Zërat që kërkojnë ndryshime në LDK, vazhdojnë të shfaqin pakënaqësi për gjendjen në parti. Përkrah zonjës Donika Gërvalla, më aktivi në këtë drejtim është Naser Rugova. Ai insiston që figurat e amortizuara dhe ata që nuk kanë marrë vota në zgjedhje, duhet të zëvendësohen, pasi, sipas tij, nuk kanë më çfarë t’i japin LDK-së. Ai është treguar skeptik edhe për qasjen e LDK-së për të hequr dorë nga posti i kryeministrit duke ia lënë këtë liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj
Anëtari i LDK-së, Naser Rugova, të cilit nuk iu gjet një vend në listën për deputet, vazhdon të insistojë se subjekti i tij ka nevojë për reformë të brendshme, sidomos pas rezultatit në zgjedhjet e 8 qershorit. Ai ka shpjeguar për Gazetën Tribuna, se nuk ka asgjë kundër “pleqve të LDK-së”, por ka kritika për figurat e vjetra në parti. Këta të fundit, sipas tij, nuk kanë më çka t’i japin subjektit politik. “Elektorati i ka dënuar disa figura të amortizuara. Unë vetëm i kam konstatuar faktet.
Marrim p.sh Prizrenin: Dr. Hatim Baxhaku merr dyfish më shumë vota se Eqrem Kryeziu. Dr. Baxhaku nuk është i ri në moshë, por është prurje e re në LDK dhe ka reflektuar pozitivisht tek elektorati. Pastaj Anton Quni, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Arben Gashi e shumë figura të reja, kundruall disa të tjerëve që janë ndëshkuar nga elektorati”, ka thënë Rugova. Kjo gjendje, sipas tij, është tregues më i mirë se sa e nevojshme është reforma e shpejtë në LDK.
“Unë flas vetëm për nevojën e rifreskimit të vazhdueshëm të LDK-së dhe kërkoj reforma. Reformat nënkuptojnë gjetjen e një formule gjithëpërfshirëse dhe jo vazhdim me avaz të vjetër. Vazhdoj të qëndroj fuqishëm pas pozicionit se këto zgjedhje e paraqesin çastin e fundit për të reflektuar drejt ndryshimeve”, ka thënë Rugova. Ai ka vlerësuar se rezultati i 8 qershorit nuk është vetëm përgjegjësi e liderit Isa Mustafa por e një pjesë të njerëzve që sipas tij fshihet prapa liderit. “Rezultati i zgjedhjeve i ka identifikuar të gjithë këta që tërë kohën janë fshehur prapa liderit dhe që nuk e kanë dhënë ndonjë kontribut të dukshëm për fitoren e LDK-së.
Natyrisht as lideri nuk mund të shmanget nga përgjegjësia e tij, por kjo është një çështje që kërkon një debat më të gjerë dhe më serioz”, ka vlerësuar ai. Rugova që një kohë të mirë e kaloi edhe në Lidhjen Demokratike të Dardanisë, mohon se ka ambicie që të garojë për të parin e LDK-së kurdo që mbahen zgjedhjet. Sipas tij, këtë post duhet ta marrë ndonjë nga anëtarët e partisë të cilët kanë marrë vota në zgjedhjet e fundit, ndërsa është ankuar se struktura që po e kritikon, e ka privuar nga e drejta për të kërkuar vota më 8 qershor. Ai gjen edhe një arsye tjetër kur kërkon zgjedhje të shpejta në LDK. Kjo ka të bëjë me koalicionin e tri partive opozitare ku Isa Mustafa, partia e të cilit ka më shumë vota se dy partitë tjera, ka hequr dorë nga posti i kryeministrit. Ai ka kritikuar këtë qasje duke thënë se po krijohet precedent kur më i vogli po fiton pozita në krah të të madhit.
“Kam frikë se me këtë kombinim do të mund të instalohet përfundimisht primati i fuqisë së të voglit kundruall të madhit. Por, në të njëjtën kohë duhet cekur se sot të gjitha energjitë tona janë të fokusuara në parandalimin e një qeverie Thaçi 3 dhe kjo është diçka legjitime”, ka deklaruar Rugova. Lidhja Demokratike e Kosovës, për të tretën herë me radhë ka humbur zgjedhjet përball rivalit të PDK-së. Për herë të parë ndodhi në vitin 2007, kur kryetar ishte Fatmir Sejdiu, herën e dytë në vitin 2010 me kryetar Isa Mustafa, ndërsa humbja u përsërit edhe tash në vitin 2014. LDK pritet t’i futet së shpejti procesit të ri zgjedhor që do të rezultojë me zgjedhjen e organeve të reja gjatë vjeshtës.