Universiteti Publik i Prizrenit “Ukshin Hoti” mund të dalloj nga universitetet tjera publike në vend. Kjo për faktin se drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po preferojnë që për rektore të këtij universiteti të jetë një femër, për dallim nga universitetet tjera që kanë drejtues një mashkull. Kështu ka bërë të ditur një burim i Gazetës Blic brenda MASHT-it. Sipas këtij burimi, zgjidhja më e mirë për UPZ-në do të ishte zgjedhja e një femre në krye të këtij institucioni të lartë arsimorë. “Preferojmë të zgjedhim një femër në krye të UPZ-së. Nuk do të ishte problem ta zgjidhnim dikë ndoshta që nuk është fare pjesë e këtij universiteti”, ka thënë ky burim.
Ndërkohë, ministri i Arsimit, Ramë Buja në një intervistë dhënë Gazetës Blic ka thënë se UPZ-ja shumë shpejt do ta ketë rektorin e rregullt. Madje, ai ka premtuar se brenda muajit mars do të mund të përfundoj procesi i përzgjedhjes së rektorit të ri. Mirëpo, ai publikisht nuk ka thënë të ketë preferenca për dikë. “…unë konsideroj që këtë javë përfundon cikli zgjedhor i tërësishëm duke caktuar dekanët, prodekanët dhe anëtarët e senatit, dhe pastaj senati do të marrë vendimin për shpalljen e konkursit për rektor”, ka thënë Buja.
Ndryshe, Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” tash e sa muaj është me ushtrues detyre, Zahadin Shemsedinin për shkak të dorëheqjes së rektorit të kaluar, Mazllum Baraliut. Rektor mashkull kanë edhe universitetet tjera, si ai i Prishtinës, i Pejës, i Gjakovës, i Gjilanit dhe ai i Mitrovicës.