3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Jahjaga: Pajtimi ka kuptim kur pranohen realitetet

Jahjaga-Forumi Evropian AlpbachPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë sot në panelin “Nga pajtimi drejt integrimit” në kuadër të Forumit Evropian Alpbach në Austri.

Së bashku me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe pjesëmarrës nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe nga rajoni i Evropës Juglindore, pjesëmarrës në panel, Presidentja Jahjaga ka folur për rrugën evropiane të Kosovës dhe të rajonit, përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, vendosjen e drejtësisë për viktimat e luftës si dhe përfshirjen e të rinjve në proceset e rëndësishme të vendeve të tyre. Pjesëmarrës në punimet e panelit ku folën Jahjaga dhe Nishani, ishte edhe presidenti i Republikës së Austrisë, dr. Heinz Fischer.

Para fillimit të punimeve të panelit “Nga pajtimi drejt integrimit”, në shenjë respekti për presidenten Jahjaga dhe presidentin Nishani në Forumin Evropian Alpbach, presidenca austriake dhe organizatorët e Forumit organizuan një pritje ceremoniale me gardën e Landit të Tirolit.

Në vazhdim po e botojmë të plotë fjalën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Forumin Evropian Alpbach.

Jam e nderuar që jam sot këtu mes jush, në njërin prej Forumeve më të rëndësishme në Austri, që ka mbledhur deri më sot një numër të madh të udhëheqësve shtetërorë, botën akademike e në veçanti studentët nga vende të ndryshme të botës. Për më tepër jam e nderuar që sot jam këtu së bashku me presidentin shqiptar Nishani dhe me pjesëmarrës të nderuar nga vende të tjera të rajonit, në një vend mik i rajonit tonë siç është Austria, që ka vazhduar të tregojë përkushtimin për të përafruar Ballkanin me Evropën.

Dua që fillimisht të falënderoj Presidentin Fischer për vizionin dhe besimin e tij për një Evropë të Bashkuar, me Ballkanin brenda saj dhe gjithashtu organizatorët e këtij Forumi, që përmes trajtimit të çështjeve të ndryshme në botë, për dekada të tëra e kanë ngritur atë në një nivel të një Forumi të rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët.

Jam veçanërisht e nderuar që sot shoh këtu këta të rinj e të reja, studentë edhe nga vendi im, Kosova por edhe nga vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, nga Serbia, që së bashku trajtojnë temat e të përditshmes së tyre dhe gjithashtu temat e zhvillimit të tyre. Pa paragjykime, pa dallime kombëtare (që dikur kanë shfaqur pengesa), të barabartë, me synimet për të gjetur zgjidhjet për një të ardhme më të mirë, në një botë të integruar. Është e jashtëzakonshme kur të rinjtë që vijnë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, që zakonisht ka prodhuar më shumë histori se sa mund të konsumojë, siç do të thoshte ish-kryeministri britanik Churchill, ta shohin njëri tjetrin përtej urrejtjeve, smirës dhe inateve ballkanike, duke dëshmuar se pajtimet mes njerëzve e popujve janë të mundshme dhe se integrimet varen plotësisht nga vullneti i tyre.

Ju jeni burim i përparimit të vazhdueshëm të vendeve tuaja dhe njëkohësisht ura më e fuqishme e bashkëpunimit, që ndryshon perceptimin ndaj njëri tjetrit dhe për njëri tjetrin.

Po takohemi sot së bashku, në një vend miqësor në një periudhë kur rajoni i Ballkanit po provon të ndryshojë perceptimin e botës ndaj tij dhe në kohën kur ndryshimet në vendet e këtij rajoni kanë lënë shenja të dallueshme në disa vite të fundit. Përtej dhunës dhe hegjemonive, rrënimeve e shkatërrimeve të jetëve të njerëzve, përtej hasmërive të vjetra dhe mosdurimit ndaj njëri-tjetrit, sot rajoni i Ballkanit Perëndimor, sado ngadalë, po dëshmon vullnetin për bashkëpunim dhe bashkëjetesë, që çon drejt përmbylljes së proceseve të integrimit euroatlantik.

Dhe kjo bashkëjetesë nënkupton pajtim – mes njerëzve – që e kanë parë njëri tjetrin me dyshime. Pajtim të drejtë dhe të plotë – me drejtësinë që do të vihet në vend, për të shëruar shpirtrat e të gjitha atyre viktimave të luftërave të përgjakshme – posaçërisht për gratë e përdhunuara dhe për familjet e atyre që sot ende janë të zhdukur. Dhe pajtimi ka kuptim kur pranohen realitetet! Sepse kjo ndryshon edhe qasjen e fqinjëve ndaj njëri tjetrit dhe përshpejton rrugën drejt BE-së.

Për secilin nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, BE-ja ka kuptimin e një force shtytëse për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e të gjithëve, dhe mbi të gjitha sepse është opsioni më i pazëvendësueshëm me ndikimin më të madh në transformimin e ekonomive dhe politikave tona. Është projekt i qytetarëve tanë, pa dallim, në secilin shtet të Evropës Juglindore dhe alternativë e vetme për secilin prej nesh. Kosova është pjesë e përpjekjes së përbashkët të rajonit për integrim në BE, po aq sa edhe kontribuuese e fuqishme për stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë. Projekti i BE-së ka kuptim të plotë vetëm atëherë kur të përmbyllet me anëtarësimin e të gjitha vendeve tona në familjen evropiane, si të barabarta dhe në bashkëpunim e pajtim me njëra-tjetrën.

Më Shumë

Vetëvendosje akuzon drejtorin Lamaj për manipulim të çmimit të shtyllave elektrike në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të drejtorit të Shërbimeve Publike të kësaj komune, Çelë Lamaj, të bëra gjatë seancës së...

Sonte dueli i madh, Fury – Usyk

Sonte është një duel i zjarrtë për ardhuruesit e boksit. Tyson Fury  do të përballet me Oleksandr Usyk rreth orës 23:00. Ukrainasi është kampion i...

Lajmet e Fundit