2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Hani dhe kali

opinion 23Shkruan: Edmond Tupja

Na ishte njëherë e një kohë; do të tregojnë shqiptarët e ardhshëm, e kam fjalën për ata të vitit 3014; një Han Alegorik (shumëk-ush e quante Albanik), ku të gjithë prisnin prej shekujsh të vinte një Kalë i Ri (me L dhe vetëm me L pas Asë) po aq Alegorik (shumëkush e quante Albanik). Ai Kalë mendohej, urohej, shpresohej dhe besohej se do t’u sillte banorëve të tij po aq alegorikë (shumëkush vazhdonte t’i quante Albanikë) parajsën e pritur prej shekujsh pikërisht te Hani i tyre, me një derë madhështore, pa kanate, që në kohë të shkuara, prej aq dekadash sa nuk llogaritej më, kishte qenë e blinduar, pa dritare gjithashtu, që askush të mos dilte nga Hani në fjalë, Han për të cilin banorët e dikurshëm ishin mburrur se nuk ishte “han me dy porta”, pra, ku nuk mund të hynte kushdo e kur t’i tekej, edhe derri, edhe dosa, siç thuhej asokohe.

Dhe pritja shumëshekullore zgjati derisa, më në fund, ia mbërriti Kali në fjalë, jo më gjysmëshekullor si i vjetri, por periodikisht i zëvendësueshëm. Hingëllimat e Kuajve pluralistë qenë aq të fuqishme, sa banorët e lumtur që nuk mburreshin më se jetonin si në rrethim, se hidhnin valle në gojë të ujkut, se ishin gati të hanin edhe bar pa u shkuar kurrë mendja t’i dorëzoheshin armikut të jashtëm e agjentëve të tyre të brendshëm, e panë befas veten as në han, as në va, domethënë as në tokë, as në qiell. Me kalimin e kohës, le të themi duke nisur nga viti 2050 (kjo qe fatale) ata detyrimisht harruan shumë gjëra e ngjarje të dhimbshme të së kaluarës së tyre, por më e tmerrshmja, më e pafalshmja qe se harruan një fjalë të urtë me interpretim të mistershëm alegorik, e cila fjalë e urtë bënte fjalë me pak fjalë dhe asnjë fjalim për “han” e për “kalë”.

Po cila ishte vallë kjo fjalë e urtë që lidhte “hanin” me “kalin” ose, më logjikisht, “kalin” te “hani”? Banorët e Hanit Alegorik/Albanik të vitit 3014, do të tregojnë se sidomos disa të moshuar të ndershëm, të moralshëm, të pakorruptueshëm, me edukatë të lartë qytetare, kombëtare e ndërkombëtare, mbanin diçka mend, për aq sa kishin dëgjuar nga gjyshërit, këta nga stërgjyshërit e këta nga katragjyshërit e kështu me radhë, se fjala e urtë e lartpërmendur, që nuk figuronte asgjëkund në fjalorë, artikuj, kumtesa, referate, studime, monografi e poligrafi, të botuara e të pabotuara, të Akademisë së Shkencave të Albanikisë së hershme, pra, disa të moshuar – pjesërisht disi të fosilizuar – mbanin mend një fjalë të urtë, por jo fort të qartë për shkak se një fjale i mungonin disa shkronja, ndoshta edhe një e vetme, çka i pengonte ata dhe do të vazhdojë t’i pengojë pasardhësit e tyre për të depërtuar thellë e më thellë deri te thelbi i kuptimit të asaj fjale të urtë misterioze.

E ndiej që lexuesi im besnik po e humb durimin: Kjo fjalë e urtë është ose, më saktë, në vitin 3014 do të paraqitet në sytë e shqiptarëve të ardhshëm në trajtën “..ordhi kali në derë të hanit”. Fjala problematike do të jetë ajo e para, pra, “…ordhi”. E lartpërmendura dhe, sigurisht, e nderuara Akademi e Shkencave do të hapë një debat mbarëpopullor, i cili, rrezik të përfundojë me një referendum pankombëtar. Kuptohet vetvetiu se bashkëkombësit tanë të ardhshëm, nën dritën e shkencës panalbanologjike, por duke u mbështetur edhe në burime gojëdhënore, do të shprehen referendumisht për të përcaktuar përfundimisht dhe njëherë e përgjithmonë nëse fjalës së cunguar “..ordhi” i mungon vetëm shkronja “p” apo togshkronjëshi “ng”!

Cilido qoftë rezultati i referendumit, fiton “p”-ja apo “ng”-ja, problemi do të jetë shumë më tepër i Kalit sesa i Hanit: Po qe se do të fitojë germa “p”, Kali do të vijë erë, nga “Alegorik” ai do të shndërrohet në “Halegorik”, por, ngaqë era e tij mund të qelbë edhe ndonjë mjedis të brendshëm të Hanit, edhe ky i fundit rrezikon të njëjtin shndërrim, pra, nga “Alegorik” të kthehet në “Halegorik” (Edhe në këtë rast, punë germash: Ç’fatkeqësi, nganjëherë, të dish shkrim e këndim!). Megjithatë, falë ushqimeve dietetike për kuaj të niveleve të larta, falë gjithashtu deodorantëve dhe parfumeve, era në fjalë mund të shmanget, por nëse referendumi i lartpërmendur kurorëzohet me fitoren e togshkronjëshit “ng”, do t’i bjerë Kalit të ngordhë, çka do të thotë që, pavarësisht kutërbimit rrethanor të pashmangshëm, do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme për të përcaktuar, në mënyrën më demokratike të mundshme e të përfytyrueshme, Kalin zëvendësues. Në fund të fundit, le të tregohemi realistë: Pavarësisht rezultatit të referendumit në fjalë, duke njohur psikologjinë tonë iliro-shqiptaro-albanikëse, një gjë mund të pohohet pa pikë dyshimi: kombi ynë, gjithmonë i gatshëm për t’u ndarë në të mirë e të këqij, konservatorë e liberalë, pozitarë e opozitarë, veriorë e jugorë, kuaj e gomarë, do të ndahet, jo sot shyqyr Zotit, por në vitin 3014, në “..ordhistë” me “p” e në “..ordhistë” me “ng” në mënyrë që përherë diçka të ndodhë në derën e nderuar të Hanit tonë të Hatashëm/Panorama/

Më Shumë

Aulona Muhadri shpallet basketbollistja më e mirë e vitit 2024

Aulona Muhadri u nderua me çmimin 'Basketbollistja më e mirë e vitit 2024' në ceremoninë Laureatët 2024, për performancën e saj të shkëlqyer me...

Policia shqiptoi 1456 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1456 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit