12 C
Prizren
E hënë, 17 Mars, 2025

Fenomeni Ian Cliff

Qemajl Krasniqi 1Shkruan: Qemajl Krasniqi

Këtë emër po e dëgjojmë dhe lexojmë shumë shpesh në mediet e Kosovës. Tashmë për shumicën e atyre që i përcjellin lajmet e ditës dhe që i shfletojnë gazetat ditore ky nuk është emër i panjohur. Ian Cliff është ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Ky shtet është në radhën e parë të shteteve që e kanë mbështetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe është ndër shtetet që me këmbëngulje dëshiron që Kosova të jetë shtet i njëmendtë. Të paktën këtë e dëshmojnë angazhimet e shtetit Britanik dhe diplomacia e këtij shteti. Këtu na bie të takohemi e dëgjojmë shpesh për të dërguarin e MB, ambasadorin Ian Cliff, një burrë serioz dhe me pamje e qëndrim të një diplomati të shquar.

Meqë më ka rastisur disa herë ta takoj nga afër dhe të dëgjoj mënyrën e komunikimit, me takt diplomatik dhe mjaft i qartë, më është bërë model i përfaqësuesit diplomatik. Ndonëse ambasadorët i kanë mundësitë e kufizuara të veprimit dhe deklarimit, ambasadori Cliff është shpesh mysafir i kryetarëve të komunave të Kosovës dhe shpesh pritet nga ministra e zyrtarë të lartë të Republikës së Kosovës. Gjë që nuk po ndodh edhe me disa ambasadorë të disa “shteteve mike” të Kosovës.
Më ka rastisur që ambasadorin Ian Cliff ta takoj disa herë në takimet me kryetarin e Rahovecit Smajl Latifi në kohën e ngërçit rreth zbatimit të Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe. Dukej qartë takti i tij diplomatik, si dhe kërkesa e shtetit të tij për nevojën e zbatimit të këtij ligji, pasi që vetë përfaqësuesit tanë në Vjenë ishin pajtuar që ky fshat të trajtohet me një ligj të veçantë. Mirëpo, Cliff e ka shfrytëzuar me mjeshtri çdo takim zyrtar për të biseduar edhe për rritjen e mundësive të Kosovës për të qenë joshëse për investitorët anglezë. Dhe në këtë të dytën ka pasur më shumë sukses.
Mirëpo, nuk është vetëm kjo që e bën të veçantë ambasadorin Cliff. Ai ditëve të fundit ndërmori udhëtime me tren deri në komunat Ferizaj e Han i Elezit, ku takoi kryetarët e këtyre komunave.

Udhëtimi me mjete të transportit publik nga zyrtarët publik të vendit tonë nuk është shumë i dëshiruar. Me përjashtim të kryetarit të Prishtinë Shpend Ahmeti, kryetarët tjerë preferojnë veturat e tyre të shtrenjta, si dhe me përcjellje të një suite personale, me përcjellje policore dhe me një nivel të lartë sigurie. Duke qenë kështu, shtrohet pyetja e thjeshtë: Si ka mundësi që një diplomat i huaj, në një vend të huaj (ndonëse shumë miqësor), udhëton me mjete të transportit publik dhe nuk ka frikë nga askush dhe nga asgjë, ndërsa ne që jemi vendas udhëtojmë me mjete personale dhe me përcjellje të policisë?

A mos me këto veprime ambasadori Cliff ka dashur të japë mesazhe të qarta për liderët politik, apo edhe ka dashur t’i tregojë botës se Kosova është vend i sigurt ku mund të udhëtosh pa frikë cep më cep.
Mbase që të dyja bashkë.
Ambasadori Cliff dhe vendi i tij njihen për nivelin e demokracisë dhe për përvojën e gjatë në skenën ndërkombëtare. Duke qenë vend me orientim kryesisht pozitiv për Kosovën, Mbretëria e Bashkuar ka dhënë prova se ka qasje realiste ndaj shqiptarëve në përgjithësi, por se edhe është aktor i rëndësishëm i politikës botërore. Prandaj, veprimet, fjala dhe mendimi i ambasadorit Cliff kanë peshë në vendimmarrjen politike botërore. E do të duhej të kishin vend edhe në politikën kosovare.

Më duhet të përmend faktin e njohur të zbatimit të ligjit për fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit, kur ambasadori Cliff e vizitoi disa herë këtë komunë, në përpjekje për të bindur autoritetet lokale se ligji duhet të zbatohet. Gjithnjë duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë e marrëdhënieve jo shumë miqësore të shqiptarëve dhe serbëve lokal, ambasadori Cliff u angazhua në shtensionimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të këtushme. Aranzhoi takime e vizita të shumta, madje krerët komunal të Rahovecit patën takime edhe në Foreign Office (Ministria e Punëve të Jashtme) në lidhje me këtë temë, si dhe me temën e investimeve angleze në këtë komunë. Po ashtu u angazhua që Rahoveci të gjejë një partner strategjik në Angli me synim binjakëzimin. Pas shumë përpjekjesh që të dyja temat u përmbushën, ndonëse mbetet ende për të bërë për binjakëzimin. Ligji për Hoçën e Madhe ka marrë udhën e zbatimit, ndërsa investimet e kompanisë angleze kanë ndodhur, ku janë punësuar dhjetëra banorë të zonës në bjeshkën e Zatriqit ku bëhet nxjerrja e gurit dekorativ. Madje në ditën e përurimit të investimeve angleze ai erdhi në kushte ekstreme moti, nëpër shtrëngatë bore, gjë që në kushtet e “luksit” tonë kosovar do të ishte anuluar.

Në kohën e globalizimit dhe hapjes së tregjeve, pesha dhe suksesi i një diplomati matet me aftësinë e tij për të sjellë sa më shumë marrëveshje ekonomike me përfitime për vendin e tij. Mbi këtë konstatim vlerësoj se ambasadori Cliff e ka përmbushur me sukses misionin për vendin e tij. Mirëpo, ambasadori Cliff po na jep edhe mësime të vlefshme me sjelljen e tij prej diplomati. Do të duhej që klasa jonë politike t’i analizojë me kujdes dhe të përvetësojë këto veprime, duke i bërë norma të sjelljes politike. Në fakt mua më mungojnë edhe shumë të dhëna të tjera për mënyrën e realizimit të misionit të tij diplomatik në Kosovë, mirëpo ajo që duket qartë nuk kërkon shumë sqarime. Ian Cliff duhet të shërbejë shembull i komunikimit dhe kryerjes me përgjegjësi të obligimeve qytetare e shtetërore.
Populli ynë thotë, “Fshati që duket nuk do kallauz” dhe “Rrushi e sheh rrushin e piqet”.

(Autori është student i masterit në
Marrëdhënie politike ndërkombëtare
dhe diplomaci në Kolegjin “Victory”)

 

Më Shumë

TikTok mbyllet në Shqipëri sot

TikTok do të mbyllet në Shqipëri sot, ndërsa sipas shifrave, përdoruesit shqiptarë në këtë aplikacion, llogariten në 1.5 milion. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në...

Kalon gati në përplasje fizike – Gerta kap për flokësh Valbonën

Një situatë tjetër e ndodhur ka marrë vëmendje të madhe në Big Brother VIP Albania 4. Bëhet fjalë për një debat të ashpër mes Gerta...

Lajmet e Fundit