë disa shfaqje të mira, si p.sh. “Vjollca magjike” apo “Përralla e furrtarëve” që nuk jepen më vetëm pse në to ishin të angazhuar aktorë të jashtëm e që tashti kanë angazhime tjera”, tha për gazetën Agron Shala.

Gjatë vitit të kaluar teatri “Dodona” ka pasur 157 programe për fëmijë dhe ishte pjesëmarrëse në tri festivale. Në skenën për të rritur ka pasur gjithsej 38 programe. Numri i shikuesve në shfaqjet për fëmijë ka qenë 19,335, ndërkaq në shfaqjet për të rritur 7100, duke nxjerrë si shifër të plotë të vizitorëve në këtë teatër mbi 26 mijë shikues. Teatri “Dodona” qe themeluar në vitin 1986.

Më Shumë

Vetëvendosje në Prizren organizon sot ndejë me mërgimtarët

Lëvizja Vetëvendosje  në Prizren do të organizojë sot  një ndejë me mërgimtarët e Prizrenit, në Hotel "Adler". Ngjarja do të fillojë në orën 18:00 dhe...

Kanosi dhe ofendoi policët, arrestohet një person në Suharekë

Një person është arrestuar në Suharekë pasi që i njëjti kishte kanosur dhe ofenduar policët. I dyshuari është dërguar në mbajtje. “Është arrestuar i dyshuari mashkull...

Lajmet e Fundit