1.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Rashka, dëshmi për gjenocidin e Serbisë

Rashka-gjenocidi serbGërmimet në varrezën masive në Rashkë të Serbisë, duket se nuk do të nisin shpejt, meqë pala kosovare po akuzon Serbinë për destruktivitet. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, bëri të ditur të enjten se Prishtina zyrtare po ka probleme për t’u marrë vesh me Beogradin zyrtar rreth fillimit të punëve, dhe se pa u sqaruar plani i veprimit, vështirë se do të nisin gërmimet.

“Ne kemi vendosur që projekti për Rashkën, të jetë një projekt gjithëpërfshirës. Pra, nuk e kemi pranuar qasjen e Serbisë, që të fillohet me qasje parciale; duke filluar së pari me hulumtime, e më pas të shikohet trajtimi gjithëpërfshirës. Ne kërkojmë, që së pari të vendoset një projekt konkret, i dakorduar me të gjitha palët; i dakorduar nga Kosova, Serbia dhe faktori ndërkombëtar”, tha ajo.

Të enjten në Prishtinë është zhvilluar takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ku zëvendëskryeministrja përsëriti kërkesën e saj drejtuar Bashkimit Evropian, që urgjent të caktojë një emisar për të çështjen e të zhdukurve.

Varreza masive në Rudnicë të Rashkës është zbuluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ekipet mjeko-ligjore kanë gjetur mbetjet mortore të, të paktën, gjashtë viktimave të luftës në Kosovë.

Prej atëherë, procesi është ndërprerë, meqë në vendin ku duhet të bëhen gërmimet, është ngritur pas luftës një ndërtesë që shërben si bazë e një kompanie për mirëmbajtjen e rrugëve, “Kosmet Put”.

Pala serbe ka njoftuar delegacionin kosovar me një projekt-propozim për mbulimin financiar të punëve gjatë gërmimeve në Rashkë, ku kostoja e përgjithshme është thënë të jetë 291,575 euro.

Të mërkurën, ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi u zotua se Qeveria e tij do ta ngritë çështjen e të pagjeturve edhe në Bruksel, ndërsa nga Parlamenti Evropian ka thënë se “do të kërkojë nxjerrjen e një Rezolute të veçantë që ta detyrojë Beogradin që t’i hapë dosjet për personat e pagjetur”.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha të enjten se për t’iu qasur rastit të Rashkës, pala kosovare e ka si prioritet që kjo të bëhet në mënyrë “institucionale, dhe në mënyrë të përgatitur profesionalisht dhe financiarisht”.

“Një rast, i cili në vete ka një dimension krejt të veçantë të tragjedisë, sepse ish-okupatori, Serbia, jo vetëm që i ka vrarë dhe zhdukur këta njerëz, por mbi këtë varrezë masive, madje, ka vendosur edhe një ndërtesë me një emër provokativ, për të humbur gjurmët e gjenocidit, gjurmët e krimit”, theksoi Tahiri duke shtuar se “në rastin e Serbisë i kemi të dyja, edhe destruktivitetin e personalitetit individual, por edhe destruktivitetin e personalitetit kolektiv, apo personalitetit shtetëror”.

Mirëpo, gjatë tryezës së të enjtes në Prishtinë, përfaqësuesi i familjeve të të zhdukurve, nuk u mjaftua me qasjen e ndryshuar që paralajmëroi zëvendëskryeministrja Tahiri.

Bajram Çerkini, nga shoqata “Zëri i Prindërve” tha ta ketë dëgjuar me vëmendje fjalimin e Edita Tahirit, por se këtë s’e prisnin familjet e të pagjeturve.

“Është e zonja për politikë! Ne familjarët nuk po mund të përgatitemi, as s’po dimë se çfarë duam t’ju themi. Apo çfarë pune jeni duke bërë”, tha ai.

Çerkini theksoi se varreza e Rashkës nuk është rasti më eklatant i krimeve që serbët kryen kundër shqiptarëve në Kosovë, andaj edhe ndryshimi i qasjes për të bllokuar fillimin e gërmimeve në këtë varrezë masive, për shkaqet që i dha zëvëndëskryeministrja Tahiri nu k isheh si të mira.

“Unë nuk e di se sa jeni transparent në politikë, sa jeni transparent me këtë gjendje të tashme në Rudnicë, apo të themi edhe trupat e rrëzuar, të ngrirë, prej një cisterne, e të dërguar në furra të larta në Bor”, kujtoi ai.

“Nuk është kjo varrezë masive [në Rashkë] e para. Ka qenë një varrezë masive shumë më e madhe në aeroportin e Batajnicës, ku kemi pritur, ta them ashtu, edhe me tonelata, edhe dhe, edhe njerëz, edhe copa të njerëzve në Merdare”, shtoi Çerkini.

Prokuroria serbe për krime të luftës, pretendon se në Rashkë janë hedhur të paktën 250 viktima të luftës në Kosovë.

Sipas Prokurorisë së Serbisë, trupat e shqiptarëve janë transportuar në këtë vend gjatë largimit të forcave serbe nga Kosova, në qershor të vitit 1999, dhe se këtë aksion e kanë ndërmarrë njësitë speciale policore serbe. /REL/

Më Shumë

Nënkryetari i Prizrenit, Kujtim Gashi, takon ish-komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Erhard Bühler

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka takuar ish-komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Erhard Bühler, dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për përkushtimin e...

Labinot Xhoxhaj shpallet kampion i Evropës në boks

Boksieri me prejardhje nga Kosova, por që jeton dhe ushtron në Zvicër, Labinot Xhoxhaj, ka fituar titullin e peshave të rënda të EBU. Xhoxhaj ka...

Lajmet e Fundit