19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Shkolla e parë shqipe, ja si u zhdukën objektet origjinale

87152Mungojnë objektet origjinale në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë. Në ndërtesën ku sot ndodhet ky muze, ku në vitin 1887 u hap shkolla e parë shqipe (njihej me emrin “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”), elementët origjinalë janë shumë të paktë për të mos thënë që janë inekzistentë. Drejtori i muzeut, njëherazi historian dhe koleksionist i njohur, Niko Kotherja, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” dje pohoi se aktualisht nga e kaluara në këtë muze ekzistojnë vetëm 3 pllaka grafiti që shkruanin nxënësit e asaj kohe, ndërsa vetë ai ka shtuar nga koleksionet e tij edhe lapsat origjinalë të tyre. Për herë të parë, ai bën publik faktin që zhdukja e shumë prej objekteve origjinale nga ky muze lidhet me qershorin e vitit 1902, kohë kur osmanët mbyllën shkollën shqipe dhe arrestuan drejtuesit e saj.

Si paraqitet gjendja e objekteve origjinale në Muzeun Kombëtar të Arsimit?
Natyrisht që shumë prej objekteve origjinale në këtë muze mungojnë, por ne jemi duke bërë përpjekje për rivitalizimin e këtij muzeu. Aktualisht objekte origjinale janë 3 pllaka grafiti, që përdoreshin për të shkruar nxënësit e asaj kohe. Unë vetë nga fondi im personal kam shtuar edhe lapsat origjinalë. Pak kohë më parë, këtij muzeu gjithashtu iu dhurua edhe kutia origjinale e saksofonit të Nikolla Peleshit, pjesëtar i “Bandës së Lirisë”, e cila është një vlerë e veçantë. Kjo për faktin se nga “Banda e Lirisë” për hir të së vërtetës nuk ka asnjë objekt. Së fundmi kemi mundur të sigurojmë edhe 2 foto të kësaj bande, e cila ishte e para bandë kombëtare me karakter të theksuar patriotik (e themeluar brenda kësaj godine). Bëhet fjalë për fotografi të viteve 1908 dhe 1910, ku pjesëtarët e kësaj bande kanë dalë në oborrin e shkollës së parë shqipe.
Pse janë zhdukur shumë prej objekteve origjinale?

Në qershor të vitit 1902, pas mbylljes së shkollës së parë shqipe nga osmanët dhe arrestimit të drejtuesve të saj, ndërtesa funksionoi si burg. Këtu mendoj është pika kryesore e lidhjes sa i takon zhdukjes së objekteve të Muzeut Kombëtar të Arsimit.
Ju thatë që jeni duke bërë përpjekje për rivitalizimin e këtij muzeu. Për çfarë e keni fjalën konkretisht?

Muzeu Kombëtar i Arsimit ngjall interes për shumë vizitorë dhe normalisht ne duam që t’u përgjigjemi interesit të tyre. Aktualisht kemi një bashkëpunim me bibliotekën e qytetit dhe kemi tërhequr plot 34 libra që i përkasin kohës së fillimit të shkollës së parë shqipe. Bëhet fjalë për tekste të asaj kohe, të shkruara nga nxënës të Mësonjëtores apo patriotë. Këta libra aktualisht gjenden në këtë muze dhe mbartin shumë interes. Kemi krijuar një bibliotekë brenda muzeut, fondi i së cilës deri tani ka arritur në 97 libra, që u përkasin periudhave të ndryshme. Këto libra janë dhuruar dhe janë pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Arsimit. Por jo vetëm kaq, ne jemi duke krijuar një arkivë dhe mediotekën. Pra, në këtë muze do të mund të gjenden edhe regjistrime audio dhe filmime, duke filluar nga pamjet më të vjetra, përfshi dhe fasadën e shkollës dhe imazhe të tjera si Parashqevi Qirjazi me zë dhe me figurë, apo Thoma Kosta Furxhi (një prej 3 nxënësve të parë të shkollës) etj.
Cili është projekti më i afërt?

Fakte të reja të nxënësve dhe mësuesve të Mësonjëtores së Parë Shqipe për figura, për të cilët ka qenë e ndaluar të flitej për të paktën 50 vite me radhë. Shumë shpejt do të jenë pjesë e këtij muzeu, pasi e plotësojnë edhe më tej ekzistencën e tij.
Sa i vizitueshëm është aktualisht ky muze?
Vetëm në muajin maj janë regjistruar së paku 1300 vizitorë. Interesi sa vjen dhe rritet, pasi siç thashë, ne jemi duke e pasuruar këtë muze, me qëllim që ai të kryejë edhe misionin e tij. Shumë shpejt do të jetë edhe një guidë turistike në 3 gjuhë për të ndihmuar turistët e huaj, konkretisht në gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht.

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

 

Më Shumë

Rahovec, digjen 350 trupa të kumbullave, 20 ari mal dhe një objekt – nisin hetimet

Një burrë ka raportuar në polici se nga një zjarr që ka shpërthyer për shkaqe të panjohura në Rahovec, i janë djegur objekti përcjellës...

Ndërron jetë në moshën 39-vjeçare ish-futbollisti i njohur i Ligës Premier

    Ish-mbrojtësi i klubeve angleze si Leicester City, Cardiff City dhe Leeds United, Sol Bamba ka ndërruar jetë në moshën 39-vjeçare.   Bamba ka qenë një punonjës...

Lajmet e Fundit