16.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Giorgio Armani, një burrë, një markë

Giorgio ArmaniArmani është mjeshtër i kostumeve me stil. Ai gjithmonë është konsideruar si perfeksionist, që u përmbahet kontureve të qarta, preçize dhe ngjyrave klasike. Që me koleksionin e parë në vitin 1974 ai skicoi veshje të rehatshme dhe njëkohësisht elegante. Ai qysh atëherë e nxorri jashtë përdorimit kostumin e ngrirë. Edhe për verën 2015 ai sërish trajton temën e tij të preferuar. (në fotografi).

Lojë me klishetë

Në 1975 Armani krijoi koleksionin e tij të parë për gra duke ndjekur në të stilin e tij të modës për burrat. Këto krijime i përshtateshin në mënyrë perfekte frymës së kohës, sepse ato e prishën siluetën tipike të modës së burrave dhe grave. Kostumet e burrave nuk kishin astar dhe as vata. Ndërsa prerjet disi mashkullore të veshjeve për modën e gruas simbolizonin forcë.

Në 1966 i riu Armani u njoh në Milano me shokun e tij të jetës Sergio Galeotti. Arkitekti ishte ai që e inkurajoi krijuesin e modës për të hapur studion e tij në Milano. Në vitin 1975 ata themeluan shtëpinë e modës Giorgio Armani. Pas vdekjes së Galeottit në vitin 1985 Armani mori edhe pjesën e tij prej 50% të aksioneve të firmës duke u bërë që nga ajo kohë menaxheri i vetëm i kësaj marke.

Ndërkohë Armani është stilisti më i suksesshëm i Italisë. Lista Forbes e rendit atë në vendin e pestë ndër italianët më të pasur. Pasuria private e tij llogaritet të jetë mbi 7 miliardë euro. Ai është pronari i vetëm i më shumë se 2000 dyqaneve dhe 13 fabrikave të vetat. Ai është përgjegjës për më shumë se 5000 punonjës.

Fillimet e Giorgio Armanit ishin modeste. Ai lindi në vitin 1934 në qytetin provincial Piacenza pranë Milanos. Ai rrjedh nga një familje e thjeshtë. Edhe sot e kësaj dite ai qëndron i tërhequr dhe pothuajse nuk shfaqet në skenën e modës. Veçoria e tij është pulovri prej kashmiri në ngjyrë blu dhe pantallonat e thjeshta prej fanellate – që i mban veshur edhe gjatë sfilatave të modës.

Nga Milano në Hollywood

Krijuesi i modës qysh nga fëmijëria është një tifoz i filmit. Shumë shpejt ai e kuptoi, se Hollywood-i ofron një sfond perfekt për reklamën dhe hapi atje si i pari stilist një filial. Në 1980 ai skicoi kostumet për filmin “American Gigolo” me Richard Gere. Edhe për filmin “The Wolf of Wall Street” (2013) me Leonardo DiCaprio krijuesi i modës ka ideuar disa kostume.

Armani ideon veshje jo vetëm për artistë, por edhe për sportistë. Në Lojërat Olimpike 2012 në Londër ekipi italian mbante jo vetëm flamurin kombëtar, por edhe veshjet Armani. Për sezonin e ardhshëm të Bundesligës Armani do të prodhojë veshjet sipas masës për ekipin e Klubit të Futbollit Bajern i Mynihut.

Armani ofertën e tij qysh në vitet 1980 e zgjeroi edhe me parfume. Ndërkohë perandoria e tij përfshin madje edhe disa hotele – si ky në fotografi në ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai. Edhe kafe, çokollata, reçel si dhe një veturë e ideuar për Mercedes Benz kanë dalë prej shtëpisë së tij. “Emporio Armani” – siç quhet marka – është status.

Pa grinë s’mund të kuptohet moda e Giorgio Armanit. Prefrencën e tij për këtë ngjyrë ai e ka shpjeguar njëherë në një intervistë duke theksuar, se Milano qyteti i tij është një qytet gri, në të cilin nuk mund të jesh „një Flamingo shumëngjyrësh”. Kaq qenësore është kjo ngjyrë për stilistin, sa që tashmë ka një gri të posaçme Armani – të ashtuquajtuarën “greige”, një kombinim i grisë me bezhën.

Modë që i mbijeton kohës

Armani nuk është tërhequr në kullën e fildishtë: Ai është një ndër të parët stilistë të modës, që i largoi nga pasarelat modelet me një indeks të ulët të BMI-së (Body Mass Index). Ndonëse edhe moda e tij vazhdimisht ndryshon, ai thekson, se gjithmonë orientohet sipas nevojave të njerëzve dhe jo sipas koncepteve.

Më Shumë

Peja triumfon ndaj Yllit

Peja ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 98:86 (25:23, 27:21, 26:19, 20:23), për të ngushtuar serinë gjysmëfinale të “Play-offit” në 2:1. Te...

Sot, Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur

Në Kosovë sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në...

Lajmet e Fundit