Kryetari legjendar: Nuk frikësohem nga askush

Visar Arifaj-lexhendariiNjerëzit që nuk i pëlqejnë fare janë ata të cilët nuk kanë sens të humorit, kurse gjërat që e bëjnë nervoz janë sirenat e veturave dhe hedhja e mbeturinave nëpër rrugë. Kështu të paktën ka treguar kryetari legjendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, i cili në intervistën ndryshe në gazetën Tribuna ka shpalosur edhe detaje të tjera rreth jetës së tij private.

Si fëmijë ka qenë shumë i urtë, mirëpo duke u rritur ka filluar të bëhet më çapkën. Qysh në klasën e pestë të shkollës fillore ka mësuar që të ikë nga orët e mësimit dhe të kopjojë gjatë testeve. Këtë përshkrim të fëmijërisë e ka bërë Visar Arifaj gjatë intervistës ndryshe në gazetën Tribuna. Ai gjithashtu ka zbuluar se pasioni i tij është çiklizmi.

Tribuna: Si e kujtoni fëmijërinë tuaj, me pak fjalë?

Arifaj: Si fëmijë kam qenë i urtë, mirëpo kur kam dalë në klasën e pestë kam mësuar taktikat e ikjes nga ora, po ashtu kam mësuar edhe kopjimin, sidomos në lëndët që kërkonin të mbahej mend shumë siç ishte ajo e gjeografisë.

Tribuna: Cili është libri dhe filmi që ju kanë lënë më së shumti përshtypje?

Arifaj: Libri që e kam lexu, që më ka lënë përshtypje e që mendoj që duhet më bë obligative me lexu është “The Hitchhiker’s Guide of the Galaxy’ nga Douglas Adams kurse prej botës kinematografike më pëlqejnë shumë filmat e Halil Budakovës.

Tribuna: Cili është gjësendi më i shtrenjtë në dollapin tuaj?

Arifaj: Janë vizatimet e shkollës fillore dhe ndoshta pas disa vitesh do t’ia jap si donacion Galerisë së Arteve të Kosovës.

Tribuna: Cila është e meta juaj më e madhe?

Arifaj: E kam vërejtur që i kam dy të meta; e para është së gjithmonë vonohem kur të dal dhe e dyta është se shpërqendrohem shumë lehtë kur jam duke biseduar me dikë.

Tribuna: Çfarë vëren fillimisht te një femër?

Arifaj: Fillimisht ja ndjej aromën dhe me pëlqen kur i vjen era e mirë, por jo me pas aromë të ndonjë parfumit, sidomos nëse është parfum i vaniljes. Nuk mund ta duroj assesi.

Tribuna: Cilëve tipa të njerëzve u ikni?

Arifaj: Ju iki njerëzve që nuk janë të hapur dhe nuk kanë sens të humorit dhe që nuk e kuptojnë hajgaren.

Tribuna: Pasioni juaj i preferuar?

Arifaj: Pasioni im i preferuar është çiklizmi.

Tribuna: Çfarë mund të ju nervozoj në moment?

Arifaj: Sirenat e veturave, njerëzit që pështyjnë në rrugë dhe ata që gjuajnë mbeturina në rrugë dhe muzika e keqe më bëjnë shumë nervoz.

Tribuna: Kur keni kërkuar për herë të fundit ndihmë?

Arifaj: Çdo ditë kërkoj ndihmë, më së shumti kërkoj kur kam nevojë të konsultohem për ndonjë çështje më dikë nga shoqëria ime.

Tribuna: Cila është frika juaj më e madhe?

Arifaj: Jam një njeri që nuk kam frikë nga asgjë dhe nga askush. Nuk frikësohem as nga ndonjë kafshë apo insekt, madje i dua krejt kafshët dhe krejt insektet më pëlqejnë.

Tribuna: Pa çfarë nuk dilni kurrë nga shtëpia?

Arifaj: Nuk dal pa rroba dhe këpucë. Por gjithmonë i kontrolloj xhepat se mos i kam harruar çelësat, kuletën apo telefonin.

Tribuna: Çfarë i thoni më së shpeshti vetes kur shikoheni në pasqyrë?

Arifaj: E lëvdoj veten shumë dhe vazhdoj me i shtrydhë puçrrat.

Tribuna: Kur keni hipur për herë të fundit në trafik urban?

Arifaj: Para dy jave. Por, ma shumë udhëtoj me biçikletë se më duket se mbërrij më shpejt në destinacion.

Tribuna: Nëse i kishit fituar në lotari 1 milion euro, ku i kishit shpenzuar më parë?

Arifaj: Me siguri se i kisha shpenzuar me entuziastët e teknologjisë në Kosovë. Kishim bë çdo gjë që na bie ndërmend dhe një pjesë i kisha shpenzuar me ik prej Prishtinës kur merr koha e ftohtë.

Tribuna: Destinacioni juaj i ëndrrave?

Arifaj: Gjatë periudhës së jetës time, destinacion të ëndrrave e kam vizitën në planetin Mars.

Tribuna: A bëni punë shtëpie?

Arifaj: Po shpesh. Sidomos laj rroba dhe përgatis ushqim për veten. /Tribuna/

Më Shumë

Deri në 33 gradë sot

Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vendi sot do të ndikohet nga mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas njoftimit të institutit,...

50 aksidente trafiku dhe 2064 gjoba brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar për statistikat e përgjithshme për 24 orët e fundit, gjatë të cilave janë regjistruar dhjetëra aksidente trafiku dhe janë...

Lajmet e Fundit