23.6 C
Prizren
E martë, 6 Maj, 2025

Alarmon Dugi: Po rrezikohet funksionimi i shtetit

Dukagjin_Gorani1Ambasadorja Tracey Ann Jacobson ka kërkuar nga liderët partiakë t’u japin fund dallimeve politike në mënyrë që t’i formojnë institucionet e reja dhe lëvizin përpara çështjet që janë në interes për Kosovën.

Kërkesa e ambasadores amerikane Tracey Ann Jacobson drejtuar liderëve partiakë, nga njohësi i çështjeve politike, Dukagjin Gorani, nuk është parë si tendencë për ndërhyrje të SHBA-ve në konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Gorani ka thënë për “Epokën e re” se Ambasada Amerikane në Kosovë është deklaruar vazhdimisht se nuk do të përzihet në procesin e formimit të institucioneve shtetërore.

“Qeveria amerikane ka vendosur të mos përzihet në këtë cirkus. Nga Ambasada në Prishtinë është deklaruar disa herë se partitë politike duhet ta zgjidhin vetë këtë krizë. Shpresoj se do ta vazhdojë ta mbajë këtë qëndrim, marrë parasysh praktikat e mëhershme të intervenimeve, të cilat në fund prodhuan një kastë parazitësh institucionalë”, ka deklaruar Gorani.

Pavarësisht kësaj, Gorani ka vlerësuar se me përjashtim të Vetëvendosje!-s, të gjitha partitë e tjera në Kuvendin e Kosovës historikisht shquhen për nga dëgjueshmëria karshi bashkësisë ndërkombëtare.
“Sa për ‘liderët partiakë’, mendoj se është vetëm një organizatë politike nga këto që janë në Kuvend që ka histori të një ‘kokëfortësie’ në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Ambasadën Amerikane. Historia e të tjerave përbëhet nga dëgjueshmëria rutinore. Megjithatë, këtë herë nuk po kërkohet dëgjueshmëri, por mençuri e vendosmëri”, është shprehur Gorani.

I pyetur se pse liderët partiakë çdoherë deklarojnë publikisht se dëshirojnë dhe janë për miqësi të përhershme me SHBA-të, por kësaj radhe nuk janë duke u treguar të dëgjueshëm ndaj shtetit mik, Gorani ka thënë se lidershipi pikërisht sot po tregohet i dëgjueshëm.

“Qeveria amerikane po kërkon prej tyre që vetë ta zgjidhin këtë krizë. Por, duket se nuk kanë vendosmëri të ndërmarrin çfarëdo veprimi as partia në pushtet e as opozita. Kësisoj, po humbet kohë e gjatë dhe po rrezikohet funksionimi i shtetit, e me këtë vetvetiu po bien ndesh me kërkesat ndërkombëtare”, ka thënë Gorani.

Ai ka thënë se mungesa e vendosmërisë nga ana e liderëve është duke treguar një traditë të vartësisë politike ndaj faktorit ndërkombëtar.

“Në fund, kjo mungesë e vendosmërisë po dëshmon për një traditë të varësisë së thellë të partive (dhe qeverive) tona nga intervenimet ndërkombëtare, e cila dosido duhet të ndërpritet nëse duam të shndërrohemi në një shoqëri të përgjegjshme”, ka deklaruar Gorani.

Më Shumë

Mot me diell, temperaturat deri në 23 gradë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. IHK njofton se temperaturat minimale do të...

Kryetari i Dragashit deklaron mbi 100 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe kursime

Kryetari i Komunës së Dragashit, që njëherësh është edhe kryetar i Degës së LDK-së, Bexhet Xheladini, ka deklaruar mbi 100 mijë euro pasuri të...

Lajmet e Fundit