Analistë dhe njohës të rrethanave politike kanë thënë për Telegrafin se dorëheqja është përgjegjësi morale e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. Por, ata kanë vlerësime të ndryshme ndaj protestave që po zhvillohen para “Shtëpisë së Bardhë” – ku po kërkohet dorëheqja e të parit të Prizrenit.
Analisti Shpend Kursani mendon se presioni i shoqërisë civile dhe protestuesve do ta detyrojë Mujën që të jep dorëheqje.
Ndërsa, Bexhet Shala ka theksuar se nuk i pëlqen krijimi i task – forcave (grupe protestuesish që protestojnë nga njëri vend në tjetrin) përmes të cilave kërkohen “kokat” e krerëve të institucioneve.
Sipas tij, nëse kryetari i Prizrenit do ta pyeste ndërgjegjen, ai deri më tani nuk do të duhej të ushtronte pozitën e tij, “mirëpo në vendin tonë vlerat morale moti e kanë humbur kuptimin”.
“Konsideroj se nuk është në rregull që protestat të shfrytëzohen nga subjektet për poena politik, dhe të përdoret një gjuhë e cila nxit urrejtje dhe denigron tej mase ushtruesit e posteve publike”, ka thënë ai për Telegrafin.
Shala mendon se shoqëria kosovare nuk duhet të vendos standarde të dyfishta përballë keqpërdoruesve të pushtetit, por për të gjithë të gjykohen në raport me atë që e kanë bërë, sepse sipas tij, ka individë të cilët kanë abuzuar me pushtetin dhe askush deri më tani nuk e ka kërkuar “kokën” e tyre.
“Ramadan Muja duhet të dorëhiqet në mënyrë që të përfundojë përplasja në mes policisë dhe protestuesve, dhe të mos shkaktohen lëndime eventuale në mesin e këtyre palëve”, ka vlerësuar Kursani, i cili mendon se i pari i Prizrenit duhet që ta respektojë kodin moral, sikurse çdo politikan tjetër, duke u larguar menjëherë nga pozita e tij.
“Konsistenca e protestuesve do ta detyrojë Mujën që të jap dorëheqje, dhe ta arrijnë qëllimin e tyre final, por e keqja e kësaj është se duhet të presin se cilat institucione do t’i bëjë ‘kurban’ kryetari i Prizrenit”, ka thënë Kursani.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, nuk ka dhënë dorëheqje ka pezulluar postin e kryetarit.