17.7 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Staffan de Mistura, i dërguari i ri i OKB-së për Sirinë

90509Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon emëroi diplomatin veteran Staffan de Mistura në postin e të dërguarit të tij të ri për Sirinë.

De Mistura zëvendëson të dërguarin e mëparshëm, Lakhdar Brahimi, i cili dha dorëheqjen nga ky post në fund të majit, pas dështimit të raundit të dytë të bisedimeve të Gjenevës dhe zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në Siri.

67-vjeçari De Mistura, i lindur në Suedi dhe që ka gjithashtu kombësi italiane, ka një eksperiencë 10-vjeçare me poste të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mes tyre në disa prej misioneve më të vështira, si Afganistani dhe Iraku. Zoti Ban tha se këto eksperienca do t’i shërbejnë atij mirë në rolin e tij të ri:

“Ai do të sjellë të gjithë ekspertizën dhe eksperiencat që ka në negociatat tepër të vështira të paqes në Siri. Prandaj, unë kam besimin se ai do të jetë i aftë ta kryejë detyrën si i dërguar i posaçëm.”- tha Sekretari Ban.

Zoti De Mistura do të jetë vetëm i dërguar i Kombeve të Bashkuara, jo njëkokësisht edhe i Lidhjes Arabe, siç ishte zoti Brahimi. Zoti Ban tha se ai do të ketë një zëvendës arab, diplomatin egjiptian Ramzy Ezzeldine Ramzy:

“Në marrjen e këtij vendimi, unë jam konsultuar me disa njerëz, përfshirë edhe autoritetet siriane. I dërguari i posaçëm do ndihmojë në përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, si dhe do t’i japë shtytje zgjidhjes paqësore të krizës siriane.”- tha zoti Ban.

Zoti Ban Ki-moon i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe palëve të konfliktit në Siri, që t’i japin një mbështetje të përbashkët të dërguarit të ri, në mënyrë që ai të ketë sukses në misionin e tij.

Zoti de Mistura do ta marrë detyrën menjëherë, por nuk dihet në se do ta ketë bazën në Kombet e Bashkuara, në Gjenevë, apo në Damask.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Koalicionin Sirian, Najib Ghadbian, e mirëpriti njoftimin e zotit Ban, duke thënë se grupi i opozitës siriane pret me kënaqësi që të bashkëpunojë ngushtë me zotin de Mistura dhe me ekipin e tij, për arritjen e një tranzicioni politik drejt vendosjes së demokracisë në Siri.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Samantha Power, po ashtu e mirëpriti emërimin e zotit de Mistura, por theksoi se ai do të ndeshet me sfida në rolin e tij të ri, përfshirë ndalimin e qpllimshëm nga qeveria siriane të ndihmave humanitare jetike që t’u shkojnë sirianëve në zonat e rrethuara dhe të ato të largëta.

Më Shumë

Dy aksidente brenda gjysmë ore në Prizren

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur në dy vende të ndryshme në Prizren brenda gjysmë ore. “Kanë qenë dy aksidente rreth orës 16:00 dhe 16:30. Në...

Suso kthehet në shtëpi – Liria rikthen një figurë emblematike

Liria ka zyrtarizuar rikthimin e mesfushorit Fitim Susuri, një prej figurave më të njohura të skuadrës prizrenase ndër vite. Në njoftimin e bërë publik nga...

Lajmet e Fundit