17.8 C
Prizren
E hënë, 16 Shtator, 2024

Liria e shtypit në Kosovë, në fazë të ridefinimit

GazetatSot shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Njohësit e zhvillimeve të mediave në vend mendojnë se në Kosovë mbetet edhe shumë për t’u bërë në mënyrë që të rritet liria e shprehjes në media.

Organizata Freedom House ka publikuar ditë më parë raportin e përvitshëm për lirinë e mediave në botë. Kosova, në krahasim me vitin e kaluar, ka shënuar përparim. Sivjet, ajo zë vendin e 98-të, për dallim nga viti 2013, kur ka mbajtur pozitën numër 102. Por njohësit e zhvillimeve të mediave në vend, vlerësojnë që liria e shtypit në Kosovë po kalon në një fazë të re të ridefinimit të saj.

Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, thotë që përparimi i Kosovës në lirinë e shtypit është minimal në krahasim me atë se çfarë është pritur nga Kosova. Sipas saj mediat në Kosovës sot janë në mes të ndikimeve komerciale dhe politike.

“Gazetarët kanë probleme të mëdha kur flitet për ndikimin politik dhe komercial tek mediat. Elitat politike i zgjedhin mediat që u shkojnë për shtati që të bëjnë më shumë reklamë dhe nuk i zgjedh ato mediat që janë më sfiduese. Këto janë sfidat më të cilat ballafaqohen mediat në Kosovë dhe lëvizja për katër vende nuk është diçka për të cilën duhet të krenohemi shumë”, theksoi Xharra.

Por ndryshe mendon doajeni i gazetarisë kosovare, Nehat Islami, i cili thotë që Kosova, në krahasim me vendet tjera të rajonit, të cilat kanë më shumë traditë se vendi ynë në këtë drejtim, është në një pozitë më të mirë se ato.

“Kjo nuk do të thotë që kemi kufizime në të drejtat e shprehjes, por kemi mangësi sa i përket gjendjes materiale të gazetarëve, mbrojtjes së gazetarëve, por nuk kemi pengesa në shprehje të lirë”, tha Islami.

Ndërkohë, Arben Ahmeti, kryeredaktor në gazetën ‘Tribuna’ mendon që mungesa e lirisë së shprehjes në Kosovë, derivon nga mungesa e demokracisë në partitë politike, të cilat shtrijnë ndikimin e tyre edhe në mediat e caktuara, përmes grupeve të interesit. Ai mendon që mediat në Kosovë, jenë duke ridefinuar veten e tyre dhe në këtë mënyrë po behët edhe ridefinimi i lirisë së tyre.

“Media në Kosovës është në ridefinim. Ne kemi pasur një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe kjo nuk ka lejuar që të degradohet deri në masë të papërmirësueshme. Unë pres që tash të shohim dhe të presim se si do të gjendemi në situata e reja. Mendoj që do t’i përjetojmë ato që i kanë përjetuar mediat e rajonit, por nuk besoj që ka vend për ndonjë përkeqësim më të madh sesa në rajon”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe Dita Botërore e Lirisë së Shtypit festohet çdo vit, anembanë botës, më 3 maj. Ky, sipas Kombeve të Bashkuara, është një rast për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit, si edhe për të vlerësuar lirinë e shtypit anembanë botës, për të mbrojtur mediat nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre dhe për të nderuar gazetarët të cilët kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre,shkruan RTK.

Në deklaratën e Kombeve të Bashkuara me këtë rast thuhet: “Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit 2011, u bëjmë thirrje të gjitha qeverive të bashkohen me Kombet e Bashkuara për të garantuar dhe për të promovuar lirinë e të shprehurit në shtyp, në radio-televizion si edhe në internet”.

Më Shumë

Zbulohet në Prizren busti i dëshmorit Xhevat Berisha

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Dëshmorëve të Prizrenit, sot u përurua busti i heroit kombëtar Xhevat Berisha në oborrin e shkollës që...

Sabri Fejzullahu, këngëtari i pranverës së Prishtinës, sot mbush 77 vjet

Sabri Fejzullahu i takon gjeneratës së vjetër të këngëtarëve i cili ka arritur që edhe në kohën e re të zë vendin e vet...

Lajmet e Fundit