Rita Petro ka shkuar para… këtë e shpreh hapur dhe poezia e saj, që thyen tabu, por këtë e ka thënë edhe kritika: “… një rast ky atipik për letrat shqipe, kur thelbi i poezisë së një autori përputhet me thelbin e qenies së tij”. Por sa e lehtë është të shkruash poezi erotike pa u ndier e paragjykuar në Shqipëri? “Me siguri do jem paragjykuar, por nuk e kam ndier, pasi nuk jam marrë asnjëherë me këtë gjë. Poezia shkruhet në vetën e parë, nuk është si proza që t’i mbulon “horrllëqet” me vetën e tretë. Nëse do vërtet të jesh poet i suksesshëm ka vetëm një rrugë, të sfidosh realitetin mbytës që vjen nga shoqëria përreth, por mbi të gjitha egoizmin e njerëzve me të cilët ti jeton… ata janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë tënde… ata janë të parët që ushqejnë autocensurën tënde”. Kështu shprehet poetja Rita Petro, në një intervistë për “Shekulli”-n. Ajo tregon detaje nga fëmijëria e saj, lidhja e saj me prindërit, liria dhe poezitë e ruajtura në sirtar, por edhe marrëdhënia e saj me vajzën, Sofianën dhe bashkëjetesa me Latif Ajrullain.
Si ka qenë fëmijëria juaj Rita? E lumtur, e lirë, e frikësuar? Diçka që të është fiksuar prej saj?
Sot mendoj se padyshim kam kaluar një fëmijëri të lumtur, me prindër që na kanë mësuar mua dhe motrës sime të çmojmë dashurinë e miqësinë dhe të vlerësojmë punën dhe njerëzit e punës. Kur isha e vogël mendoja se më mungonte liria. Prindërit e mi, veçanërisht babai ishte natyrë e rreptë, për sa i përket disiplinës dhe mua kjo disiplinë më dukej si mungesë lirie, ndërsa ime motër as që shqetësohej fare nga kjo. I kisha zili familjet fqinje me shumë fëmijë, të cilët nuk hanin e nuk flinin me orar. Më e sigurt ndihesha kur mbyllesha në banjë e bisedoja gjatë me zë me personazhet e trilluara në kokën time. Por, tamam ndjesinë e lirisë mendoj se e kam përjetuar për herë të parë ditën kur vdiq gjyshja. Në fakt e doja shumë, pavarësisht se në atë moshë nuk e kupton se do më shumë akulloren, mamin apo qenin. Pikërisht atë ditë në atë atmosferë zymtie që kishte rënë për herë të parë në shtëpinë tonë, unë ndjeva një ngazëllim djallëzor: “Më në fund më takonte mua çelësi i shtëpisë…unë do ta varja atë në qafë dhe nëse do ta kyçja veten apo do ta nxirrja jashtë për të luajtur, ishte në dorën time, sigurisht deri çastin kur prindërit do të ktheheshin nga puna. Më vonë në adoleshencën e hershme ndihesha vajza më e lumtur në botë kur babai ikte me shërbim. Nëse do të më pyesje tani se kaq gardian burgu paska qenë babai yt? Do të përgjigjesha: “Jo aspak, vetëm mungesa e hijes së pushtetit të tij në shtëpi më jepte ndjesi lirie…pa le kur iknin ndonjëherë në ndonjë qytet tjetër me mamanë…kënaqësia ishte e pafund. E pra, mjafton të hapje krahët as i majti, as i djathti nuk cekte as te njëri as te tjetri prind. Ndihesha e lirë…”.
E ke ende sot në qafë këtë çelës?
S’e kam hequr asnjëherë nga qafa…ha ha ha… e burgos apo e çliroj veten kur dua unë dhe jo kur do babai, i dashuri, bashkëshorti, shefi, kryeministri apo Zoti vetë, që mendon se ka në dorë çelësin tim.
I mban mend shkrimet e para, poezinë e parë?
Nuk më ka mbetur në mendje, vetëm e di se fillimisht kur kam shkuar në shkollën 9-vjeçare bëja poezi dhe hartime me porosi. Veçanërisht më vinin të shkruaja skenarët e aktiviteteve festive. Me siguri i kam bërë sipas shijeve të tyre. I vetmi vend ku shkruaja gjëra të çuditshme ishte ditari im. Një shoqja ime, kujdestarja e klasës ma mori fshehurazi dhe ia dha mësueses. Skandal u quajt ditari im, ku unë përfytyroja se si me puthte një djalë sportist që kalonte poshtë dritares sime çdo mëngjes. U ndjeva shumë e turpëruar nga kjo, e veçanërisht e mërzitur, se mamaja kishte bërë posaçërisht një foto dhe nuk ia vunë tek tabela e prindërve me fëmijë të dalluar. Në gjimnaz pata fat më të madh…, nisa të shkruaja një roman dashurie me shumë episode dhe të gjithë dorëshkrimin tim e kalonin dorë më dorë, kur ishim në aksion apo stërvitje ushtarake. Problemi më i madh ishte fundi i romanit, do ndaheshin apo do bashkoheshin të dashuruarit. Kisha shumë presion për t’i bashkuar dhe pas shumë peripecive romani im i kënaqi të gjithë me fundin e tij të lumtur. Poezi kam shkruar që në gjimnaz, por poezi vërtet me një frymë tjetër nisa të shkruaja në kohën e fakultetit. Por, gjithnjë kam menduar se poezitë e mia ishin poezi sirtari. Se në atë kohë vargjet me komunikim intim me lexuesin të gjithë poetët i mbanin në sirtar. Mbaj mend që kam shkruar një poezi “Ringjallja ime” (as e di ku e kam sot), ku unë e shihja veten lakuriq në rrugë, të goditur nga të gjithë, të kryqëzuar si Krishti, por pas kësaj të ringjallur me një dritë shkëlqimtare që s’e kisha patur kurrë më parë. Dhe befasia më e madhe ka qenë kur rastësisht në kompjuterin e vajzës lexoj një poezi me titull: “Dola lakuriq në rrugë…pak a shumë i njëjti imazh”.
“Sikur një aparat do na skanonte mendjen, asnjë çift nuk do kishte jetëgjatës
Meqë e përmendët vajzën, a mund të thoni diçka për marrëdhënien tuaj?
Vajza ime është fryt i një martese të ardhur nga lidhja ime e dashurisë me ishbashkëshortin tim. Sofiana është rritur me shumë dashuri e përkujdesje. Një fëmijë e kupton intuitivisht kur prindërit e duan njëri-tjetrin, po kështu edhe gjyshja apo gjyshi që jeton me ta duhen, ndihmohen dhe respektohen. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ndikon mjaft pozitivisht te fëmija. Nga ana tjetër, unë s’kam qenë asnjëherë një mama që i merr frymën fëmijës dhe e bën atë të lidhur varësisht ndaj “fustanit” të saj, përkundrazi e kam shtyrë atë gjithnjë të dojë gjyshërit, tezen, kushërirat e kushërinjtë, shtojmë këtu dhe shokët e shoqet rreth saj. Këtë gjë sigurisht e kam bërë në mënyrë shumë intuitive, por m’u kthye për mirë se i dhashë liri vetes sime në drejtim të ambicieve profesionale, por dhe në ato shpirtëroret. Kështu që divorci asnjëherë nuk ka qenë për Sofianën një gogol, që ne prindërit i frikësojmë fëmijët, përkundrazi ka vazhduar të rritet me po atë dashuri, në mos më shumë, si në vitet e para të fëmijërisë. Prindërit nuk e kuptojnë se sa egoistë bëhen kur përgjigjet për problemet në jetën e tyre i gjejnë shpejt e shpejt te jetët e fëmijëve të tyre. Kjo liri që unë i dhashë vajzës sigurisht, që ka dhe pjesën e vështirë, se shumë gjëra nuk i ke nën kontroll. Shpesh ajo ka një gjykim të rreptë për disa sjellje të miat apo të babait të saj dhe e shpreh hapur këtë. Nga brenda ndiej një ngazëllim, se nëse nuk i mësojmë fëmijët të kenë guxim të kundërshtojnë vullnetin e prindërve, atëherë ata nuk do ta ngrenë asnjëherë zërin në jetë dhe do të rriten të nënshtruar.
Sa e rëndësishme është dashuria në jetën tuaj?
Për mua dashuria është dhe do të jetë kuptimi i ekzistencës njerëzore, që gjithë jetën ia vlen të luftosh për të. Këtë ndjenjë të fuqishme e kemi brenda vetes dhe materializohet te një person. I gjithë humori ynë i jetës së përditshme varet nga ky “diktator” që ne e duam aq shumë, madje më shumë edhe se njerëzit tanë të shtrenjtë të familjes, ndonëse mund të kemi dhe vetëm një javë, që kemi rënë në dashuri me të. Nuk është turp dhe sakrilegj të thuash se ne gratë kur dashurojmë vërtet, e hipim menjëherë të dashurin në top listën e njerëzve më të dashur, madje aty ku ndodhen fëmijët tanë… E gjitha kjo përligjet me këtë shprehje magjike: “Kam rënë brenda!” Lum për ata që e përjetojnë këtë ndjenjë dhe që e lenë veten të lirë t’i shkojnë deri në fund, pavarësisht se një xhungël i pret përpara e ata i duhet të mbijetojnë në të fshehtat e mrekullueshme e misterioze të këtij pylli, por që është dhe mjaft i frikshëm e i rrezikshëm. Shumica e grave, por dhe e burrave, i ikën kësaj ndjenje që në çastin kur e ndien se po rrezikohet “paqja” baras komoditeti, që kanë krijuar në jetën e tyre. Të tjerët s’kanë nevojë t’i ikin se, s’kanë asnjë prirje drejt këtij përjetimi dhe vetëm të guximshmit ia dalin dhe ia ndiejnë lezetin kësaj ndjenje.
Për hir të kësaj dashurie ju sot bashkëjetoni me njeriun që keni rënë në dashuri para 15 vjetësh, Latif Ajrullai. Si shkon kjo lidhje me njeriun që i përket fushës së shkencave natyrore. Pse keni bërë këtë zgjidhje?
Sepse ai e ka tharmin artistik brenda vetes…dhe jo vetëm atë, por dhe guximin e burrit në moshë për të thyer tabu për hir të dashurisë. Sa për bashkëjetesën është një zgjedhje mjaft e mirë për kushtet ku ndodhemi unë dhe Latifi. Secili nga ne ka detyrimet e tij familjare që i kryejmë pavarësisht nga njëri-tjetri. Nga ana tjetër, ne e kemi kuptuar të dy se nëse do që të të funksionojë një lidhje afatgjatë, respektimi i lirisë së partnerit është kryesorja. Gjithnjë e kam patur inat shprehjen: “Ky i imi” apo “Kjo e imja”. Ne s’jemi të askujt përveç vetes. Sikur një aparat do të skanonte mendjen tonë e të na e lexonte partneri, asnjë çift nuk do kishte jetëgjatësi. E pra, duam apo s’duam nëse na burgosin partnerët brenda mureve të moralit të familjes, askush të mos harrojë se mendjen nuk e burgosin dot. Dhe nëse me mendje ti mendon kënaqësi të pafundme jashtë atyre mureve, atë ndjesi masturbuese askush nuk ta burgos dot. Ajri brenda shtëpisë, sado e mobiluar bukur të jetë bëhet mbytës… e …ajri që thithim jashtë na i mbush mushkëritë plot e na bën njerëz më të mirë, më të shëndetshëm a pa dëshira perverse.
Poezia nuk është si proza që t’i mbulon “horrllëqet”
Cila është çmenduria më e madhe që ke bërë?
Në kohën e dashurisë me Latifin i kam mbyllur atij sytë dhe kemi zbritur për disa minuta nga Kodra e Diellit në Tetovë.
Nuk u trembët?
Sigurisht… Unë pas çdo kthese bërtisja, ndërsa Latifi në romanin e tij, “Kufiri” kushtuar dashurisë sonë, ka shkruar: “…M’u lagën pantallonat, por nuk e jepja veten se doja të tregohesha burrë!”
Cili është hobi juaj?
Noti Freestyle, është njëlloj si në jetë… të dish të mbash ritmin, të kesh nën kontroll frymëmarrjen, t’ia dorëzosh trupin kënaqësisë.
Kë do të cilësonit si momentin më të vështirë në jetën tuaj?
Kur jam larguar nga shtëpia me vajzën ende të vogël, pa lekë dhe me një punë që sapo ishte në hapat e parë. Isha në udhëkryq: Të shkoja prapa e të kthehesha në shtëpinë e prindërve. Të shkoja majtas në shtëpinë që e braktisa; të shkoja djathtas dhe të martohesha me njeriun që doja; të shkoja para duke vazhduar të isha një luftëtare e dashuruar.
Dhe përgjigjja është e qartë… ju Rita shkuat para… këtë e shpreh hapur dhe poezia juaj, që thyen tabu. Siç ka thënë kritika: “… një rast ky atipik për letrat shqipe, kur thelbi i poezisë së një autori përputhet me thelbin e qenies së tij”. A jeni ndier e paragjykuar ?
Me siguri do jem paragjykuar, por nuk e kam ndier, pasi nuk jam marrë asnjëherë me këtë gjë. Poezia shkruhet në vetën e parë, nuk është si proza që t’i mbulon “horrllëqet” me vetën e tretë. Dhe nëse do vërtet të jesh poet i suksesshëm ka vetëm një rrugë, të sfidosh realitetin mbytës që vjen nga shoqëria përreth, por mbi të gjitha egoizmin e njerëzve me të cilët ti jeton… ata janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë tënde… ata janë të parët që ushqejnë autocensurën tënde. Dhe unë ia kam dalë kësaj. Të marrim për shembull, dukurinë e besës që unë e kam trajtuar si antimit në poezinë “Besa”. Kjo Besë u kthye në antibesë, nga “Shpirt” u kthye në “Mish” të huaj brenda trupit tim. Dhe pasi mjekët më këshilluan ta hiqja, unë e hoqa, po në trup më mbeti vraga e plagës. Po a mundet një trup pa asnjë shenjë plage ta ketë kryer si duhet detyrën e vet para Zotit kur të shkojë në jetën tjetër? A nuk janë plagët tona shenja se kemi luftuar e guxuar në këtë jetë…dhe përsëri nuk janë ato shenjë më e sigurt se, kjo botë do ndryshojë duke u ricikluar në rritje e jo duke u rrotulluar brenda kufijve e dogmave që e mbysin?
E keni patur të vështirë të mos ngatërroni biznesin tuaj të botimeve dhe të qenit autore e një numri të madh tekstesh shkollore me qenien tuaj si poete. Janë diametralisht të kundërta.
E vërtetë, por as vetë nuk e di se si harmonizohen ato aq bukur në jetën time, saqë jo vetëm nuk më ngatërrohen nëpër këmbë, por harmonizohen në mënyrë perfekte. Të shkruash një tekst të mirë shkollor dhe të jesh e suksesshme në këtë fushë të duhet të punosh nën trysninë e kufijve si programi, kërkesat, aftësitë e nxënësve, të mësuesve, mentaliteti i prindërve etj., etj. Po unë jam munduar brenda këtyre kufijve t’i jap frymën time poetike kësaj pune. Profesionalizmi dhe dashuria me të cilën e kryen një punë janë faktorët kryesorë në suksesin e saj. Po kështu pjesa logjike dhe pragmatiste e biznesit ma bën poezinë time të prekshme, të realët.
Ju u keni premtuar lexuesve se vini me një libër të ri. A ju ka mbetur ende gjë pa thënë e që e keni zbuluar nga brendësia e instinkteve?
Nuk e besoja se, kisha ende për të zbuluar dhe kur e kuptova këtë u ndjeva vërtet shumë e lumtur… e ripërtërirë, e rinuar dhe plot adrenalinë. Për të mos zbuluar ndonjë gjë më shumë, po ju them se libri shkon përtej historisë së Evës dhe Adamit dhe rrotullohet rreth legjendës së vëllait e të motrës, por tashmë jo sipas biblës e legjendave, por sipas “qejfit” tim poetik.