18.1 C
Prizren
E enjte, 5 Qershor, 2025

Libri që ruan gjuhën dhe kulturën shqiptare në Suedi

Libri-Thesari kombetar i mergates shqiptareShoqata e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë “Papa Klemendi i XI-Albani” i Suedisë ka promovuar në Kullën e Bajraktarit (familjes Geci) në Llaushë të Skenderajt librin “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi 3”.

Pjesëmarrësit në promovim, shkrimtarë, publicistë dhe artistë vlerësuan se libri flet me gjuhën e dokumenteve origjinale të aktiviteteve të zhvilluara në mërgatën shqiptare në këtë shtet skandinav. Përpos materialeve të shumta, ky libër ka për qellim edhe ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

Profesor Fetah Bahtiri, anëtar i kryesisë së Shoqatës të Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë “Papa Klemendi i XI-Albani” në Suedi, foli me mirënjohje për Fadil Gecin, i cili siç tha Bahtiri, ka kontribuar fuqishëm dhe ka investuar për botimin e këtij libri që dëshmon kontributin e mërgatës shqiptare për ta ruajtur kulturën dhe gjuhën.

Prof. dr. Mehmet Rukiqi, më tepër foli për familjen Bajraktari në Llaushë, e cila siç tha ai që nga vitit 1878 ishte në ballë të aksioneve dhe përpjekjeve për çlirim kombëtar, ndërsa Zekë Murseli, dramaturg, tha se libri është promovim vlerash që janë të rëndësishme për kulturën dhe veprimtarinë e krijuesve edhe në mërgatën shqiptare.

“Ajo që të bie në sy është se është punuar në grupe rreth botimit të këtij libri, do të thotë jashtë ndikimeve politike. Po ashtu, në këtë libër shihet se mërgata shqiptare nuk kurseu asgjë për të dhënë kontributin e saj për të mirën e popullit dhe të atdheut. Kjo e pasuron kulturën tonë në përgjithësi”, tha Murseli.

Gazmend Boletini, nip i Isa Boletinit, tha se puna dhe vepra e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Suedi po dëshmon qartë se sa shumë po angazhohet në krijimin e urës lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptar në Suedi dhe vendasve.

“E gjithë e mira e kësaj vepre është se nuk ka politikë, por kryesisht atje zhvillohet një aktivitet që i përshtatet dhe është në të mirë të mërgatës shqiptare”, tha Boletini.

Ndërkaq, Fadil Geci tha se ky libër është vazhdimësi e librave të thesarit kombëtar që i kushtohet kontributit, angazhimit, veprimtarisë e sakrificës së bashkatdhetarëve tanë anekënd botës, që vunë gurë në themelet e pavarësisë së Kosovës dhe për të realizuar këtë janë përfshirë shumë vende, aktivitete, veprimtarë e aktivistë, qindra dokumente.

“Andaj, mërgata ishte dhe mbeti pjesa më atdhetare e kombit, sepse ajo ka kryer me dinjitet detyrën e misionin e saj në kohë më të duhur për kombin, si në kohë lufte po ashtu edhe në kohë paqeje”, tha Geci, ndërsa Mursel Ibrahimi vlerësoi se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë kujdes për mërgatën shqiptare kudo që gjendet, për shkak se ajo mbajti gjallë në kohët më të vështira të gjitha aktivitetet e domosdoshme dhe përpjekjet për çlirimin e atdheut./Zëri/

Më Shumë

Drejtoresha Veselaj-Gutaj pranon çelësat e shkollës së re në lagjen “Dardania 2”

Sot, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, pranoi zyrtarisht çelësat e shkollës së re në lagjen “Dardania 2”, raporton PrizrenPress. Sipas...

“Espresso Macchiato” më 7 shtator në Rahovec për Hardh Fest

Përfaqësuesi i Estonisë në “Eurovision 2025”, Tommy Cash, i njohur me këngën që iu bë virale – “Espresso Macchiato”, më 7 shtator do të...

Lajmet e Fundit