Liderët e Partive politike të Kosovës- Thaçi në njërën anë dhe Mustafa, Kurti, Haradinaj e Limaj në anën tjetër duket që janë zënë në „mat“ nga deklaratat e rënda të Ambasadores Amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson sot në një diskutim publik të organizuar nga organizata joqeveritare FOL.
Jacobson, pos që „prangosi“ korrupsionin si fenomen të shprehur gjithandej tek partitë politike në të njejtën kohë foli edhe për krizën politike.
“Natyrisht që të ketë zgjedhje të reja duhet të ketë konstituim të kuvendit. Nëse dy mandatar nuk funksionojnë atëherë shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet gjithmonë mund të jenë zgjidhja e fundit. Nëse ato mbahen në dimër mund të ketë një përfshirje të vogël të daljes në zgjedhje. Po kështu do të kemi një rezultat të njëjtë, PDK, LDK, VV kurse Nisma ndoshta mundet edhe mos të kaloj pragun”, ka thënë Jacobson.
E siç Gazeta Blic mëson, të gjithë, si Thaçi ashtu edhe liderët e Bllokut kanë kohë që deri të premten të „paraqiten“ tek Jahjaga me propozimet e tyre për dalje nga kriza.
Kjo i bie që s’kanë mbetur më shumë se 24 orë. Burimet e Gazetës Blic kanë thënë se kjo ngjet për shkakun e thjeshtë që s’ka bazë legale për mosshpallje të zgjedhjeve nëse nuk ka marrëveshje të re. Nëse presioni tashmë edhe publik i Ambsasadores Amerikane do të ndikojë mbetet të shihet.
Përndryshe Këshilltari i Jahjagës, Vllahiu sot ka dhënë një deklaratë me shkrim për Gazetën Blic ku mes tjerash ka thënë se “që prej fillimit të procesit të lehtësimit të diskutimeve në Zyren Presidentes, është theksuar se liderët duhet të ofrojnë zgjidhje për të shmangur zgjedhjet. Zgjedhjet janë alternative e fundit, nëse liderët nuk shohin asnjë zgjidhje tjetër për këtë impas të krijuar”, tha ai.
Kosova tash e gjashtë muaj është në krizë institucionale. Edhe pse u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 8 qershor, vendi vazhdon të mos ketë institucione funksionale. PDK ndonëse doli e para në zgjedhje nuk po arrin që të gjejë asnjë partner për bashkëqeverisje. Në anën tjetër, LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje janë bërë bashkë, duke e formuar shumicën parlamentare, mirëpo vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku posti i kryetarit të Kuvendit i takon vetëm PDK-së ka bllokuar keq funksionimin e institucioneve./ Gazeta Blic