-1.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024

Lajçi: Shqiptarët u bënë myslimanë për të mbijetuar

20140619090228798646Shqiptarët e pranuan islamin si fe pas boshnjakëve, por më herët sesa disa popuj të tjerë në Evropë.

Për historianin Lulëzim Lajçi, hulumtimet në disiplina të ndryshme nxjerrin në pah se arsyet e pranimit të islamit nga shqiptarët janë të natyrës politike, sociologjike, etnokulturore, filo¬zofike, fetare, gjuhësore, letrare, arsimore, artistike juridike. Me anë të kumtesës së tij “Islamizimi i popullsisë shqiptare gjatë sundimit osman”, Lajçi në sesionin e historisë me temën “Shqiptarët dhe Perandoria Osmane”, në ditën e tretë të “Javës së albanologjisë”, ka thënë se kalimi i shqiptarëve në islam ishte alternativë e mbijetesës.

“Fillimet e islamit institucional osman në trevat shqipfolëse i hetojmë në periudhën e vasalitetit osman mbi principatat shqiptare, në vitet ‘80 të shekullit XIV”, ka thënë sekretari shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. IAP-i për tri ditë ka qenë nikoqir i më se 100 studiuesve në konferencën shkencore që ka mbyllur punimet të mërkurën pasdite. Sipas Lajçit, në mënyrë masive shqiptarët nisën ta pranonin islamin në fillim të viteve ’90 të shekullit XIV, kur u themeluan institucionet e para islame në qendrën administrative dhe kulturore të Darda¬nisë Antike në Shkup. Për të, në atë kohë shqip¬tarët i ishin nënshtruar sundimit me dhunë të shtetit serb të Nemanjiqëve, dhe ky pushtet despotik i përdori shqiptarët vetëm për t’i shfrytëzuar në pikëpamje të ndryshme.

“Pra, në këtë shtet u krijua një antagonizëm i madh politik, fetar, etnik dhe kulturor në mes të popujve të nënshtruar. E shqiptarët, në mënyrë të veçantë, ishin të shfrytëzuar”, ka thënë ai. Sipas tij, duke u bazuar në këtë fakt shqiptarët ishin shumë të pakënaqur me gjendjen e tyre dhe prisnin rastin e parë për t’u çliruar nga kjo gjendje.
“Prandaj është e vërtetë se kalimi i shqiptarëve në islam pati për pasojë shkëputjen e ndikimit të mëtutjeshëm të kishës serbe e largimin nga ortodoksia skizmatike dhe njëherësh duke pranuar islamin, ata fituan hapësirë politike që të vinin në pah përkatësinë e tyre shqiptare”, ka thënë Lajçi. Për ta mbështetur studimin e tij, ai ka cituar edhe Jahja Bej Dukagjinin.

“Rasa shqiptare është rasa ime e ndritshme. Të parët e mi kanë qenë princa të Dukagjinit. E gjithë familja ime jeton nga shpa¬ta…”, ka cituar ai shkrimin e Jahja Bej Dukagjinit në shekullin XVI. Por vetë Lajçi e kundërshton tezën se vendosja e sundimit osman dhe përhapja e islamizmit në trevat ballkanike, për shqiptarët ishte shpëtim nga sllavizmi. Ndër arsyet e kundërshtimit ai ka përmendur faktin se pozita e shqiptarëve dhe e serbëve brenda Pera¬ndo¬risë Osmane, edhe pse jo plotësisht e barabartë, ishte e përafërt, pastaj ka thënë se shqiptarët e qyteteve të Kosovës hynë në kuadër të sanxhaqeve pothuajse etnikisht shqiptare. E fakt tjetër për këtë ka edhe të dhënat se me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan tashmë nuk ekzistonte një shtet i fortë serb si në kohën e Dushanit, dhe se përqindja e serbëve në qytetet e Kosovës ishte e parëndësishme.

“Por është e vërtetë se periudha dyshekullore e inkui¬zicionit të shtetit serb, e cila me çdo kusht luftonte t`ua impononte shqiptarëve ortodoksinë serbe, reflektoi në ftohjen e shqiptarëve nga ortodoksia për¬gjithësisht”, ka thënë ai. Për të arsyet bazë të konvertimit të shqiptarëve ishin rezistenca pothuajse njëshekullore e shqiptarëve kundër Perando¬risë Osmane, dhe veç¬anërisht epoka e Skënderbeut dhe mbrojtjet e kështjellave të fundit shqiptare. Përveç kësaj, ai thotë se arsye të tjera janë edhe refleksionet psikologjike tek populli shqiptar, nënshtrimi i plotë i të gjitha trevave shqiptare nga Perandoria Osmane, si dhe shpërngulja e shqiptarëve në Itali.

“Në islamizimin e popullsisë shqiptare ndikuan dhe vepruan edhe faktorë të tjerë socialë – politikë, si dhe masat shtypëse ekonomike dhe politike dhe sidomos politika e veçantë që ndoqi pushteti osman për ta thyer përfundimisht luftën çlirimtare të popullit shqiptar nëpërmjet islamizimit të tij”, ka thënë Lajçi. Për këtë ai ka thënë se pranimin e islamit te shqiptarët duhet parë si alternativë të mbijetesës. Sipas tij, konkluzioni se shqiptarët kaluan në islam për t`i shpëtuar sllavizmit është i paqëndrueshëm, siç është i paqëndrueshme edhe ajo se shqiptarët u konvertuan në këtë fe për shkak se ishte më liberale dhe më moderne.

“Kjo është e papranueshme nga fakti se edhe në ditët e sotme, pra në shekullin XXI, kur mënyra e të menduarit në përgjithësi dhe kur është fjala për fenë në veçanti, dallon shumë. Pakkush e ndërmerr një hap të tillë për t`u konvertuar në katolik, protestant, evangjelist”, ka shtuar ai. Ndërsa historiani turk, Mustafa Küçük, në kumtesën e tij “Duke iu referuar dokumenteve të arkivave osmane: serbët në mënyrë anarkike sulmuan shqiptarët para luftërave ballkanike”, ka folur për qëllimet serbe që shqiptarët të vriten ndërmjet vete. Sipas tij, në shpalosjen e 600 dokumenteve në arkivin osman ka gjetur se serbët në këtë periudhë kanë furnizuar shqiptarët me armë, që këta të fundit të luftonin me njëri-tjetrin.

“Ndërsa shtypi serb shkruante rrejshëm se shqiptarët janë armatosur për të sulmuar popullin e tyre të krishterë”, ka thënë Küçük.
Në ditën e tretë të “Javës së albanologjisë”, ku në dy seanca pune është diskutuar për shqiptarët në relacion me Perandorinë Osmane, ndër studiuesit që janë paraqitur me kumtesat e tyre janë edhe historiani Memli Krasniqi me kumtesën “Kundërthëniet sociale në Sanxhakun e Shkupit në gjysmën e parë të shekullit XIX”, Naser Ferri me kumtesën “Kujdesi joadekuat ndaj trashëgimisë kulturore të periudhës së sundimit osman” e Pëllumb Xhufi me kumtesën “Turq që luftojnë kundër turqve: Kryengritjet e myslimanëve shqiptarë në shekullin XVII-XVIII” .

Ky i fundit ka thënë se titullin e kumtesës e ka shkëputur nga një relacion nga Himara e mitropolitit të Durrësit, Simeon Lascari, në mars të vitin 1661. Sipas Xhufit, Lascari, mes të tjerash, kishte folur edhe për fshatrat Dukat e Progonat, ku banorët e këtyre vendeve në këtë kohë ishin ngritur kundër Portës së Lartë.
“Dukati është një fshat me një mijë banorë, të cilët janë kryengritës turq. Aty ndodhet edhe fshati Progonat, që bën gjithsej dy mijë banorë edhe ata janë turq që luftojnë kundër turqve”, ka cituar ai Lascarin. Sipas Xhufit, relacioni i Lascarit meriton një analizë të kujdesshme.

“Përcaktimi ‘turk’ që u bëhet aty banorëve të fshatrave Dukat e Progonat, nuk nënkupton qenien etnike të tyre, por thjesht atë fetare. Cilësori ‘turk’, aty vlen për ‘mysliman’”, ka shpjeguar ai. Në edicionin e pestë të “Javës..”, që ka filluar të hënën, 100 studiues kanë paraqitur kumtesat e tyre në dhjetë seanca pune, ku përveç historisë është diskutuar për letërsi me temën “Periodiku letrar shqiptar”, në etnologji me temën “Etnologjia dhe antropologjia shqiptare-gjendja dhe sfidat”, në gjuhësi me temën “Shqipja e sotme në hapësirat mbarëshqipfolëse-gjendja dhe perspektivat, si dhe për folklor në temën “Folklori dhe teknologjia e komunikimit: raporte pranuese e kundërshtuese”.

Më Shumë

Muzeu ‘Ismail Kadare’ në Gjirokastër, rreth 8 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit

Muzeu i shkrimtarit të letrave shqipe Ismail Kadare ka qenë një prej aseteve më të frekuentuara turistike që prej fillimit të vitit 2024 e...

Zhduket një burrë në Suharekë, Policia nis hetimet

Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të personit të zhdukur në komunën e Suharekës. Sipas njoftimit zyrtar, më 23 dhjetor 2024, rreth...

Me zemër

Lajmet e Fundit