2.6 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Ferati: Tendencat e Serbisë janë të dëmshme

Sadri-FeratiIsh-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pa fuqi legjislative dhe ekzekutive.

“Asociacioni i komunave është organizim vullnetar, kështu edhe është thënë nga përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës, prandaj duhet të mbetet si tillë. Duhet të jemi të qartë se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë asnjë fuqi ekzekutive dhe legjislative”, ka deklaruar Ferati për “Epokën e re”.

Ai i ka vlerësuar të dëmshme tendencat e Serbisë për të hartuar statut të veçantë për asociacionin e komunave me shumicë serbe, me të cilin parashihet që arsimi dhe shëndetësia të mbesin në sistemin e saj. “Të gjitha çështjet e tjera që Serbia po tenton t’i zgjidhë nga asociacioni janë të dëmshme. Mendoj se edhe nëse ka diçka për t’u diskutuar ajo duhet gjithmonë të diskutohet me Prishtinën, por kurrsesi me asociacionin e komunave me shumicë serbe. Prandaj këto tendenca të Serbisë janë të dëmshme”, është shprehur Ferati.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të reagojnë ndaj këtyre tendencave dhe në asnjë mënyrë të mos lejojnë realizimin e tyre. “Republika e Kosovës jo vetëm se duhet të reagojë, por nuk duhet të lejojë që kjo të diskutohet për të qenë çështje e asociacionit të komunave me shumicë serbe ngaqë, siç dihet edhe me pakon e Ahtisarit, në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor janë paraparë kompetenca të zgjeruara për këto komuna dhe janë shumë të mjaftueshme ato. Prandaj kjo nuk duhet të ndodhë që ato të menaxhohen nga asociacioni i komunave serbe ngase atëherë veç po ndryshon statusi i komunave veriore. Kjo do të jetë e dëmshme”, ka theksuar Ferati. Sipas tij, Serbia është duke tentuar të deformojë çdo gjë. “Bazuar në deklaratat e tyre, mund të lexohet se Serbia po konsideron se kjo çështje është një pjesë e punës. Dhe duke vazhduar kështu, Serbia gjithë procesin e dialogut më tutje do ta kushtëzojë me kompromise të vazhdueshme derisa në një moment të gjitha t’i deformojë”, ka deklaruar Ferati. Në këtë kontekst, Ferati ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes shumë të madh në mënyrë që me krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe të mos lihet përshtypja se është formuar një qeveri apo një parlament. “Sa i përket funksionimit, mendoj se nuk duhet të lejohet derë e vogël që nëpërmjet asociacionit të komunave me shumicë serbe të lihet përshtypja se është formuar një qeveri apo ndonjë parlament. Në këtë drejtim duhet një kujdes i madh i Prishtinës që diçka e të tillë mos të ndodhë”, është shprehur Ferati, duke shtuar se ende ka paqartësi se çfarë asociacioni do të formohet. “Dokumenti nuk ka kaluar në Kuvend. Ky dokument është ndalur në komisionin në të cilin isha edhe unë. Pikërisht është ndal për këto çështje që po diskutohen sepse është kërkuar një qartësi se çfarë asociacioni të komunave do të ketë dhe cila do të jetë veprimtaria e tij konkrete. Presim që të funksionalizohet kuvendi, pastaj të vijë ai dokument për t’u miratuar”, ka thënë Ferati.

Ndërkohë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, një ditë më parë ka deklaruar se Qeveria e Serbisë është duke e hartuar një statut për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, me të cilin do të parashihet që arsimi dhe shëndetësia të mbesin në sistemin e saj. “Ne duam që sa më parë të flasim me politikën shqiptare në Kosovë, që ta miratojmë statutin e asociacionit dhe të themelojmë atë. Kontribuuesit serbë të arsimit e të shëndetësisë në Kosovë paguhen nga Qeveria e Serbisë dhe Beogradi nuk e ka ndërmend ta ndalojë këtë. Kjo do të rregullohet edhe me anë të statutit të asociacionit të komunave serbe”, ka theksuar Gjuriq.

Më Shumë

Mbyllet nata e dytë e Fest 63, plotësohet mozaiku i 30 këngëve në garë për finalen e madhe

Kompletohet paraqitja e 30 këngëve në garë për trofeun e Fest 63, këngë e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion. Me mbylljen...

Prizreni diskuton sfidat dhe objektivat në arsim për vitin e ri shkollor

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, zhvilluan sot një takim me drejtorët...

Lajmet e Fundit